Rakiq dhe Simiq me protestuesit në Zveçan
Në mëngjesin e së hënës, para objektit komunal të Zveçanit janë parë edhe kryetari dhe nënkryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Igor Simiq.
Ata kanë qenë prezentë edhe përgjatë javës së kaluar në protesta.
Të dy i kanë bërë thirrje të vazhdueshme pjesëtarëve të KFOR-it që të jenë garantuesit e vetëm të sigurisë në atë pjesë, dhe që të mos ketë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – i ka bojkotuar zgjedhjet e prillit për kryetarë të komunave në veri.
Ajo, po ashtu, u ka bërë thirrje edhe qytetarëve që të mos dalin në zgjedhje.
Escobar dhe Lajçak për vizitë në Kosovë e Serbi
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak do të zhvillojnë takime me krerë të lartë shtetërorë në Prishtinë dhe Beograd, më 5 dhe 6 qershor.
Zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ka thënë se takimi mes tij dhe diplomatëve të huaj do të nisë në orën 20:00 në ndërtesën e Qeverisë.
Një ditë më parë, Escobar ka thënë për BBC-në se tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të shmangshme, dhe u ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të marrë hapa drejt uljes të tensioneve.
Në mesin e kërkesave të përmendura për Qeverinë e Kosovës ka qenë që kryetarët e rinj shqiptarë të mos shkojnë në ndërtesat komunale, dhe që të tërhiqen forcat e Policisë së Kosovës nga ato ndërtesa.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë në Zveçan raporton se afër ndërtesës së kësaj komune shihet një numër i vogël protestuesish, në krahasim me ditët paraprake.
Serbët lokalë janë duke mbajtur atje protesta rregullisht, prej 29 majit.
Disa burime të REL-it kanë thënë se është bërë thirrje për një protestë masive në paraditen e së hënës në Zveçan, por deri më tani atje nuk vërehet fluks i madh protestuesish.