TORONTO- Këto ditë dashamirës të letërsisë bashkëkohore shqiptare u mblodhën së bashku për të dhënë disa mendime rreth “Un Mort”-romanit më të fundit të shkrimtarit Arben Kallamata. Takimi u zhvillua në një nga mjediset e “Venetian Banquet Hall” në Vaughan. Nga mënyra sesi ishte konceptuar, mund të them se veprimtaria për këtë libër ishte një risi më vete dhe për këtë merita i takon regjisorit të njohur Gjergji Rita, por edhe më të rinjve si Grejdi Meta apo Tea Haxhillari. Antigoni Papastathi interpretoi me mjeshtëri disa pasazhe nga libri, të shoqëruara këto edhe me pamje filmike nga koha e diktaturës. Gazetari i njohur Genc Tirana u ndal në simbolikën e librit dhe mesazhet e fuqishme që përcjell autori. Hajro Cini vlerësoi lart gramatikën shqipe të autorit, ndërsa Angela Paparizo u ndal në shumë në përshkrimin e karaktereve që ishin sa tërheqës, aq edhe të besueshëm. Në fund lexuesit e shumtë patën mundësinë të blinin nga një kopje të librit me një autograf të nënshkruar nga vetë autori.
Personalisht mendoj se romani “Un Mort” i Arben Kallamatës përbën një prurje të re në letërsinë shqipe. Ka një rrjedhë të natyrshme kronologjike. Me një shënim të shpejtë mund të dallosh që vetëm dy kapituj përshkruajnë ngjarje të ndodhura në vitin 2019, të dyja në malet e Zvicrës, prologu dhe epilogu. Përsa i përket retrospektivës, dy kapituj përshkruajnë ngjarje të vitit 1944 (“Prita” dhe “Këtu ka tradhëti burra”). Mund të them me bindje se në tërësi romani shtjellohet në vitin 1975. Madje mund të them në muajt e parapëlqyer të autorit në Prill dhe në Maj. Vendet e ngjarjes janë: Zvicra, Shqipëria, Italia, Kanadaja, madje edhe Kina e largët. Ndërsa lexoj me kureshtje, nuk mund të rri pa admiruar stilin e veçantë të shkrimtarit. Të shkruarit bukur të gjuhës shqipe- është një nga arritjet më të mëdha të autorit. Gramatika që ai përdor, frazat e qëruara dhe me plot kuptim, sarkazma therëse dhe informacioni në detaje janë disa vlera të tjera të shtuara të veprës. Fantazia e mbështetur në fakte groteske, siç është ajo e bombave atomike që do të vinin nga Kina, apo përshkrimi në detajet më të imëta të ndërtesës së radiotelevizionit shqiptar, të ngjall një ndjesi të lehtë humori, por edhe të bën të mendosh se autori e ka bluar gjatë këtë temë në punishten e tij letrare. Megjithëse historitë e diktaturës pakashumë dihen, Kallamata na sjell një histori tjetër të mbushur me spiunë dhe kode deshifruese, një rrëfim origjinal dhe krejtësisht të tërheqshëm. Rrëfimi rrjedh natyrshëm , megjithë ngatërrimin e kohëve dhe të vendeve, që nga Kanadaja e largët, Kina apo Shqipëria e vogël e viteve shtatëdhjetë.
Ja një paragraf nga kapitulli me të njëjtin titull “Un Mort”:
“Ata luanin poker me një mort. Thuhet se, për të kërcyer tango duhen dy veta, ndërsa për të luajtur poker katër. Ata ishin vetëm tre dhe luanin me një bosh, me një ndenjëse bosh, un mort. Letrat i ndanin për katër dhe i vdekuri imagjinar në ndenjësen bosh nuk hynte kurrë në lojë.” Fq 42. Kjo gjetje artistike i ka dhënë titullin librit. Lojën me një ‘të vdekur”, Komandanti legjendar e udhëheq gjatë të gjithë jetës së vet. Të krijohet përshtypja se kush ulej në ndenjësen e katërt ishte i dënuar; duhej të ishte patjetër manekin, të humbiste para Komandantit, se përndryshe mund t’i ndodhte gjëma, si Mustafa Gjinishit me shokë. Në këtë ndenjëse ulej edhe profesori Perikli Tota, apo Dule Zvërneci, kështu që nuk ishte e thënë të përfundonin të gjithë si Gjinishi. Nuk do të dëshiroja të jepja një përgjigje të prerë për fatet e këtyre personazheve, duke ja lënë lirinë e gjykimit vetë lexuesit. “Minat që shkelnin Beqir Ballukët me shokë do të merrnin në qafë edhe shumë të tjerë, para se t’i hapej rruga e pushtetit Damës maç!”
Nuk e teproj të them, se shqipja e Kallamatës ka sjellë një vepër të arrirë artistike, të cilën e lexon me qejf dhe, pikërisht për këtë arsye, do t’i rezistojë kohës.
Kallamata të jep përshtypjen se është shkrimtar shumë serioz, i cili ka një konsideratë shumë të lartë për veten: kjo shihet nga kujdesi për fjalën, e cila nuk harxhohet kot, por ka vendin dhe kohën e vet. Të krijohet përshtypja që shkrimtari ka hulumtuar gjatë dhe e ka patur në ndërgjegjen e vet për shumë kohë këtë vepër të arrirë, ashtu si piktorët e famshëm që e krijojnë një pikturë për vite me rradhë.
P.Kapllani