U bë viti, që ke ikur në Qiell,
por me sa poezi
e ke mbushur truallin tonë
si me gjethe shpirti…
Vërtet poeti Xhevdet Bajraj mbetet një Luftëtar shpirtëror i fuqishëm, këtë mund të them që në fillim, që s’e duroi dot luftën, ku tmerrshëm vriten njerëz dhe ëndrra dhe poezia e jetës… dhe iku nga Kosova e tij, larg, sa më larg, në Meksikë, me gruan dhe fëmijët, të shpëtonte jetën sa më shumë… duke mbartur gjuhën amë dhe frymë-Zi-min… ashtu si dhimbjet mbi shpinë dhe kujtimet, që rëndojnë, rëndojnë…
E pritën si poet në Mexico City dhe tani ai ka studentët e tij që e duan atje, lexuesit e shumtë, të cilëve ua dha poezinë dhe në gjuhën spanjolle… miqtë… imazhet… hardhinë në prag…gotat me verë… sombrerot… macet… bibliotekat… kujtesa e tij është plot me Kosovë…
Poezitë i lexohen dhe në rrugë, i janë kushtuar dhe koncerte të mëdha, konferenca, takime… po përkujtohet dhe në Kosovë, në vendlindje, atje veç datëlindjen i dinë, ai është përherë poet i tyre…
Shoh si e ka gdhendur fjalën, ashtu si drurin, pak ashpër, por natyrshëm dhe sa dhemb, sa dhemb… si mishi i jetës… dhe sa dinjitoz është ai në dhembjen e tij… ndërkaq fjalë-urtë si malësorët, i madhërishëm së brendshmi… i kultivuar dhe me poezinë e madhe latine, europiane ashtu si me eposin e popullit të tij dhe befas ashtu na u përshfaq: aq sa poet tradicional, po aq dhe modern, krejt i veçantë, i ëmbël do të thosha deri në hidhësi dhe i hidhur deri në ëmbëlsi, gdhëndës i duruar dhe parak, e them sërish, gjithsesi antologjik.
E shfletoj me ëndje, larg dhe unë, librat na i dha Zonja e tij, Doktoreshë Vjollca Bajraj, muza e tij, tani e përkushtuar pas poezisë së Xhevdetit, me mision përhapjen e tyre… si gjethet nëpër erë.
S’e di pse ndal te poezia “Trëndafili”:
Jam goxha i sigurt se
kur për herë të parë
është takuar me njeriun
trëndafilit i kanë dalë gjembat.
Fërgëlloj së brendshmi. Ndjej shpuarje në lëkurë, madje dhe gjakun që rrjedh. Kështu është poezia e Xhevdet Bajrajt, që s’i trembet druajtjes, qortuese ndërkaq, metaforike, por dhe hermetike, përdryshe dhe e çiltër, e veçantë, antologjike…
Fjalë të tilla po i thosha Vjollcës, teksa ajo na shkruante përkushtimin në librat e të shoqit, hija e saj është vetë vazhdim i asaj poezie dhe, kur po shëtisnim rrugëve të Chicago-s, – Eda ime dhe unë e kishim vënë në mes, – për Xhevdetin po flisnim me adhurim dhe kur u ndezën dritat e para në muzgun e parë, ato po më dukeshin si trendafila të poezisë së tij.
Gjithë këtë vit mungese, poeti Xhevdet Bajraj e mbush po vetë me prani hyjnore, me atë poetiken…