Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një fjalë për qytetarët është shprehur se institucionet kanë shtuar komunikimin me ndërkombëtarët e se qetësimi i situatës në veri të vendit është qëllim i përbashkët.
Ai ka theksuar se Policia e KFOR-i në veri janë ‘kufiri ndërmjet ekstremistëve të dhunshëm dhe institucioneve paqësore’.
‘Orëve të fundit, institucionet tona kanë shtuar edhe më shumë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë, sepse qetësimin e situatës e kemi qëllim të përbashkët. Por përveç shqetësimeve dhe brengave, dje na u dëshmua para syve se edhe kërcënimet dhe rreziqet i kemi të përbashkëta’.
Kurti ka thënë se kryetarët e zgjedhur, përkundër daljes së ultë në zgjedhje, janë të vetmit që kanë çfarëdo legjitimiteti të jenë në ndërtesa të komunave dhe në shërbim të qytetarëve.
Reagimi i Kurtit vjen pas deklaratave të ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili tha se Kosovës i anulohet pjesëmarrja në stërvitjet ‘Defender Europe 2023’, e se SHBA-ja ka pak entuziazëm që të angazhohet për Kosovën me shtetet mosnjohëse dhe avancimin në rrugën euroatlantike.
Hovenier ka deklaruar se kryetarët e komunave në veri nuk janë të detyruar të punojnë në objektet komunale, por se mund të shfrytëzojnë lokacione alternative.
Megjithëse, Kurti nuk ka përmendur Hovenierin në deklaratën e tij, ai ka mbrojtur qëndrimin se kryetarët duhet të jenë në objektet komunale.
‘Kryetarët e zgjedhur nga zgjedhjet e 23 prillit, përkundër daljes së ultë në zgjedhje për shkak të bojkotit të diktuar dhe detyruar mbi serbët e Kosovës, megjithatë janë të vetmit që kanë çfarëdo legjitimiteti të jenë në ndërtesa të komunave, dhe në shërbim të qytetarëve. Prandaj, ata kanë mbështetjen tonë të plotë, të pakushtëzuar dhe të pandërprerë’.
Duke mos përmendur as shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili tha se Kosova duhet t’i pezullojë operacionet policore rreth ndërtesave të komunave në veri, Kurti ka thënë se ‘demokracia nuk mund të suspendohet, e as të mbahet peng. Ushtrimi i saj është garant i paqes dhe sigurisë, assesi kërcënim apo rrezikim’.
‘E dje, na u dëshmua përfundimisht dhe të gjithëve, se kë kemi përballë: grupe të së djathtës ekstreme me maska, që vandalizojnë, sulmojnë, djegin çdo gjë që nuk e konsiderojnë serbe, e që lartësojnë simbole nacionaliste dhe shoviniste, si kryqi me katër S-ja dhe Z-ja e agresionit rus në Ukrainë. Ekstremistët dhe milicët kanë emra të veçantë. Ata nuk janë populli. Komuniteti serb duhet të çlirohet prej tyre. Ne i kemi identifikuar shumicën e tyre dje dhe sot. Nuk mund të ketë individë e as grupe mbi ligjin e më të fuqishëm se shteti’.
Kryeministri Kurti ka shtuar tutje se janë emra të përveçëm ata që po shtyjnë banorët të dalin në protesta të dhunshme.
‘Të tillë janë kriminelët multi-milionerë si Milan Radojçiq e Zvonko Veselinoviq. Ata janë pronarë të mëdhenj të bizneseve e të kontrabandës, që i kushtëzojnë punëtorët e varfër të tyre, të dalin në protesta të dhunshme. Në fakt, kjo është mënyra e vetë shefave të tyre urdhërdhënës në Beograd ndaj administratës publike: mënyra e Aleksandar Vuçiq, Aleksandar Vulin dhe Ivica Daçiq’.
Ai ka thënë se protestat po bëhen për pushtet, e jo për objekte komunale, dhe se pushteti merret me zgjedhje jo me dhunë.
‘Unë e di të dashur qytetarë që në grumbullimet dje dhe sot ka pasur edhe protestues paqësor. Por protestat dje e sot nuk ishin paqësore. Një protestë që sulmon policinë e cila e ruan rendin dhe zbaton ligjin, pjesëtarët e KFOR-it që e ruajnë qetësinë dhe stabilitetin, dhe gazetarët të cilët raportojnë mbi ngjarjet nga terreni, nuk janë protestë për komunën, por për pushtet. Në Kosovë, pushteti mund të merret vetëm përmes zgjedhjeve. Jo me dhunë dhe krim’.