Tina Turner e mbylli. “Mbretëresha e rock and roll-it” ishte 83 vjeç. Ajo vdiq në shtëpinë e saj në Küsnacht afër Zyrihut. Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i saj, sipas raportimeve të Sky News. “Tina Turner, mbretëresha e rock and roll-it, vdiq paqësisht sot në moshën 83-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë në shtëpinë e saj në Küsnacht afër Zyrihut. Me largimin e saj nga kjo jetë, bota po humbet një model dhe legjendë të muzikës.”
Më poshtë një portret të Mbretëreshës së rock and roll-it
Zë, këmbë, flokë dhe karakter të pamposhtur. Askush nuk ka arritur ta “ndalë” mbretëreshën. E ajo ka përshkuar kushedi sa stinë pa dalë kurrë nga skena. Tina Turner është prush. Është kështu në përfytyrimin kolektiv, ka qenë gjithmonë kështu. E vështirë është ta fshehësh një zjarr që nuk është shuar kurrë, nuk është kthyer kurrë në hi. Ka djegur me zërin e saj shkëmbor, me këmbët e saj të hatashme, me flokët e saj, edhe ato të pazbutshme. Flakët që kanë qenë të ndritshme e të zeza si qymyri, bjonde, të kuqe, pa kontroll, të shpleksura nga stuhia e rokut drejt lartësive. Në jetën e saj kanë provuar ta ndalin, dikush e ka bërë me grushta si i shoqi Ike, kanë mbetur të gjithë me duar të djegura. Kush e ka dëgjuar apo e ka parë në skenë e ka ndier ngrohtësinë e saj, kush e ka dashur është djegur prej të njëjtit pasion.
Flaka rok e një gruaje që është përkufizuar si mbretëresha e papërballueshme e rokut që përvëloi sa jetoi, lindi më 26 nëntor 1939 në Nutbush, Tennessee, me emrin Anna Mae Bullock, fëmija e dytë e dy fshatarëve, me origjina afroamerikane, europiane dhe ndoshta edhe indiane. Flakë të kryeqëzuara ardhur në dritë në një botë, ku roku nuk ishte ngjizur ende, ashtu si lulet e hipive, minfundet, balluket e Beatles, ku hëna ende nuk kishte gjurmën e një këmbe, nuk ishin ende pantollonat e shkurtëra dhe fustanat me xhixha të diskove, anijet kozmike të Kubrick apo zombie-t e Michael Jackson.
Deri sot, në epokën kur gjithçka është bërë e tejkqyrshme, Tina Turner ka kaluar mes për mes historisë e pacënuar, duke djegur kohën, duke e transformuar dhe duke mbetur gjithmonë, për të gjithë, ‘The Acid Queen’ të identifikuar kështu nga Who.
Në skenë flaka ka pasur gjithmonë kuptim, si çdo element i fuqishëm që është e mundur vetëm ta shikosh nga larg me admirim. E në skenë ajo ka qenë gjithmonë e garantuar për mbi gjysmë shekulli, duke kënduar këngë të nxjerra nga albumet që kanë shitur mbi njëqind e tetëdhjetë milionë kopje, duke koleksionuar tetë çmime Grammy, katër paraqitje një pas një në ballinat e Rolling Stone, pesë filma, midis të cilave edhe një paraqitje në Lonely Hearts Club Band të St. Peppers në vitin 1978.
Mbretëresha e rokut me shpirt soul, nga roku përfaqëson ngulmimin, ashpërsinë dhe pavdekshmërinë. Ishe ajo që këmbënguli për të kënduar kur në St Louis njohu një djalosh muzikan, Ike Turner, i cili fillimisht mosbesues e mbante në hije. Por flaka ishte e lëndshme, ndonëse vajza shpejt nga Little Ann, siç quhej atëherë, falë këngës A Fool in Love, do të bëhej Tina Turner e grupi nga Ike Turner and his Kings of Rhythm band, do të transformohej në The Ike & Tina Turner Revue.
Ata do të martoheshin në vitin 1958 in Meksiko e Tina e shihte veten duke rritur katë fëmijë, dy të Ike, një të sajin lindur nga një marrëdhënie e mëparshme e një lindur nga martesa me Ike.
Gjendet sërish në skenë duke kërcyer, duke thirrur e duke kënduar. Duke kristalizuar përmes kohërave të turbullta një stil personal, me koristet, the Ikettes, do të shpërthente dhe do të ndikonte në atë botë që do ta ndërronte historinë. Si Mick Jagger që ua detyron shumë nga sukseset atyre dhe mbretëreshës e cila edhe pas vitesh e ndhmoi të rilindë. Pastaj, kur të ftohtit e kishte kapluar do të ishte pikërisht ai që me duetin e pabesueshëm në Live Aid më 1985 do t’ia rikthente dalldinë.
Me Ike preku qiellin më 1968 kur regjistruan suksesin e tyre më të rëndësishëm, Proud Mary. Pastaj filloi lufta e ftohtë, flaka u zbeh nën drogën dhe dhunën e Ike, e rrënimi muzikor ia behu, një realitet që duhej përballuar dhe të cilin Tina vendosi ta sfidojë e vetme. Në vitin 1976 mori arratinë nga i shoqi e nga e kaluara e saj. E lirë, me 36 centë në porotofol dhe me disa tollona për benzinën u strehua te miqtë, praktikoi budizmin e Nichiren Daishonin, rigjeti forcën për t’u vetërigjeneruar. Divorci u zyrtarizua në vitin 1978, pas 16 vjet martese. Në vdekjen e Ike, ndodhur më 2007, u lëshua komunikata: “Ike e Tina nuk kanë pasur asnjë lidhje për më shumë se tridhjetë vjet. Nuk ka komente të tjera për t’u bërë.”
Dallditë u bënë edhe më të fuqishme mël 1984, kur do të ishte rikthimi më i hatashëm i historisë së rokut që mbahet mend.
Kënga What’s Love Got to Do with It ngjiti klasifikimet në pak javë kundër çdo parashikimi sado dashamirës. Tina ishte 44 vjeçe. Albumi në vijim, Private Dancer, do të shiste në gjithë botën pothuajshe njëzet milionë kopje. Vitin tjetër vjen turneu i We Don’t Need Another Hero, kolonë zanore e filmit kur luante, Mad Max Beyond Thunderdome. Pastaj, pa u ndalur, vjen It’s Only Love, kënduar në duet me Bryan Adams. Në vitet pasuese dalldia do të vërshonte me flakë shkrumbuese. Shfaqja e saj e vitit 1988 në Rio de Zhaneiro tërhoqi 180,000 spektatorë dhe mbetet një nga koncertet që ka tërhequr më shumë audiencë për një artist të vetëm. Një autobigrafi, “Io, Tina”, shndërruar në film me Angela Bassett e Laurence Fishburne, albume të tjerë, deri sa del në dritë më 1991 përzgjedhja Simply the Best e, në vitin 1995, regjistrimet për filmat e James Bond, të Goldeneye, shkruar nga Bono.
Në jetën e saj Tina Turner ka kënduar me Bryan Adams, Rod Stewart, Elton John, Mick Jagger, David Bowie, Eric Clapton e Mark Knopfler. Në vitin 1997 edhe me Eros Ramazzotti-n në pjesën Cose della vita, në vitin 2006 me Elisa-n në Teach Me Again. Në Itali mbretëresha është ndjerë gjithmonë si në shtëpinë e vet, deri edhe në Sanremo ka qenë tri herë për ta ndezur platenë. Vitin e kaluar ishte në skenë me Beyoncé, për të ndërrmarrë pastaj turin e pesëdhjetë viteve të saj të karrierës rreth e rrotull botës. E buzëqeshur, e lirë, triumfuese. Kështu mbretëresha tani jeton sa në Angli, sa në Francë, sa në Zvicër, gjithmonë një dalldi që të merr me vete.
Tina Turner e dashuruar me Erwin Bach dhe Zvicrën
Turner u zhvendos në Zvicër në vitin 1995 në periferi të Zürich-ut, në Kusnacht dhe Zvicra iu bë atdheu i saj. Tetë herë fituesja e Grammy u shpërngul nga SHBA për t’u bashkuar me partnerin e saj gjerman Erwin Bach, me të cilin ishte lidhur prej vitit 1986.
Ajo do t’i thoshte gazetës zvicerane Blick dhjetë vjet më parë se ishte “shumë e lumtur në Zvicër” dhe se ishte “në shtëpi këtu…e nuk mund të imagjinonte një vend më të mirë për të jetuar”. Turner mësoi gjermanisht dhe hoqi dorë nga pasaporta e saj amerikane në vitin 2013. Ajo u martua me Bach në të njëjtin vit. Në pjesën e përparme të pronës së saj ka një pllakë metalike ku shkruhet: “As mos mendoni të shqetësoni Tina Turner para mesditës”.
Dy vjet përpara vdekjes ajo dhe bashkëshorti i saj shpenzuan 76 milionë dollarë për një pronë madhështore 25 kilometra katrorë me pamje nga liqeni i Zürichu-t që kushtoi 76 milionë $.
Tina Turner i provoi të gjitha, që nga varfëria dhe të qenit një njeri i zakonshëm deri tek lavdia, lluksi dhe pasuria që thuhet se sot arrin rreth 250 milionë $.
Dhjetë vitet e fundit ajo vuajti shumë nga problemet me shëndetin. Në kujtimet e saj botuar në vitin 2018 My Love Story ajo tregoi për sëmundjet që kishte kaluar. Në vitin 2013, tre javë pas martesës së saj me Erwin Bach, ku morën pjesë rreth 120 miq të shquar duke filluar nga David Bowie, Eros Ramazzotti, Sade, Oprah Winfrey, Giorgio Armani etj ajo pësoi një hemoragji cerebrale dhe iu desh të mësonte të ecte përsëri. Në vitin 2016, ajo u diagnostikua me kancer në zorrën e trashë. Turner zgjodhi ilaçet homeopatike për presionin e lartë të gjakut, por presioni i lartë i gjakut i patrajtuar i shkaktoi në dëmtimin e veshkave. Në vitin 2017 ajo ishte gati për eutanazi dhe u regjistrua për t’u bërë anëtare e Exit, por Bach ofroi një veshkën e tij. Tina Turner u operua për transplantin e veshkës më 7 prill 2017.
Mbretëresha e rokut po ashtu ishte një nënë që provoi largimin nga kjo botë të dy bijve të saj biologjikë. Ronnie Turner djali që pati me Ike u shua vjet nga kanceri në zorrën e trashë në moshën 62 vjeçare, ndërsa Raymond Craig Turner, kreu vetvrasje në 2018 në moshën 59 vjeçare. “Unë mendoj se Craig ishte i vetmuar, kjo e shtyu të ndërmerrte atë veprim,” do të thoshte Turner në një intervistë për CBS News që u botua asaj kohe. “Kam plot foto të tij rreth meje, ku ai është duke qeshur dhe po ndiej se ai është në një vend të mirë. ”
Besoj se në një vend po aq të mirë duhet të jetë edhe Tina Turner sot, duke peshuar artin e saj që mrekulloi botën dhe njerëzimin.
Dhe magjia e Tina Turner vazhdon.
Elida Buçpapaj