Kur largohet nga jeta një mik i dashur dhe i shtrenjtë, aq më shumë papritur, ndien dhimbje që nuk mund të përshkruhet, sytë të mbushën me lot, zemra qan, shpirti qan pa zë e me zë. Kështu ndodhi me mua, ky moment trishtues me shkrimtarin e mirënjohur Naum Prifti, që një ditë qershori (ky muaj është quajtur: Qershori i Fëmijëve) iku në amëshim. U kujtova njëherësh për takimet e paharruara me të, bisedat e përzemërta e shpesh këshilluese, rrëfimet gazmore, të qeshurat, barsoletat plot humor e etikë që tregonte, … Nuk e di se çfarë të tregoj më parë…
Takimi i parë më Naumin ishte në një ditë marsi me diell, çuditërisht, te Kafja e Madhe, në qytetin tim. Kur e takova me të në tavolinë ishin edhe shkrimtarët Miço Kallamata e Paulin Selimi. Edhe Miçon e njoha atë paradite kur njoha Naumin. Ishin shokë të ngushtë. Për Paulinin nuk kisha nevojë për prezantim, sepse ishte një nga miqtë e mi më të afërt. Nuk e ndjeva veten të huaj. Më dukej sikur i kisha njohur prej kohësh… Mbaj mend që vinin nga Tropoja. Naumi kishte të bijën mjeke, atje. Kishte shkuar për të bërë përpjekje për ta transferuar në Tiranë. Teksa fliste, një hije brenge i shëtiste në fytyrë. Sikur i kishin premtuar… Besonte dhe nuk besonte. Vajzën e kishte pikë të dobët. Në bisedë e përmendte shpesh. Dhe t’ia largonte sadopak pikëllimin që i shfaqej haptas, shoku i tij i ngushtë Miçoja me humorin fantastik tregonte bukur histori gazmore dhe barsoleta.
Më pas bisedat morën udhë drejt letërsisë, e kryesisht letërsisë shqipe për fëmijë. Ai fliste dhe unë rikujtoja plot tregime dhe përralla të shkruara prej tij mjeshtërisht e plot jetë. E kush mund t’i harronte personazhet-kafshë që shëtisnin në përrallat e Mjeshtrit. Sa bukur rrëfente subjektin, sa fëminore e kuptimplote ishin veprimet e personazheve. Sa botë kishin ato e sa botë i jepnin lexuesit të vogël. Veçanërisht para syve të mi, shfaqej e shëtiste Pika e famshme e Ujit. Një mrekulli në vetvete. Ajo shëtiste para syve të mi dhe për asnjë çast nuk largohej e avullonte. Është talenti i shkrimtarit, që në procesin krijues na dha një krijesë të tillë, që në bisedat tona të ishte “pjesëtare” dhe ajo. Një arritje e tillë, domosdo fliste për vlerat e përrallëtarit Prifti që shokët i kishte të rrallë.
Gjatë bisedës, Naumi më pyeti: “Xhahid, ç’po shkruan?” Iu përgjigja sinqerisht: “Kam një poemë-përrallë me titull “Ujku, dhelpra s’na gënjejnë”, ku në konkursin e revistës “Fatosi” u nderua nga juria me çmim të dytë. Dua të them se, ilustrimet e piktores Dolli Gjinali ishin të përkryera. Nganjëherë funksioni i tyre ishte më edukativ se vargjet e mia të shkruara në monokolonë. E dërgova për botim në Sh. B. “Naim Frashëri”. Recenzentët ma kthyen si të pabotueshme. Bile një shkrimtar me emër, ishte shprehur në recensionin e tij se kishte edhe “gabime ideologjike”. Me të thënë të drejtën, ky shkrimtar me fjalët e tij “ma humbi buzëqeshjen”. Nuk di si t’ia bëj?
Naumi qeshi e më tha: “E ke në çantë krijimin”? “Po, – i thashë”. “Ma sill ta lexoj…” Ia dhashë. Nisi ta lexonte dhe une prisja me ankth çfarë do të thoshte… Pasi e lexoi, përsëri, duke qeshur më tha: “Vërtet qenka e bukur! Gabime ideologjike nuk ka. Ai, recenzenti, e di se kush është, kështu vepron përherë, veçanërisht me shkrimtarët e rinj. Fjalët e tij në recenza janë të idhta e u ngjajnë portave të mbyllura për krijuesit e rinj. Sado të trokasin, nuk hapen. Po ti nuk ke pse të kesh frikë. Vazhdo e puno. Unë të shoh të talentuar. ” Më dha krahë, më ktheu buzëqeshjen e munguar dhe në rrugën e nisur, më tha: “Të mos ndalesh!” Ashtu bëra. Në jetën time si shumë të tjerë, edhe Naum Prifti hyri e mbetet si një rreze që vinte nga dielli i shpirtit të tij të pastër.
I kujtoj këto thërrime kujtimesh që më erdhën të parat në mendje. Këto kujtime, nuk e di pse më ngjanin si parathënie libri. Janë kujtime, për mua, të shtrenjta, por teksa i shkruaja fshihnin dhimbje time. Iku nga jeta shkrimtari më i moshuar i letrave tona shqipe për fëmijë. Ai, që tregimit dhe përrallës për fëmijë i vuri themelet e shëndosha. Nderim! (Në një moment tjetër unë do të flas më gjatë, sepse në projektin e shkrimit tim kam vënë shumë piketa).
Brezat dhe Letërsia shqipe do të kujtojnë dhe përulen me nderim e respekt për pasurinë e vyer që na le me emrin Biblioteka “Naum Prifti”. Dhe shkrimtarët e mëdhenj lënë testamente ndriçuese për kohën. Në rrëfimin e së bijës, lexojmë amanetin e fundit të Naum Priftit: “Në bisedimet e fundit folëm me babanë për një udhëtim në Atdhe këtë verë, pasi ishin hequr kufizimet nga Covid 19. Donim të vizitonim së bashku vendet për të cilat ai kishte shkruar në kujtimet dhe mbresat e tij të shumta. Babai vuri buzën në gaz dhe na tha se tani ishte “i moshuar” ( nuk e donte fjalën ‘plak’) dhe se kishte ardhur koha për të bërë një udhëtim vetëm. Atëhere e kuptuam ku e kishte fjalën. Meqenëse babai nuk na i prishte kurrë dëshirat, ai u mendua pak dhe tha: “Ne mund të udhëtojmë së bashku, por me një ndryshimtë vogël. Unë me Rinën e vura në vend amanetin e vëllait tim, Petet Priftit, për t’ia çuar hirin në Shqipëri. Ju mund ta merrni një pjesë të hirit tim atje dhe, në çdo vend që të shkoni, ne do të udhëtojmë bashkë. Pjesën tjetër do ta lini këtu, se dua të jem përgjithmonë në “Cypress Hill” pranë Erit, nipit të dashur.”