VOAL- Fred Aster (Fred Astaire ), pseudonim, pra emër arti i Frederick Austerlitz, lindi në Omaha të Nebraskës (SHBA ) mël 10 maj 1899, pra 110 vjet më parë. Bir i një austriaku të pasur që kishte emigruar në Amerikë, studioi në Alvienne School of Dance e Ned Wayburn School of Dancing. Që i vogël ishte i lidhur me motrën e madhe, Adele, e cila, midis të tjerash, do të ishte partnerja e tij profesionale për më shumë se njëzet e pesë vjet. Në moshë fare të njomë, Fred, nxitur nga një prirje e jashtëzakonshme për kërcimin, mori leksione e mësoi të hedhë hapat e parë themelorë. Sapo e ndjen veten të përgatitur, ai fillon të kërceje në kabare dhe në teatro të shfaqjeve popullore, bashkë me motrën e tij të pandarë Adele.
Talenti i tyre nuk mund të mos vihej re. Vëlla e motër ftohen të marrin pjesë në një film me metrazh të gjatë kur Fred është vetëm pesëmbëdhjetë vjeç. Është pikërisht filmi “Fanchon the Cricket”, një film me aktor kryesor atëherë të famshmen Mary Pickford. Sinonim i baletit dhe i operetave, shfaqjeve muzikore me subjekt komik, atë kohë ishte Broadway, çka pajtohej plotësisht me prirjet artistike të të dyve, në një kohë kur kinemaja ende nuk ishte përhapur në të gjithë kapilarët e shoqërisë si sot. Përgatitën ata kështu një spektakël ku mundën të vinin në pah kapacitetet e tyre, duke bërë numra akrobatikë dhe hapa tejet virtuozë. Opereta e parë që shënon fillimin e karrierës së tyre prestigjioze në teatër është “Over the Top”. Falë kësaj operete, fama e dy kërcimtarëve përhapet gjithandej. Publiku dhe kritika bëjnë garë për të gjetur epitetet më brilantë dhe biletat për të parë shfaqjen shiteshin menjëherë. Ishte vetëm fillimi i një serie të sukseseve të mëdha që do të zgjaste një kohë të gjatë.
Në katërmbëdhjetë vjet të jashtëzakonshëm në Broadway, vëlla e motër Aster ua dhanë vulën sukseseve të operetave (musicals ) më të bukur të autorëve George e Ira Gershwin, midis të cilëve “Lady Be Good” e “Funny Face”. Pas Broadway shumë shfaqje zhvendoseshin në Londër, ku vëlla e motër Aster do të kishin mundësinë të regjistronin edhe këngët më popullore të asaj kohe. Në fakt, është mirë të rikujtohet, Fred Aster jo vetëm ka rinovuar operetat, gjinia më e parapëlqyer e Metro Goldwyn Mayer, me figurën e aktorit këngëtar fhe balerin, por edhe ka qenë një interpretues tejet i veçantë dhe tejet u suksesshëm këngëve me autorë Porter e Gershwin, përveçse aktor i suksesshëm.
Mirëpo në vitin 1931, Adele martohet me Charles Cavendish dhe largohet nga bota e shfaqjeve. Ashtu si shumë yje të teatrit Broadway, Fred Aster thirret ndërkohë në Hollivud, ku interpreton personazhin e vet në filmin e regjisorit Robert Z. Leonard “Vallja e Venerës” (1933), me Joan Crawford e Clark Gable. Atë vit balerini i madh do të ketë partnere të kërcimit Dolores Del Rio e Ginger Rogers në filmin e regjisorit Thornton Freeland “Carioca”. Të gjithë filmat ku merr pjesë Fred Aster janë filma të një suksesi të madh, çka tregon përshtypjen e pamasë që balerini arrin të krijojë te publiku.
Viti 1934 është viti i një miqësie të madhe, të bërë proverbiale, miqësisë me Ginger Rogers. Protagonistë së bashku në disa filma, ata arrijnë një sukses të rrallë me filmin “Kapela cilindër”, një sukses i tillë që mund të konsiderohet pa dyshim kulmi i karrierës së tyre. Bëhet fjalë për një histori sentimentale në të cilën të dy, nga njëri dialog në tjetrin, vërshojnë shfrenueshëm në një seri numrash koreografikë, kaq të mrekullueshëm, kaq të përkryer dhe kaq emocionues saqë nuk mund të mbetej njeri që të mos magjepsej dhe të mos habitej. Bashkë me këtë partnere të jashtëzakonshme, Fred Aster do të udhëtojë nëpër gjithë botën në shumë nga filmat më të famshëm të viteve tridhjetë, që shkojnë nga “Çmenduri dimërore”, “Në ndjekje të flotës”, “Dua të kërcej me ty” dhe “Vërtitje”. Tani çifti është një ikonë e kinemasë, kaq sa nuk do të ishte e nevojshme të përmendeshin me emër e mbiemër: mjafton “Ginger e Fred” e të gjithë e dinë për kë bëhet fjalë.
Një nga filmat më të mirë të interpretuar nga Fred Aster është sigurisht “Spektakël dhe varietè”, xhiruar në vitin 1953 nga një Vincente Minnelli, tejet i frymëzuar, një film i famshëm edhe sepse përmban në vetvete edhe një numër akrobatik të luajtur me Cyd Charisse. Por veprimtaria e balerinit ka qenë më poliedrike se mund të përfytyrohet. Në fakt, përveçse i është përkushtuar kërcimit, ai është marrë edhe me koreografi. Do të mjaftonte të përmendnim “Baba këmbëgjati” dhe “Hirushja në Paris”.
Duke qenë në këtë temë, nuk mund të mos e përmendim faktin se Fred Aster nuk ka fituar kurrë një çmim Oskar me ndonjërin prej filmave të tij të mëdhenj muzikorë, por vetëm një çmim special të Akademisë së Çmimeve (Academy Award ) në vitin 1949. Ai pati marrë edhe një kandidim të çuditshëm si aktori më i mirë joprotagonist për filmin e regjisorit John Guillermin “Ferri i kristaltë”, xhiruar në vitin 1974, pra kur Fred Aster ishte plak 75 vjeç. Pak çmime, fare pak çmime ka marrë Fred Aster, nëse kemi parasysh atë që kritika e thotë me plot gojën se ai ka luajtur një rol të madh në zhvillimin e kërcimit modern sa asnjë balerin tjetër. Është e pamundur ta përfytyrosh, në të vërtetë, kërcimin e Shekullit të Njëzetë pa Fred Asterin. Balerini amerikan bëri revolucion në kërcim duke stilizuar kërcimet me origjinë afro-amerikane falë dhunitve të tij magjike. Në vitin 1980, aktori, balerini, koreografi Fred Aster do të martohej për të tretën herë, tashmë me Robyn Smith. Pas shtatë vjetësh ai do të shuhej përfundimisht në Los Anxhelos, pikërisht më 22 qershor 1987./Elida BUÇPAPAJ