Vit pas viti, diferencat në zhvillimin rajonal të vendit po thellohen, duke rrënuar perspektivën e qarqeve, edhe pse burimet natyrore ofrojnë mundësi. Nga viti 2016 deri në vitin 2021,
Qarku i Tiranës ka rritur më tej peshën e saj në ekonominë kombëtare. Durrësi është pothuajse në vendnumëro dhe 10 qarqet e tjera kanë pësuar rënie të kontributit në ekonominë e përgjithshme. Në vitin 2021, standardet e jetesës në Kukës ishin më pak se gjysma e kryeqytetasve. Demografia dhe ekonomia e qarqeve kanë rënë në rreth vicioz. Vit pas viti, rajonet shpopullohen me shpejtësi, kryesisht nga mundësitë e kufizuara ekonomike. Nga ana tjetër, tkurrja e popullsisë bëhet pengesë për zhvillimin e mëtejshëm. Ekspertët këshillojnë qeverinë të ndajë me drejtësi burimet financiare dhe projektet e zhvillimit për rajonet, shkruan Blerina Hoxha
Kur shikon burimet natyrore të Shqipërisë nga Veriu në Jug, me male të larta, lumenj të egër, nëntokë të pasur dhe një vijë të gjatë bregdetare, edhe fshati më i thellë i vendit duhet të ishte i begatë, por jo.
Fshatrat e Shqipërisë, në pjesën më të madhe, janë kthyer në rrënoja nga shpopullimi, por edhe qytetet e mëdha po zbrazen me shpejtësi. Lëvizjet demografike kanë sjellë përqendrim të popullsisë në Tiranë dhe Durrës, teksa pas këtyre zhvillimeve, shihet se vit pas viti po rritet pabarazia ekonomike ndërmjet rajoneve.
Në vitin 2021, ekonomia e Qarkut të Tiranës kontribuoi me 44% të Prodhimit të Brendshëm Kombëtar, nga 40 që ishte në vitin 2016. Teksa pesha e kryeqytetit në ekonominë kombëtare po vjen në rritje të shpejtë, kontributi i qarqeve është në rënie, duke sinjalizuar rritje të mëtejshme të pabarazisë.
PBB-ja në Rajonin e Veriut që ka në përbërje 5 qarqe, Dibrën, Durrësin, Kukësin, Lezhën dhe Shkodrën arriti në 415,2 miliardë lekë më 2021, sa 22,3% e totalit të PBB-së kombëtare, duke shënuar rënie vjetore me 0.2%.
Ecuri të ngjashme kishte edhe ekonomia e Rajonit të Jugut me qarqet Berat, Fier, Gjirokastër, Korçë, Vlorë.
INSTAT referoi se më 2021, PBB-ja e Rajonit të Jugut arriti në 504 miliardë lekë, duke kontribuar me 27,2% të ekonomisë kombëtare. Pesha e këtij Rajoni, në ekonominë e përgjithshme, ra me 0.5% krahasuar me vitin 2020.
Në Rajonin e Qendrës, ku bëjnë pjesë vetëm qarqet Elbasan dhe Tiranë, vlera e prodhimit arriti në 936 miliardë lekë më 2021, duke zënë 50.4% të ekonomisë kombëtare. Pesha e rajonit të Qendrës në ekonominë e përgjithshme u rrit me 0.6% brenda një viti.
Agron Haxhimali, nga Instituti për Bashkitë Shqiptare, tha se, pabarazia në rritje në qarqet e vendit vjen për shkak të mungesës së një vizioni për të sotmen, të nesërmen e afërt dhe të largët nga politika dhe pushteti.
Ai shtoi se investimet kanë qenë jo eficiente dhe nuk kanë sjellë ndikimin e duhur për qytetarët dhe nuk patën rol tërheqës për biznesin vendës, rajonal apo kombëtar dhe aspak për atë ndërkombëtar.
Migrimi në shkallë të madhe, gjithashtu, ka krijuar vakuume të mëdha në krahun e punës dhe në burime njerëzore, njohuri dhe kapacitete që pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm të qarqeve.
Në vitin 2021, PBB-ja për frymë në Tiranë u rrit me 13% në 886 mijë lekë për frymë, ose 34% mbi mesataren e vendit. Në anën tjetër, në qarkun më të varfër të vendit, Kukësi e kishte PBB-në për frymë 395 mijë lekë, duke shënuar rritje në terma nominalë me 8,74%, krahasuar me vitin 2020. PBB për frymë e këtij qarku ishte sa 59% e mesatares kombëtare.
Ana Beqo, nga Qendra Altax, vuri në dukje se, të ardhurat për frymë në rajonet gjeografike dhe ekonomike të vendit kanë disproporcion të ndjeshëm midis tyre.
Këto të dhëna duhet të shërbejnë për zbatimin e programeve të zhvillimit të qëndrueshëm dhe cilësinë e jetës së popullsisë në vijimësi.
Reforma e decentralizimit, e cila u miratua dhe hyri në fuqi në vitin 2014, që synonte, mbi të gjitha, përmirësimin e cilësisë së jetës në nivel bashkie, duket se ka ndikuar për të kundërtën.
Banka Botërore vuri në dukje në një publikim të fundit se, shumica e autoriteteve vendore kanë rezultuar të paaftë për të rritur kapacitetin operacional dhe financiar, për të menaxhuar dhe për të ofruar shërbime në mënyrë vazhdueshme.
Rezultati ishte mungesa e shërbimeve dhe cilësia e ulët e tyre. Mangësitë në koordinim me pushtetin qendror, mungesa e standardeve dhe mekanizmave të llogaridhënies kanë ndihmuar në vazhdimësinë e këtyre mangësive, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë negativ në kapitalin njerëzor, mjedisin dhe mundësitë ekonomike të njësive lokale në Shqipëri, theksoi Banka.
Ashtu si edhe ekonomia kombëtare nuk e ka një model të qartë mbi të cilin duhet të zhvillohet në afatgjatë, modelet rajonale janë koncepte të hershme për Shqipërinë.
Koha nuk pret, pasi popullsia e Shqipërisë po tkurret pikërisht nga mungesa e aftësive për të përmirësuar pasuritë dhe burimet natyrore në të mirë të komuniteteve./MONITOR