Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka biseduar me serbët nga Kosova lidhur me situatën aktuale në Kosovë. Ata e kanë informuan presidentin serb se do të vazhdojnë protestat e tyre në veri, raporton transmetuesi publik serb, RTS.
Përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – thanë pas takimit se shkuan në Beograd për të informuar Vuçiqin lidhur me situatën “jashtëzakonisht të vështirë” jo vetëm në veri, por edhe në jug të lumit Ibër.
Vetë Vuçiq kishte paralajmëruar se do të takohej me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova nga 9 deri më 12 qershor.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se solli me vete video që, sipas tij, shfaqnin qartë arrestimin e Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq. Rakiq tha se këta dy persona, që janë arrestuar nga autoritetet në Kosovë, nuk kanë kërcënuar askënd, veçmas ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Kjo parti ka kërkuar lirimin e dy serbëve të arrestuar.
Ai po ashtu përsëriti kërkesat që ia ka parashtruar të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe atij evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të miratohet sa më shpejt që të jetë e mundur si dhe statuti për Asociacionin duhet të miratohet nga Beogradi, Prishtina dhe BE-ja, sepse blloku evropian është garantues dhe nënshkrues i marrëveshjes.
Ndërkaq, kërkesa e tretë e Listës Serbe, sipas Rakiq është tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale në veri të Kosovës.
Ndërkaq, ish-kreu i komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq, tha se ata janë në favor të shtensionimit të situatës, të një zgjidhjeje paqësore dhe arritjen e kompromiseve, por po ashtu, sipas tij, informuan Vuçiqin se serbët lokalë në Kosovë po vazhdojnë protestat.
“Ne informuan presidentin se po vazhdojmë protestat paqësore dhe demokratike. Sot është dita e 17-të e protestave. Qytetarët tanë po qëndrojnë 24 orë në ditë për të luftuar për të drejtat e tyre legjitime, ligjore dhe të drejtat themelore të njeriut”, tha Milloviq.
Që nga 26 maji, në komunat në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hyn në ndërtesat komunale me asistimin e policisë, pavarësisht kundërshtimit të serbëve lokalë.
Më 29 maj, tensionet kulmuan me përleshjet mes protestuesve dhe ushtarëve të KFOR-it në Zveçan. Dhjetëra persona u lënduan nga të dyja palët.
SHBA-ja dhe BE-ja i kanë paraqitur tri kërkesa kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me situatën në veri: qetësimin e situatës në komunat veriore, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe kthimin në dialogun për normalizim të raporteve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga blloku evropian.
Kurti, ndërkaq, ka thënë se ka ofruar një “dalje të qëndrueshme dhe të sigurt” nga kriza në veri. Ai ka thënë se “grupet kriminale”, që sipas tij, mbështeten nga Beogradi dhe po organizojnë protestat në veri, duhet të përballen me drejtësinë ose të kthehen në Serbi. Po ashtu, ai ka thënë se është i hapur që të organizojë zgjedhje të reja në veri, por fillimisht duhet të ndërpriten trazirat, e më pas Kosova do të zvogëlojë praninë e policisë në ndërtesat komunale.
“Pra, po zgjedhje të reja, zgjedhje të parakohshme, por pas sundimit të ligjit dhe pas përgatitjes së terrenit”, ka deklaruar Kurti më 7 qershor.
Po atë ditë, Escobar kanë deklaruar se Vuçiq e ka siguruar Uashingtonin se do të shfrytëzojë ndikimin e tij për të bindur komunitetin serb në veri të Kosovës që të marrë pjesë në zgjedhjet eventuale.
Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, të banuara me shumicë serbe, u zgjodhën në zgjedhjet e 23 prillit. Votimet u bojkotuan nga partitë serbe dhe popullata lokale serbe. rel