Gazetari Erl Murati komentoi në “Task Force” me gazetaren Sonila Meço, në Syri Tv, vendimin e qeverisë për të rritur pagat e deputetëve, ministrave, kryeministrit, kryetarit të Kuvendit dhe Presidentit.
Murati tha se tashmë që zgjedhjet kanë mbaruar, nga qeveria priten vetëm lajme të këqija.
Ai tha se rritja e pagave wshtw subvencion pwr zgjedhjet e 14 Majit.
“Duhet theksuar që bëhet fjalë për një rritje patjetër elektorale. Kryeministri e paralajmëori para zgjedhjeve të 14 Majit. Jo një mënyrë e mirëfilltë blerje votash, por është një subvencion që bëhet për zgjedhjet e 14 Majit, pavarësisht se u miratua sot dhe jo para zgjedhjeve. Nuk ka ndodhur vjet, nuk ka ndodhur parvjet, fakti që kjo rritje vjen në një vit elektoral, pohon ose konfirmon atë filozofi që ka kjo qeveri që tashmë as nuk fshihet fare. Gjatë viteve kur ka zgjedhje duket sikur t’i trajtojë mirë shqiptarët. Zgjedhjet kanë mbaruar, kështu që tani presim vetëm lajme të këqija. Gjatë gjitë vitit të fundit e kemi paguar me 200 lekë të reja naftën ose benzinën dhe vetëm një muaj para zgjedhjeve shkoi në nivele minimale që nga koha e pandemisë. Ndërkohë që tani pritet gjithçka të kthehet në origjinë. Një deputet i PD thoshte se niveli i pagave ka mbetur në nivelin e 2005-2006, por fakti që kjo ndodh menjëherë pas maskaradës së 14 Majit, le një shije të hidhur. Mund ta bënin një moment tjetër pagat që i kanë rritur vetes. Logjika do e donte që nëse bëhet fjalë për rritje të pagave të anëtarëve të qeverisë dhe deputetëve, kjo të ndodhte në fund të legjislaturës. Nuk është shumë e hijshme që këta i rrisin pagat vetes. Duhet të ndodhte në fund të një legjislature ose në fillim“, tha ai.