Duket se qytetarë serbë në Zveçan nuk po heqin dorë nga protesta. Ata kanë nisur të grumbullohen që nga orët e para të mëngjesit, por në numër më të vogël se dje.
Punonjësit e Autoritetit të Përkohshëm të Komunës së Zveçanit, që funksionon nën sistemin e Serbisë, janë duke u regjistruar në listën e të punësuarve që është vendosur në një tavolinë, si dëshmi “që vijnë në punë”, raporton gazetarja e Radios Evropa e Lirë atje.
Forcat e KFOR-it janë të dislokuara në të gjithë Zveçanin dhe kështu kanë qenë edhe gjatë natës.
Lidhur me protestat e dhunshme të ditëve ka reaguar dje edhekomandanti i KFOR-it, Angelo Michelle Ristuccia, i cili ka komentuar zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, ku ka theksuar se po të mos ndërhynte KFOR-i “tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit”.
Ristuccia shtoi se në Zveçan ka pasur njerëz që me qëllim kanë nxitur turmën e banorëve serbë.
“Në sheshin në Zveçan ka pasur profesionistë të protestës të cilët me dashje kanë nxitur turmën”, ka thënë ai për gazetën italiane “La Repubblica”.
Ai foli edhe për ushtarët e KFOR-it që pësuan lëndime gjatë konfrontimit me protestuesit e dhunshëm.
“Siç e dini, tridhjetë ushtarë të KFOR-it, 19 hungarezë dhe 11 italianë, pësuan një sulm frikacak gueril urban të hënën më 29 maj. Jam shumë pranë tyre dhe familjeve të tyre. Nëntë nga italianët janë në strukturën spitalore të bazës Camp Villaggio Italia, një është i shtruar në një strukturë në Prishtinë dhe një tjetër në Shkup. Mund të them se asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën, do të shërohen shpejt”, ka thënë ai.
Ai është pyetur edhe për mercenarët rus, pjesëtarët e Brigadës Ëagner, për të cilët u tha se janë nisur për në Kosovë.
Komandanti i KFOR-it bëri të ditur se deri më tani nuk ka asnjë dëshmi për praninë e tyre në këtë zonë.