Bazuar në urdhrit nr.507, datës 7.4.1969 të ministrit të Punëve të Brendshme; “Mbi funksionet dhe detyrat e organeve dhe reparteve të MPB-së, në kohë lufte”, Punëtorëve Operativë, nuk u lejohej njohja, me masat dhe gatishmërinë, për të spastruar zonat nga “elementët e rrezikshëm armiq”, por u lejohej pjesëmarrja, në studimin e “personave armiq”, për të caktuar në listat përkatëse objektet që ndjekin dhe kanë në evidencë.
Listat, mbaheshin në një ekzemplar vetëm nga kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, në dosjen e gatishmërisë dhe si të tilla, nuk pasqyroheshin në dokumente të tjera. Çdo kryetar Dege, hapte zarfin e kodifikuar për kohë lufte dhe urdhëronte likuidimin e elementit kundërshtar, brenda rrethit ku kishte juridiksionin e tij.
Kategoria e personave që bënte pjesë në listën nr.1 ekzekutohej. Ata të listës nr.2, internoheshin ose, burgoseshin në vende të posaçme, me llogarinë për t’i përdorur si robër lufte. Përveç numrit, lista kishin edhe germat identifikuese. Referimi në akte për të mos kuptuar gjë, bëhej në formën e mëposhtme:
-Seria “C”, lista 1, “element armik në gjendje në lirë”
-Seria “D”, lista 2, “element armik në gjendje në lirë”
-Seria “DH”, lista 1, “element armik” në kampe e burgje
-Seria “E”, lista 2, “element armik” në kampe e burgje
Në fillim të viteve ’60-të, përllogariteshin për t’u ekzekutuar menjëherë në rast pushtimi të Shqipërisë, rreth 1 mijë persona dhe rreth 3-4 mijë, në gjendje të lire, do të burgoseshin.
Nga kampet e burgjet, Burreli e Spaçi, zinin vendin më të madh. Rrethet që kryesonin listën ishin: Tirana, Shkodra, Korça, Elbasani, Vlora, Fieri, Dibra.
Bazuar në direktivat për veprimet e organeve të MPB-së në kohë lufte, ministri i Punëve të Brendshme, nxori urdhra e udhëzime për personat që duhej të bënin pjesë në listat nr.1, nr.2 dhe nr.3. Referuar urdhrit nr.01-699, datë 14.7.1972 dhe atij nr.120, datë 8.5.1980, “Për kuptimin, kategorizimin dhe evidencimin e elementit armik, me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, për kohë lufte”, përcaktoheshin këto parime:
-“Elementë armiq me rrezikshmëri të theksuar shoqërore”, konsideroheshin ata persona që në të kaluarën dhe atë çast, zhvillonin “veprimtari të mprehtë armiqësore”, si dhe pjesëtarët e familjeve të tyre, për të cilët gjykohej se në një situatë të jashtëzakonshme, paraqisnin rrezikshmëri aktivizimi.
-“Veprimtari e mprehtë armiqësore”, konsiderohej: spiunazhi, terrori, diversioni, pjesëmarrja në organizata kriminale, grupe antiparti, komplote, puç ushtarak, etj. Studimi i “përcaktimit të elementit armik me rrezikshmëri të theksuar shoqërore”, konsiderohej; “veprim me karakter të thellë politik”, në zbatim të vijës së PPSH-së. Studimi dhe kategorizimi bëhej nga kryetari, zëvendëskryetari, shefi i sektorit të përgjithshëm, shefi i seksionit të Sigurimit dhe Punëtori Operativ. Në fund, i jepeshin për mendim, sekretarit të parë të Komitetit të PPSH-së së Rrethit.
Evidencimi në lista, bëhej në dy ekzemplarë dhe dërgohej në Drejtorinë e Parë të Sigurimit të Shtetit, e cila përgatiste praktikën, për miratim nga ministri. Pas miratimit, një ekzemplar i dërgohej Degës së Punëve të Brendshme, ndërsa tjetrin, e mbante drejtoria në fjalë.
Lista punohej në vazhdimësi, bëheshin shtesa ose hiqeshin emra, sipas së njëjtës procedurë. Kategorizimi i listave nr.1 e nr.2, në kampe e burgje, bëhej nga kryetari, zëvendëskryetar i Degës së Punëve të Brendshme dhe Operativi i vendit, ku buhej dënimi.
Lista nr.1 përbëhej nga:
Elementë të deklasuar, ish çifligarë, bejlerë, agallarë, bajraktarë, tregtarë të mëdhenj, pronarë fabrikash, etj.
-Oficerë të lartë të kohës së Zogut dhe të Luftës.
-Kuadro të shërbimeve sekrete.
-Agjentët e kohës së luftës.
-Drejtues të organizatave të Ballit Kombëtar, Legalitetit, Socialdemokrate (Musine Kokalari), “Grupit të Deputetëve”, “Grupit tekniko-intelektual”, “Bashkimit Shqiptar”, “Komitetit të Maleve”, “Frontit të Rezistencës”, “Silogut Vorio-Epirot”, si dhe pjesëtarët të familjeve të tyre.
-Kuadro të zbulimeve të huaja.
-Të riatdhesuarit që kishin kaluar në kurse e shkolla zbulimi.
-Agjentë të zbulimeve amerikane, sovjetike, angleze, italiane, greke, jugosllave, etj.
-Elementi antiparti dhe pjesëtarët të familjeve të tyre (p.sh. Liri Belishova, Pandi Kristo, Koço Tashko, Todi Lubonja, etj.)
-“Elementi armik”, në përpunim për veprimtari të mprehtë armiqësore për spiunazh, terror, diversion, organizim, etj., kur kjo dilte e provuar.
-Të dënuarit politikë, me rrezikshmëri të theksuar.
(Nga grupet e sipërme, përjashtoheshin ata që kishin ndihmuar Luftën ose ndenjur indiferent gjatë saj, por mbanin qëndrim të mirë pas lufte)
Lista nr.2 përbëhej nga:
-Pjesëtarë të familjeve që “kanë tradhtuar atdheun” dhe shërbenin si kuadro aktive të zbulimeve armike.
-Familjarë të të arratisurve, që kishin vepruar si “diversantë”.
-Elementë që kishin strehuar e ndihmuar “diversantë”.
-Të gjithë të dënuarit, për krime kundër shtetit, e pa aktivitet armiqësor.
-Familjarë të personave të pushkatuar, për arsye politike.
-Të dënuarit për krime kundër shtetit, por edhe të tjera të një shkalle më të vogël.
Lista nr.3 përbëhej nga:
-Të dënuar që nuk përfshiheshin në listat nr.1 e nr.2
Për të maskuar korrespodencën, lista nr.1, quhej “C”, lista nr.2 quhej “D”. Për “elementin armik, në kampe e burgje për listat 1, 2,3, përdorej maskimi “DH”, “E”,“F”.
Veprimet me listat nr.1 dhe nr.2, parashikoheshin të bëheshin natën. Llogaritej koha e nevojshme për kryerjen e arrestimeve në nivel zone, lagje, qyteti dhe rrethi, si dhe mënyrën e sigurimit dhe shoqërimit të elementeve të kategorizuar nga vendi i arrestimit, në qendrën e zones, e deri ne qendrën e përgjithshme të rrethit, duke parashikuar variantin me automjete e me këmbë.
Për zbatimin e tyre, do vepronin grupet operative për kapjen, shoqërimin dhe sigurimin e “elementit armik”, me bazë zone, lagje dhe qytete të vogla.
Në bazë të direktivës, “Mbi funksionet dhe detyrat e forcave të armatosura të MPB-së për kohë lufte”, ministrit i Punëve të Brendshme, nxori udhëzimin udhëzimi nr.01-38, datë 22.11.1982, “Për spastrimin e zonës në situatë lufte, nga elementët armiq me rrezikshmëri të theksuar”, sipas së cilës, në rast agresioni të armatosur nga jashtë, urdhri për veprim me listat nr.1 e nr.2, jepet me shkrim, vetëm nga ministri me miratim të Këshillit të Mbrojtjes. Kur ishte e pamundur, urdhri transmetohej me shifër.
Me marrjen e urdhrin, kryetari i Degës së Punëve të Brendshme (ose zëvendësi kur mungonte ky) hapte plikon e posaçme dhe vijonte zbatimin e porosive. Punëtorët Operativë të Sigurimit të Shtetit, ishin përgjegjësit e parë për arrestimet, duke pasur njohje fizike të elementëve në fjalë, të cilët i çonin në vendin e caktuar të përqendrimit.
Udhëzimi vijues “Për mënyrën e veprimit të kryetarit të degës së punëve të brendshme me marrjen e urdhrit nëpërmjet shifrës shtetërore për spastrimin e zonës në situatë lufte nga elementët armiq me rrezikshmëri të theksuar”, përcaktonte mënyrën e veprimit. Ministri, paraqitej me pseudonim “Erzeni 444”, ndërsa Kryetari i Degës, “Shkumbini 555”.
Urdhri që i vinte kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme, nga ministri me shkrim, apo telegram, ishte parullë me kuptim të marrë vesh më parë. Ja rastet e parullave:
-“Sateliti doli nga kozmosi”. Sapo merrte këtë kryetari i Degës, merrte masat për ekzekutimin e personave, që bënin pjesë në listën nr.1.
-“Raketa kozmike u shkatërrua”. Jepej në rastet kur ekzekutimi i listës nr.1 ishte bërë.
-“Prova doli me sukses”. Ishte parulla me të cilën, kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, njoftonte ministrin për përfundimin e detyrës./Memorie.al