MEK: Shqipëria mos të përdoret si gur shahu!
Edhe sa ngjarje të tjera si ajo në kampin e MEK në Manzë do të duhen që më në fund në Shqipëri te kuptojnë se në këtë botë “mizore” nuk ka preferenca por vetëm interesa?
Që nga presidenti Uilson që pengoi ndarjen e Shqipërisë deri tek ai Klinton që mundësoi pavarësinë e Kosovës, nuk është miqësia e veçantë e Amerikës për kombin shqiptar që i bashkon dy vendet tona (Amerika është mike me të gjithë të popujt njësoj) por është përkimi i interesave në një kohë të caktuar, në një vend të caktuar, për një periudhë të caktuar. Mund të jesh vend demokratik dhe të ftohesh me amerikanët për mospërputhje interesash (Franca e De Golit). Ashtu siç mund të jesh vend diktatorial dhe të mirëkuptohesh me amerikanët (Kili i Pinoçetit apo Arabia Saudite). Gjithçka është çështje interesash. Me Venezuelën nuk “mirëkuptohen” sepse për momentin nuk ka interesa të përbashkëta, ndonëse Maduros nuk mund t’i numërohen më shumë mëkate sesa emirëve në zonën e gadishullit arabik miq për be të amerikanëve.
“Përvojat” me kurdët, afganët, Vietnamin…
Për aq kohë sa kishte nevojë Perëndimi të luftohej Isis-i në Siri, kurdët u ngritën ne piedestal, morën statusin e heronjve në mbrojtje të civilizimit perëndimor ndaj barbarisë xhihadistë. Por kur lufta ndaj ISIS-it mbaroi, dhe në të njëjtin moment Turqia kërcënoi se nëse Perëndimi nuk i fuste thikën pas shpine kurdëve, do të ishte ajo, Turqia, e cila do ta braktiste Perëndimin, Uashingtoni nuk reflektoi shumë gjatë, i la kurdët në mëshirë të fatit, dhe fati ose qameti quhej Erdogan që i masakroi. Atë turp ende e ndjejmë në Europë, por kjo është Amerika, e njohim, e dimë, e pamë si veproi dhe me afganët, por “ja falim” sepse ja kemi nevojën dhe se është shtet demokratik si shtetet tona ne Europë/ Me një kusht megjithatë. “I tolerohet” Amerikës të ndërhyjë kudo në botë me metoda po qe nevoja jo demokratike, por kurrë nuk i bëhet kjo tolerancë që të ndërhyjë në jetën demokratike të vendeve aleate demokratike. Amerikanët nuk kishin fare dëshirë që një Meloni të mbërrinte në pushtet me dy miq të Putinit Berkuskonin dhe Salvinin, por demokracinë italiane e respektuan, nuk ndërhynë. Amerikanët nuk kanë aspak dëshirë që të shohin Le Pen të mbërrijë në pushtet në Francë më 2027 për më tepër me financime bankare ruse dhe me program si Degol për ta nxjerrë Francën nga komanda e bashkuar e NATO-s, por asgjë nuk do të ndërmarrin për të tjetërsuar vullnetin e popullit francez, as atë të vendeve të tjera aleate sepse demokracitë i bashkon pikërisht respektimi i demokracisë në vendet e tyre. Përkundrazi në Afrikë superfuqia botërore nuk do të hezitonte mbështesë një diktator properendimor dhe të destabilizojë një “demokrat” me tendenca pro-ruse apo pro-kineze.
Afganët e çliruar prej zgjedhës talibane nga vetë amerikanët, po nga amerikanët u “tradhëtuan” dhe u “dorëzuan” 20 vjet më vonë në duart e të njëjtëve talebanë. Me garancinë se këta nuk do të bënin aleancë me rusët por pa garancinë se do të silleshin njerëzisht me popullin afgan…Vazhdimin e njohim…
Më herët, shumë përpara kurdëve dhe afganëve, amerikanët e kishin treguar lojën e interesave gjeopolitike në Vietnamin martir, ku pas armëpushimit më 1973 me komunistët e Hoshimin-it, u dorëzuan atyre vietnamezët heroikë që dhanë jetën për demokracinë dhe Amerikën. Saigoni dhe i gjithë Vietnami i jugut u braktis në duart e xhelatëve komuniste të veriut të Vietnamit. Çmimi Nobel i Paqes më 1973 do të mbahet mend sesi u bojkotua nga dy fituesit, një vietnamez dhe tjetri amerikan (Kissinger “himself”), në shenjë proteste apo turpi… Franca pak vite më parë kishte bërë dhe ajo të njëjtën gjë me algjerianët që luftuan për Francën, harki-të e famshëm, që u braktisen në duart gjakatare të nacionalistëve që morën pushtetin ne Algjer, ende një njollë sot në kujtesën kolektive franceze.
Muxhahedinët, elementë të pafrekuentueshëm, por kush i solli në Shqipëri?
Vijmë te muxhahedinët e popullit, apo opozitarët ndaj regjimeve iraniane që nga mbreti (Shah-u) deri tek teokracia e sotme. MEK, siç quhet në persisht kjo organizatë, është vërtetë siç thuhet një sekt, janë ndoshta marksista dhe më të indoktrinuar se kubanët, ndoshta islamista edhe më të tërbuar se vetë ajatollahët, një organizatë e dalluar për organizim të brendshëm puro anti-demokratik, në atë pikë sa asnjë vend në Europë nuk pranon t’i strehojë, biles as dhe vetë iranianët e thjeshtë që vuajnë në Iran nga regjimi i Teheranit nuk i pranojnë në zemrat e tyre që prej kohës kur MEK bëri pakt me armikun e popullit Iranian, Sadam Husein për të luftuar vendin e tyre ne vitet 80.. Por ja që Amerikës këta fanatikë marksista- islamista i bënin shumë punë, ashtu siç i bënin punë Amerikës talebanët gjatë luftës Bashkim sovjetik – Afganistan në vitet 80. Interesi ishte se muhaxhedinët e popullit mund të përdoreshin kundra regjimit Iranian, armik të Shba -ve, Izraelit dhe Perëndimit, ashtu si Moska përdor dhe ajo Dodiku-n e Republika Serbska për të destabilizuar armiqtë e Rusisë në Ballkan.
Kjo quhet konjukturë, cinizëm interesash, për më tepër kur dihet botërisht se MEK me para të shumta nga burime të panjohura, u interesonin shumë në planin financiar disa politikanëve të pangopur amerikanë, sidomos në radhët e Partisë Republikane, që paguheshin nga MEK gjoja për konferenca. Shqiptarët e panë vetë këto vite, pa e kuptuar mirë, atë parade vizitash në Tiranë që nga ish- kryebashkiaku i Nju Jorkut Xhuliani, te ish- sekretari i shtetit Pompei apo ish zv. presidenti Pence. Ata s’vinin në emër të Amerikës zyrtare, ata s’vinin për Tiranën e Edi Ramës; ata vinin për Manzën dhe për çeqet e majme të MEK.
Në disa ndërhyrje që kam bërë në të kaluarën kisha një kryefjalë, MEK nuk është në interes të Shqipërisë megjithëse ishin instaluar nga amerikanët. Edhe Mac Gonigal na u shit si Amerika, por ai nuk vinte as në interes të Amerikës dhe as të Shqipërisë por të atij personal. Shqipëria hyri batjava në një lojë të rrezikshme ku Kryeministri i vendit për t’u bërë qejfin (disa) amerikanëve vinte në rrezik popullin e tij. Evituam fillimisht një atentat të organizuar nga Teherani në ndeshjen e futbollit Shqipëri – Izrael ; Më pas u hakëruam egërsisht nga Irani. Dhe së fundi morëm pa dyshim kërcënime të qarta nga regjimi diktatorial dhe teokratik iranian për sulme ajrore me drone te tipit “shahed” mbushur me eksploziv si ato që po mbjellin panik ne Ukrainën e pajisur me “Patriot” kur Shqipëria s’ka fare mbrojtje të tilla. Pse Shqipëria e vogël dhe populli i saj as dy milion e gjysmë frymë te mbante mbi supet e saja një kërcënim dhe rrezik për jetën kaq te madh duke hyrë në konflikt me një diktaturë 80 milion banorësh? Në emër të cfarë kauze u ndërmor i gjithë ky rrezik me strehimin e muxhahedinëve në Shqipëri, pasi po të kish qenë vetëm kauze humanitare pse asnjë vend tjetër nuk doli vullnetar? Kauza reale ishte t’i jepej një bazë MEK-ut nga ku të sulmonte kebernitikisht Iranin, prandaj asnjë vend nuk i pranonte. Zonja Rajavi drejtuese e MEK, që ka shpërblyer financiarisht sa e sa perëndimorë që i vijnë në ndihmë kauzës së organizatës së saj duke i bërë nder me pritje në tokë shqiptare, të paktën as edhe një spital për fëmijë nuk financoi në Shqipëri? Pse kjo bujari nga shqiptarët, risqet për shqiptarët, por përfitimet për të tjerët? Sepse Shqipëria ka liderë pa kolonë vertebrale që bëjnë symbyllurazi çfarë u thotë Amerika, duke ua shitur shqiptarëve interesat e Amerikës si interesa të shqiptarëve.
Të njëjtën gjë bëri Edi Rama që kur erdhi në pushtet më 2013, në momentin kur Amerika s’dinte ku t’i çonte armët e qelbura kimike siriane që i kishin mbetur peshqesh nga OKB-ja. Bujrum, sillini t’i groposim në Shqipëri u tha Rama por u zbraps përball populli në protesta. i njëjti Kryeministër që thoshte se Irani është shtet terrorrist dhe se Shqipëria nuk do t’I gjunjëzohet kurrë dhe se do t’i mbronte muhaxhedinët që Amerika i mbante në Shqipëri pikërisht për të goditur në internet regjimin iranian duke pritur një ditë t’i zbarkonte në Iran. Pse, nuk e dinte Rama se prej 10 vjetësh muhaxhedinët në Manzë atë punë bënin, luftë pa kompromis diktaturës iraniane nga larg me internet sepse për këtë mision amerikanët i kishin “rekrutuar”? Ishte ky mision prioritar për Perëndimin, të luftohej regjimi iranian me të gjitha format, si nga brenda me rebelimin e rinisë iraniane dhe nga jashtë me organizata të rezistencës si MEK. Muhaxhedinët e popullit nuk kishin ardhur në Shqipëri per turizëm!
Por ja që konjuktura ndryshoi. Administrata Biden, ndryshe nga ajo Trump kërkon tani paqe të përkohshme me Iranin. Kjo strategji do të lejonte që Irani të lirojë pengjet perëndimore që ai mban, mos t’i japë më ndihmë ushtarake Rusisë, dhe mos të shantazhojë Izraelin me perspektivën e një bombe bërthamore. Për t’ja arritur këtyre objektivave, mund të negociohet me Iranin e ajatollahëve. Amerika mund të ofrojë si shkëmbim, pushim të luftës së muhaxhedinëve nga territori shqiptar. Po ashtu Amerika mund të zhbllokojë disa miliarda dollarë që i takojnë Iranit pas shitjeve të naftës së saj në tregjet botërore por që i mbahen peng prej vitesh Iranit, një sërë hipotezash kompromisesh të detajuara imtësisht në një shkrim të fundit të Al Jazeera. Përtej hipotezave, një gjë po konstatohet dhe që ishte e paimagjinueshme pak kohë më parë: Irani po fillon të lirojë pengje perëndimore! Pengjet e para janë ato franceze të liruara në maj duke shkaktuar habi dhe pyetjen në mediat franceze se çfarë mund të ketë marre si kompensim Irani. Të shohim tani nëse a do të lirohen dhe pengje amerikane. Kjo do të jetë prova se ka pasur negociata irano-amerikane dhe me këtë lidhet bastisja e policisë shqiptare bazën e MEK ne Manzë.
Pro Amerikës por për problemet tona
Saga e MEK-ut në Manzë është punë e Amerikanëve që duhet t’u dalin zot, jo e shqiptarëve. Nga ana tjetër, Shqipëria është pjesë e koalicionit perëndimor dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të vihen në dyshim interesat e aleatëve tanë. Këto interesa nuk duhen gjykuar, por ato të realizohen larg Shqipërisë kur nuk kanë asnjë lidhje me Shqipërinë. Ne jemi në të drejtën t’u kërkojmë, sidomos liderëve tanë, ta mbajnë popullin shqiptar larg këtyre “skemave botërore” sepse nuk kemi këllqe. Problemi ynë është boshatisja e vendit dhe jo boshatisja e Manzës. Problemi ynë është demokracia jonë e sëmurë dhe jo lufta e opozitave iraniane për pushtet në Iran. Amerikanët boll i ndihmuam në këtë dosje. Ata mund të gjejnë pas dhjetë vjetësh shërbimi që u beri Shqipëria një vend tjetër aleat të NATO-s për t’i strehuar. Shqipëria nuk duhet të tregohet më borxhlie ndaj Amerikës sesa Maqedonia e Veriut apo Mal i Zi vende po ashtu të NATO-s që përfitojnë dhe ato nga mbrojtja amerikane. Ky debat demokratik mbi praninë e MEK ne vendin tonë duhet të ishte bërë në parlamentin shqiptar vite më parë dhe jo të vihen shqiptarët para faktit të kryer dy herë, në momentin kur MEK u instalua dhe në momentin sot kur MEK sulmohet nga policia shqiptare. Problemi në Shqipëri për të cilin askush nuk po na ndihmon kur ne vrapojmë të ndihmojmë të tjerët, janë zgjedhjet që kontestohen, është rotacioni politik që nuk po zhvillohet. Ne s’duhet të tolerojmë një tjetër “deal” sekret si ai për strehimin e MEK, por kësaj here në kurriz të demokracisë shqiptare. Një “deal” që do të konsistonte në mbylljen e syve të Perëndimit me në krye SHBA-të ndaj liderëve shqiptarë me metoda anti-demokrate vetëm e vetëm sepse këta u shërbejnë interesave të perëndimorëve të cilat janë në kundërshtim me interesat e shqiptarëve siç është rasti i MEK që po rezulton sot i rrezikshëm për Shqipërinë. Koha e tregoi më në fund, ashtu siç po e vërtetojnë sot deklaratat e amerikanëve dhe të Ramës si kofini pas të vjelave, se strehimi i muxhahedinëve në Shqipëri nuk qe në interes të shqiptarëve. A mban njeri përgjegjësi për këtë sot? Jo vetëm që askush nuk e merr përgjegjësinë pse u strehuan ata dhe pse në këto dhjete vjet nuk pati një kontroll të vetëm në kapanonet e muxhahedinëve në Manzë për të verifikuar nëse ata e respektonin “marrëveshjen”, por përkundrazi pushteti i Ramës na merr sot për budallenj duke i trajtuar muhaxhedinët si të rrezikshëm, thuajse si terrorista tani që amerikanë kanë strategji tjetër me Iranin.
SPAK mos të shndërrohet në drejtësi politike: kur MEK ndëshkohet se ka thënë Vdekje Khomeinit!
Dhe së fundi, SPAK të pushojë së bëri politike. SPAK është në shërbim të drejtësisë dhe jo të pushtetit të Ramës e aq më pak të administratës amerikane. Dhe vetë drejtësia amerikane nuk ka besim tek presidentët amerikanë kur po shohim proceset që po hapen atje. Përse drejtësia jonë vihet në dispozicion të një ekzekutivi të huaj? Amerikanëve mbase nuk u intereson më sot t’I lejojnë muxhahedinët në Shqipëri t’i bëjnë luftë politike dhe kibernetike regjimit diktarorial iranian. Kjo është e drejtë e tyre. Por, nuk i takon SPAK të bëjë politikë e të japë urdhër që muxhahedinët të mos ngacmojnë regjimin Iranian! Ku është parë e dëgjuar një ndërhyrje e tillë nga një drejtësi në një demokraci? Kush prokuror apo gjykatë në Europë do të kish guxuar t’ua ndalonte atyre dhjetëra mijëra opozitarëve anti-regjim iranian t’i bëjnë luftë ne distancë diktaturës iraniane? Kush do të guxonte të ndalonte protestat nëpër sheshe të kryeqyteteve te Europës apo luftën në internet kundra Iranit me slogane poshtë teokracia iraniane, vdekje ajatollahëve? Kush? Kjo është liri e fjalës dhe e shprehjes. Çdo shqiptar, francez, italian, gjerman apo amerikan ka të drejtë të sulmojë ne internet atë diktaturë që ekzekuton të pafajshëm në Iran. Pse SPAK kërkon t’ja mohojë këtë të drejtë iranianëve vetë, atyre që banojnë në Shqipëri? Në aktakuzën prej 5 faqesh të ngritur kundra MEK nga drejtësia në Shqipëri, lexohet midis të tjerash se kjo organizatë akuzohet të ketë shkruajtur në internet “Vdekje Khomeinit”! Qenka krim kjo? Po Presidenti Biden që e trajton Xi Jiping-un e Kinës si diktator, kriminel është? A imagjinohet të arrestohen në Perëndim Ukrainas sepse thonë Vdekje Putinit? Historia do mbajë mend se Shqipëria e Edi Ramës u shndërrua në një parodi drejtësie. i njëjti Edi Rama qe i tregonte para një viti dhëmbët Iranit duke prerë marrëdhëniet diplomatike, sot i tregon dhëmbët opozitës iraniane. Lexohet në aktakuzë se muhaxhedinët kanë shqetësuar Iranin duke hakeruar sitin internet te MPJ së Iranit dhe se Irani është kundërpërgjigjur duke hakeruar sitet e internetit të administratës shqiptare. Por këto kanë ndodhur para një viti, pikërisht atëherë kur Rama dëboi ambasadorin irianian. Pse nuk veproi njëkohësisht asaj kohe Rama dhe SPAK edhe kundra MEK? A janë pra SPAK dhe Gjykata e posaçme për korrupsionin dhe Krimin e organizuar nën urdhra te politikes qe vendosi sot të ndërrojë përqasje ndaj Iranit? Pyetja është legjitime kur konstaton sesi axhenda e Prokurorisë së posaçme shqiptare koincidon me axhendan e administratës Biden për një dialog në këtë moment me Iranin.
Mos të rrimë pa përmendur së fundi, se veprimet e drejtësisë shqiptare në këtë dosje te Iranit janë denoncuar dhe nga Reporterët pa kufi kur botoi në raportin e saj vjetor para disa javësh skandalin sesi prokurorisë shqiptare u urdhëroi mediave të mos publikonin hakerimet e iranianëve.
Si konkluzion, në vend që të merret me gjeopolitikë botërore Rama do të bënte më mire të gjente një model ekonomik serioz për shqiptarët që po lënë vendin, dhe mos të prodhojë në këtë mandat vetëm reforma të padenja, si amnistia fiskale për paranë e pisët, rilegalizim të lojërave të fatit dhe legalizim të kultivimit të kanabisit për tregti. Nuk janë vetëm diktaturat si ajo e Iranit që u marrin frymën popujve, por dhe korrupsioni si ai që është ulur këmbëkryq në Shqipëri dhe që qeveria e lufton me reforma që veçse prodhojnë edhe më shumë korrupsion. Amerikë, a do e ndihmosh vërtetë Shqipërinë apo do vazhdosh ta trajtosh si gur shahu!