Radio Evropa e Lirë
Liderët e Kosovës dhe Serbisë kanë konfirmuar se do të marrin pjesë në takimin për menaxhimin e krizave, që është thirrur nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 22 qershor tha se të enjten do të takohet me Borrellin në Bruksel, por jo edhe me Kurtin.
“Biseda me të [Kurtin] nuk ka kuptim. Ai na jep leksione për filozofinë, pak për [Adem] Demaçin, pak për [Karl] Marx”, tha Vuçiq.
Një ditë më parë, Kurti ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e Brukselit.
Ai tha se në atë takim do të insistojë “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve [të Kosovës] që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”.
Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha se ka ftuar liderët e Kosovës dhe Serbisë në një takim urgjent në Bruksel, për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën aktuale.
“Kam ftuar liderin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe atë të Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel për takime urgjente për të gjetur një mënyrë për të dalë nga kriza aktuale. Na duhet shtensionim i menjëhershëm i situatës dhe zgjedhje të reja në veri me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës. Këto janë parësore për rajonin dhe BE-në”, shkroi ai në Twitter.
Burimet diplomatike të Radios Evropa e Lirë më herët kanë përmendur edhe mundësinë që Kurti dhe Vuçiq të mos kenë takim direkt por vetëm takime bilaterale me Borrellin.
Që nga fundi i majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën pasi pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët lokalë.
Që atëherë, serbët lokalë kanë protestuar para ndërtesave komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përkeqësuan edhe më tej, pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.
BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tri kërkesa sa i përket tensioneve: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve.
Kurti, ndërkaq, ka paraqitur një plan prej pesë pikash.
Plani pesëpikësh i Kurtit për uljen e tensioneve në veri
- Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët
- Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës
- Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.
- Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri
- Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave
Plani i Kurtit parasheh edhe mbajtjen e zgjedhje. Megjithatë, ai ka thënë se për t’u mbajtur zgjedhje të lira në veri, nevojitet shtet ligjor.