Zoti Kryeministër,
Në një demokraci çdo mendim duhet dëgjuar. Propozimi juaj për të ndërmjetësuar midis Kosovës, Serbisë dhe Miqve Perëndimorë të Kosovës nuk ka përse të bëjë përjashtim , ndaj duhet dëgjuar dhe me shumë vemendje biles.
Ju propozoni pikërisht atë që personalisht si ndjekës i vemendshëm i situatës kërkoja me ngulm në disa shkrime të fundit mbi Kosovën se përse nuk i propozohet Kosovës një Draft për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe në Kosovë, një pikë ngecje që armiqëson përtej Kosovës me Serbinë , Kosovën me Perëndimin.
“Bujrum” ! Paraqiteni draftin por duke marrë parasysh dy kushte kardinale:
- Të japë Garanci ndërkombëtare Hartuesi i Draftit së Asociacionit se Veriu i Kosovës me shumicë serbe nuk do të lejohet kurrë të bëjë shkëputje “de jure” ose “de facto”, siç i ndodhi Qipros, Bosnie- Hercegovinës apo dhe Ukrainës në Donbas ku marrëveshjet Minsk 1 dhe 2 , të njëjta si me Asociacionin në Kosovë, nuk e shmangën luftën.
- Kushti i dytë të jetë që Drafti juaj i Asociaconit t’i nënshtrohet me Referendum vullnetit të popullit të Kosovës, siç u veprua me Brexit-in apo Traktatin e Lisbonës.
Këtu i ka limitet përçapja juaj megjithë paraqitjen për të ndihmuar palët që ju i mvishni asaj.
Asnjë Fuqi perëndimore nuk do ta plotësonte kushtin e dhënies së garancive se me Draftin tuaj të Asociacionit, nuk do t’i lejohet kurrë Serbisë të vërë dorë mbi Veriun e Kosovës “de facto” apo “de jure”. Historia ka treguar se edhe atëhere kur Perëndimi e dha një garanci të tillë ndërkombëtare, i famshmi Memorandum i Budapestit të 1994 që i garantonte sigurinë Urkainës nëse ajo hiqte dorë nga arma bërthamore , as dy dekada më vonë ai premtim u harrua… C’do të ndodhë me Asociacionin pas dy dekadash në Kosove? Dikush ne kete bote mund te jape garanci?
Shkurt, nxirre Draftin, Garantoje , hidhe në Referendum ! Të paktën, të shpëtojnë faqen , formën demokratike të marrjes së këtij vendimi kompleks për Kosovarët në pamundësi të shpëtojne një ditë thelbësoren, Veriun e tyre…