Nga këndvështrimi i analistëve ndërkombëtarë, situata në veri të vendit cilësohet e dirigjuar nga Beogradi.
Kështu thotë edhe politologu Kurt Bassuener, i cili është marrë me zhvillimet në Ballkan për një kohë të gjatë. Ai thotë se themelimi i Asociacionit ka për qëllim ta fuqizojë Beogradin, në mënyrë që nëpërmjet tij si instrument, ta mbajë nën kontroll tensionimin dhe shtensionimim e situatës.
Politologu Kurt Bassuener është bashkëthemelues dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit të Politikave të Demokratizimit, me qendër në Berlin, i themeluar në vitin 2005.
Gjatë studimeve, ai është marrë kryesisht me zhvillimet në Ballkan, përkatësisht në Bosnjë dhe Në Maqedoninë e Veriut. Për zhvillimet në Kosovë, Bassuener thotë se ajo çka ndodhi në Zveçan, origjinën e ka në Beograd, raporton RTKlive.
Ndërkohë Asociacionin, Bassauener e sheh të paqartë aktualisht, por sipas tij, qëllimi i Serbisë është që nëpërmjet asociacionit ta kontrollojë veriun e Kosovës, në mënyrë që nëpërmjet tij të rrisë dhe të ulë tensionet.
‘Është e qartë se diçka e koordinuar si dhuna në Zveçan kundër trupave të KFOR-it ka qenë e drejtuar nga Beogradi, nuk ka ndonjë dyshim për këtë, sepse ka shumë dëshmi që shpien në atë drejtim. Marrë parasysh edhe tentimin për t`i përsëritur zgjedhjet në ato komuna, kjo është një përpjekje të cilën Perëndimi po e mbështet për t`i dhënë Serbisë një ripërpjekje përmes Listës Serbe në zgjedhjet në të cilat nuk kanë marrë pjesë. Sa i përket Asociacionit, është i ngjashëm në disa mënyra me Republikën Serbe ose mund të jetë, është ende e padefinuar. Ajo çfarë dëshiron Serbia është e qartë se janë shtigjet për të kontrolluar përtej Ibrit si reagues konflikti për t`i ulur dhe rritur tensionet sipas dëshirës. Dhe kjo është diçka për të cilën Prishtina duhet të jetë mjaft e shqetësuar’, tha ai.
Bassuener thotë se Perëndimi po ndërton politika për ta kënaqur Serbinë, që ta përfitojë si aleat kundër Rusisë.
“Ka edhe modele të tjera të cilat nuk janë diskutuar, por ajo që unë shoh si më shqetësuesen për këtë situatë është që Perëndimi nuk po u adresohet publikut në Kosovë dhe Serbi, dhe është plotësisht i koncentruar në liderët e këtyre dy vendeve. Për të arritur një marrëveshje, edhe mund t`u drejtohet kështu, por nëse argumenti i Perëndimit është që kjo është për demokraci , atëherë do të ishte mirë të dëgjonim diçka për demonstratën kundër dhunës në Beograd, si dhe për dhunën që ka ndodhur në Zveçan dhe prej nga ka ardhur. Fatkeqësisht Perëndimi ende mbetet i përkushtuar në përpjekjet për të ndërtuar politika duke e kënaqur Serbinë, deri në përpjekje që ta rifitojnë nga kundërshtarët gjeopolitikë, posaçërisht Rusisë dhe mendoj se ky do të jetë qëllimi’, tha ai.