Yevgeny Prigozhin sapo ka ekspozuar shkallën e plotë të dobësisë së Vladimir Putinit. Në më pak se 24 orë, udhëheqësi i grupit mercenar Wagner bëri përparim të jashtëzakonshëm, duke marrë kontrollin e qytetit jugor të Rostov-mbi-Don, selinë e Qarkut Ushtarak Jugor dhe duke paraqitur sfidën më serioze për udhëheqjen e Putinit. Presidenti nuk dukej i plotfuqishëm, por i paaftë për të kontrolluar Prigozhonin pasi tha se 25 mijë trupat e tij ishin të gatshëm të marshonin drejt Moskës.
Më 9 maj, kur sfida e Prigozhin ndaj Vladimir Putinit u bë e dukshme për herë të parë, unë argumentova në ‘Spectator’ kundër idesë se Putini ishte në ‘krye’ të situatës. Analiza ime u bazua në ndjenjën- e konfirmuar që atëherë- se ankesat e Prigozhin për municionet dhe sulmet ndaj një ‘gjyshi të lumtur’ që drejtonte përpjekjet e luftës kishin minuar seriozisht autoritetin e Putinit.
Përplasje të tilla nuk duhet të ndodhin në sistemin e Putinit. Minionët mund të sulmojnë njëri-tjetrin, por kurrë nuk duhet të minojnë strukturën vertikale. Prigozhin e kaloi këtë vijë. Dhe Putini duhej të përgjigjej. Por përgjigjia e largët e Putinit ndaj asaj sfide në maj- ai vazhdoi të sillej sikur asgjë nuk po ndodhte dhe vetëm kohët e fundit duket se ia hodhi fajin Ministrisë së Mbrojtjes, duke miratuar idenë se ‘Wagner’ duhet t’i nënshtrohej asaj- duke dërguar një sinjal poshtë në sistem.
Ndërkohë, Prigozhin e kuptoi qartë se Wagner-it po i mbaronte koha dhe se duhej të lëvizte. Tre faktorë ndoshta kanë luajtur një rol. Njëra është e sigurt. Dy janë spekulative (nga ana ime). Faktori i parë është kundërofensiva e Ukrainës, që e shtrëngoi ushtrinë rusë.
E dyta, dhe unë këtu spekuloj, është se Prigozhin ndoshta e ndjeu se Putini po i afrohej idesë për të mbështetur rivalin e tij, ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu. Putini më parë ishte treguar ambivalent, duke pluskuar mbi të gjithë konfliktin. Afati që kishte vendosur Shoigu, që Wagner të vendosej në varësi të ushtrisë më 1 korrik, po afrohej.
Faktori i tretë- dhe kjo ndoshta shpjegon reagimin me panik në Moskë- është se Prigozhin kishte njerëz në brendësi që po e mbështesnin atë, duke mbështetur përpjekjen e tij për pushtet. Ministria e Mbrojtjes nxori deklaratat e ish-aleatit të dukshëm të Prigozhin, gjeneralit Sergei Surovikin (Prigozhin kishte bërë thirrje që Surovikin të vihej në krye të Ministrisë së Mbrojtjes) dhe nënkryetarit të GRU, Vladimir Alekseev. Të dy dënuan ofertën e Prigozhin për pushtet. Por disa orë më vonë, Alekseev u filmua duke marrë një dhuratë nga Prigozhin në Rostov.
A po mbështetet Prigozhin nga shërbimi sekret rus? Natyrisht jo, pasi ata do donin arrestimin e tij. Nga Viktor Zolotov, drejtor i Gardës Kombëtare të Rusisë? Nga dikush tjetër? Ashtu siç ndodh shpesh në Kremlinologji, qentë po luftojnë nën rrogoz, por ne nuk do ta dimë se kush do të triumfojë derisa dikush të dalë në krye. Ajo që mund të shohim është se Putini u rrëzua shpejt dhe ashpër këtë herë. Ai bëri një deklaratë në video duke akuzuar Prigozhinin se kishte goditur Rusinë pas shpine. Ai premtoi se do t’i jepte një dënim të pashmangshëm ish-klientit të tij.
Drama ka ekspozuar se Rusia është në gjendje krize të thellë, ndryshe nga çdo gjë që ka përjetuar që nga viti 1991. Në atë kohë, një tentativë për grusht shteti nga ushtria dhe KGB ndaj Mikhail Gorbaçev zgjati vetëm tre ditë. Puçistëve u mungonte vullneti dhe vendosmëria për të marrë pushtetin në duart e tyre. Dështimi i vitit 1991, çoi me pak fjalë në rënien e Bashkimit Sovjetik.
Në gusht të vitit 1917, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ruse, Lavr Kornilov, tentoi një marshim në Shën Petersburg, në atë kohë kryeqyteti i Rusisë, gjoja për të frenuar bolshevikët dhe për të rivendosur kontrollin e qeverisë. Përpjekja e tij për grusht shteti ushtarak dështoi, por kontribuoi në kaosin që solli bolshevikët në pushtet në atë nëntor. Pasoi një luftë civile që i kushtoi Rusisë miliona jetë. Putin përmendi precedentin e vitit 1917 në fjalimin e tij drejtuar popullit rus. Është e qartë se ai është i vetëdijshëm për paralelet e rrezikshme.
Rusia ka një histori të pasur me grushte shteti të dështuara. Ato rrallë sjellin një fund. Prigozhin, me marshimin e tij të projektuar në Moskë, po mbështetej në një traditë të tillë të palumtur. Rezultatet nuk mund të parashikohen. Por historia ruse ka mënyra për të ripohuar veten. syri.net