(Fragmente nga libri biografik)
Në shkurt të 1980, gazeta “La Vanguardia” e Barcelonës i paraqiti Sabatos Pyetësorin Proust, bazuar në pyetjet e autorit të “Në kërkim të kohës së humbur”, për t’u përgjigjur me shkrim në një album. Pyetjes se ku dëshironte të jetonte, ky bir emigrantësh kalabrezë iu përgjigj:
«Aty ku jetoj, në tokën time. Ashtu siç është, e pafat, me të meta, është imja. Sepse, aty kam lindur, aty kam qenë fëmijë, aty kam pasur iluzione, aty kam pasur ëndrra për të ndryshuar botën, aty kam dashur, aty kam vuajtur. Sepse, ajo tokë na mëkoi jo vetëm gëzimet dhe virtytet e saj, por, mbi të gjitha, edhe me brengat e pasiguritë e saj.»
Ajo lidhje u këput për Françeskon dhe Xhiovanan para se të agonte shekulli i XX. Dhe mbrapa mbetën ëndrrat që patën, dëshirat për të ndryshuar botën dhe lidhjet e forta familjare. Mbase, me duart e tyre punëtore nuk e kishin prekur dot kurrë lumturinë e vërtetë, mbase, atje, në Kalabri, lumturia për ta qe vetëm e ashpër, e vrazhdë dhe tepër e shkurtër, por pikërisht atje mësuan ç’ishte drita, aroma, shija, tingujt dhe tërë misteret e fëmijërisë.
Françesko Sabatoja kishte lindur në brigjet e detit Tirren, ndërsa e shoqja, Xhiovana Ferraro, në San Martino di Finita, një fshat në Apenine, në rajonin Paola, ku katërqind vjet më parë qe strehuar si refugjat një komunitet shqiptar, i cili kishte ruajtur me xhelozi gjuhën dhe zakonet e veta.
Edhe sot e kësaj dite, banorët e atyre krahinave janë aq shqiptarë sa ç’janë edhe italianë. Ernesto Toçi, stërgjyshja e të cilit ishte kushërira e parë e gjyshes nga nëna e Ernesto Sabatos, është një nga mbrojtësit më të mirë të rrënjëve kulturore të komunitetit shqiptar. Për të treguar forcën shpirtërore të atij populli vital, ai tregon historinë e një profesori shqiptar të lindur në Kalabri, fëmijët e të cilit flisnin shumë mirë shqip, italisht, anglisht dhe frëngjisht. Aty nga fundi i viteve gjashtëdhjetë (shekullit XX) profesori jetonte në Paris, ku jepte kurse të gjuhës dhe letërsisë italiane. Një mbrëmje, kur u kthye nga universiteti, dëgjoi që bijtë e tij bisedonin frëngjisht me njëri-tjetrin. Atëherë, mblodhi familjen dhe duke treguar derën e shtëpisë tha:
– Kjo derë mbyllet jo vetëm për të mos hyrë qentë dhe furtunat, por edhe për të mos dalë prej këtej ajo çka na përket vetëm neve. Nën këtë çati do të flitet vetëm gjuha jonë shqipe. Kurrë mos harroni se jemi shqiptarë.
Profesor Toçi ka hulumtuar historitë e disa banorëve të San Martino di Finita-s, midis tyre edhe të Ferrarëve, paraardhësve të nënës së Ernesto Sábatos, dhe sot përpiqet të rimëkëmbë artezaninë që po zhduket.
«Kam organizuar kurse për të përhapur teknikën e hershme të tjerrjes – tregon Toçi pa e fshehur krenarinë e vet. – Disa shtresa të pajës së nuses stërgjyshërit tanë i bënin duke tjerrë fije gjineshtre, bimë e egër që rritet në krahinën tonë. Tani, kjo aftësi ka humbur. Po ashtu është zhdukur krimbi i mëndafshit: filli i mëndafshit që prodhohej këtu eksportohej në qytetet e lulëzuara të Lukës, Venecias dhe Firences».
Ka mundësi që edhe Xhiovana Ferraro të ketë endur ndonjë çull me fije gjineshtre në pajën e saj. Kjo grua fine, e fliste në mënyrë të përsosur shqipen, të vetmen gjuhë që kishte mësuar në fshat qysh në fëmijëri. Por në Argjentinë, ku duhet të quhej jo Xhiovana po Huana (Juana), me kohë nuk e foli dot më. I ati i Sábatos, përkundrazi, ishte një fshatar i kalabrez, i varfër nga ekonomia dhe edukimi, që nuk dinte gjë për paraardhësit dhe origjinën e tij çifute.
Në një intervistë të botuar në një revistë në Kalabri, para tridhjetë vjetësh, Sabatoja thotë:
«Jam tepër krenar për çfarë unë kam prej shqiptari. Gjithmonë më është dukur e habitshme që një bir italiani, si unë, të ketë të tillë vetëdije për vdekjen.»
Tek «Engjëlli i skëterrës» (Abaddón, el exterminador), romani i tretë i tij, Sabatoja tregon se, kur ai vetë ndodhej në Paris, kërkonte një gramatikë të gjuhës shqipe. Shpesh për të përligjur temperamentin e vet, Sabatoja përmend fjalët e Gijom Apoliner (Guillaume Apollinaire) për popullin shqiptar: «Energji mbinjerëzore dhe prirje për vetëvrasje. Duket gjë e papajtueshme? Sipas meje, kjo është karakteristikë race».
(Në shqip: B. Karabolli)