Demonstratat masive në Beograd dhe reagimet e qeverisë Vuçiç ndaj tyre, tregojnë se Serbia mund të jetë në prag të një revolucioni politik. Pas vitesh nën kontrollin shtrëngues të regjimit, korrupsionit masiv të zyrtarëve dhe gjuhës së vazhdueshme të urrejtjes në media, populli serb po zgjohet nga hutimi.
Megjithatë, rezultatet e revoltës paqësore popullore mbeten të pasigurta dhe mund të përshkallëzojnë dhunën si në Serbi ashtu edhe në rajon.
Protestat masive në Serbi kundër regjimit të Vuçiçit shprehin një ndjenjë të thellë kundërshtie ndaj politikave shtetërore që pengojnë përparimin e vendit. Qytetarët e Serbisë kanë një mundësi historike për të organizuar një revolucion demokratik duke mbajtur zgjedhje, por votimi duhet të jetë plotësisht i lirë dhe i drejtë, me akses të barabartë në media për të gjitha palët dhe monitorim të gjerë ndërkombëtar.
Për më tepër, nga thjesht një mënyrë për të shprehur ankesat anti-qeveritare tubimet popullore duhet të kthehen në një program konkret politik të një lidershipi koherent kombëtar.
Zhvillimet e tanishme mund të vijojnë të jenë paqësore ose mund të kthehen në të dhunshme, në varësi të faktit nëse Vuçiç është i gatshëm të sakrifikojë njerëz për pushtetin e vet. Në revolucionet demokratike paqësore, këmbëngulja e popullit për dorëheqjen e regjimit intensifikohet, numri i mbështetësve rritet në mbarë vendin, forcat e rendit nuk janë të gatshme të sulmojnë civilët e paarmatosur, kështu qeveria tërhiqet dhe bën thirrje për zgjedhje.
Revolucione të tilla demokratike kundër intensifikimit të autoritarizmit dhe manipulimit elektoral shpesh fillojnë në mënyrë spontane, ndërkohë që grupet qytetare dhe lëvizjet politike luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në kanalizimin e ankesave të popullit ndaj regjimit të diskredituar.
Rezultati përfundimtar i këtyre revolucioneve, me kalimin e kohës, mund të zbehet apo edhe të përmbyset, por, gjithsesi, të tilla revolucione ngjallin shpresë se fraksione më të gjerë të shoqërisë mund të kenë një zë në procesin politik.
Serbia përjetoi një kryengritje të tillë popullore gjatë “revolucionit të buldozerit”, i cili, në tetor të 2000-it rezultoi në zëvendësimin e Millosheviçit, por që atëhere arritjet janë shuar.
Qeveria Vuçiç mund të përpiqet për shterrimin dhe shpërndarjen e protestave, por nëse ato zgjerohen me kërkesa politike konkrete, nuk përjashtohet as skenari i dhunshëm. Kjo ka gjasa më të larta të ndodhë në rast se regjimi refuzon të përgatitet për zgjedhje ku ka konkurrencë dhe ruan mbështetjen e aparatit të sigurisë.
Me organizimin e mitingjeve massive, që i ngjajnë atyre të kohës kur punëtorët merrnin pjesë me detyrim, Vuçiç po përpiqet dëshpërimisht të tregojë se gëzon ende popullaritet. Ai gjithashtu po nxit armiqësi dhe po përpiqet të diskreditojë opozitën demokratike duke pretenduar se pas protestave qëndrojnë “shërbimet e huaja të inteligjencës”.
Mitingjet e Vuçiçit mund të fillojnë t’i ngjajnë mitingjeve të Millosheviçit në fillimin e viteve 1990, kur fjalimet zemërake nxitën ndarjet etnike që kontribuan në shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë dhe vrasjet masive të civilëve.
Beogradi ka në posedim një sërë mjetesh për të provokuar konflikte brenda Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës dhe për të mobilizuar popullin kundër armiqve të huaj të supozuar.
Dhuna shkaktuar, së fundmi, nga bandat e organizuara kundër policisë së Kosovës dhe trupave të NATO-s në Kosovën veriore mund të jetë parashtresë e një konflikti më të gjerë të krijuar nga Beogradi, nëse Vuçiç merr një përgjigje të dobët nga Uashingtoni dhe Brukseli.
Moska gjithashtu do të kishte rolin e vet në krizën që po shpaloset. Për zyrtarët rusë, revolucionet popullore janë fenomen negativ i imponuar nga shërbimet speciale amerikane. Dhe nëse ata kanë gjasa të kulmojnë me reforma demokratike dhe integrim perëndimor, atëherë kryengritja paqësore duhet të shuhet në mënyrë që Kremlini të mos humbasë një tjetër aleat.
Çdo qeveri që është miqësore me Rusinë dhe sfidohet nga një opozitë popullore e përhapur, shihet, automatikisht, si viktimë e “Perëndimit kolektiv” dhe duhet të ndihmohet për t’u mbajtur në pushtet.
Shërbimet ruse dhe suportuesit e tyre lokalë, duke përfshirë grupe të ndryshme nacionaliste radikale, mund të organizojnë provokime për të destabilizuar vendin. Kaosi i brendshëm në Serbi dhe konfliktet e armatosura në Kosovë, Bosnjë dhe Mal të Zi do të ishin zgjidhja e dytë më e preferuar për Kremlinin, në rast se regjimi në Beograd rrezikon të zëvendësohet.
Kjo gjithashtu do të ndihmonte në largimin e vëmendjes nga lufta e dështuar e Moskës në Ukrainë dhe përshkallëzimi i trazirave të brendshme në Rusi.
Për të parandaluar një spirale dhune në rajon, Uashingtoni duhet të japë një mesazh të qartë: duhet të deklarojë se ai i mbështet aspiratat e popullit serb dhe se do të mbrojë të pacënuar integritetin e fqinjëve të Serbisë. Mbështetja e fortë ndërkombëtare për zgjedhje të ndershme në Serbi mund të ndihmojë në krijimin e një qeverie properëndimore që do të ndërpriste lidhjet korruptive të Beogradit me Moskën dhe do të revokonte çdo ambicie të tij ekspansioniste në rajon.
Pa një revolucion të suksesshëm demokratik në Serbi, Ballkani do të përballet me perspektivën e përshkallëzimit, që nuk mund të depërshkallëzohet më.
https://gazetadita.al/analiza-e-bugajskit-ne-dita-ku-do-ta-cojne-rajonin-demonstratat-masive-ne-beograd-dhe-dhuna-ne-kosove/