Sipas ndarjes krahinore tradicionale, Labëria është një ndër krahinat më të mëdha etnografike, që përfshihet në njërën nga dy grupet e mëdha të krahinave etnografike të popullit shqiptar, Toskërisë, që kap hapësirat në krahun e majtë të Shkuminit deri në skajin më jugor, në Çamëri, deri në gjirin e Artës në Jug.
Labëria ka qenë dhe mbetet një trevë etnokulturore. Asnjëherë ajo nuk ka qenë njësi administrative e bashkuar. Kur themi Labëri nënkuptohet ajo trevë kulturore ku këndohet me marrës, kthyes, hedhës
dhe iso dhe ku i vdekuri qahet me ligje elegjiake e melodi të përvajshme. Në Labëri vajtohet duke kënduar. Jo më kot në Labëri ka mbetur shprehja frazeologjike: “e ka qarë”, pra e ka thënë bukur, deri në përsosmëri. Poezia e kënduar si pjesë e letërsisë gojore që ndryshe quhet edhe letërsi popullore, ka qenë më prezente në kohën kur njerëzit akoma nuk dinin shkrim dhe lexim, kështu që gjërat e shkruara kanë qenë të rrëfyera gojarisht, ndërsa ndjenjat e njerëzve janë kënduar me zë, sipas melodive që thurnin banorët. Kur themi që kënga labe është shumë e lashtë, nënkuptojmë që ajo ka lindur qysh kur në këto hapësira me male, fusha, dete e lumenj, janë shfaqur banorët e parë, burri dhe gruaja e parë.
Kënga labe ka disa mënyra të kënduari: me një zë, me dy, tre dhe katër zëra. Ajo ka edhe monofoninë: vajet, ninullat, borohitjet, logatjet, mërmërimat këndohen në monofoni, që janë forma fillimtare e të kënduarit në Labëri. Kënga labe është dialektike dhe nuk lë shteg interpretimi tjetër kur dëshmon: “Do ja themi një zë, / të na bëhen dy zë [zëra]”. Pra, polifonia labe ka lindur nga monofonia. Kënga labe është pjesë e së tërës shpirtërore të kënduar, të cilën, njëri nga studiuesit më të mëdhenj të muzikës shqiptare dhe ballkanike, etnomuzikologu i parë shqiptar, Ramadan Sokoli si dhe studiuesit e folklorit Spiro Shetuni, Beniamin Kruta, Agron Xhagolli etj. e kanë quajtur Polifonia labe. Etnomuzikologu Haxhi H. Dalipi e ka quajtur këngë shumëzërëshe. Nocionin këngë shumëzërëshe e ka përdorur në vend të nocionit këngë polifonike (për hir të shqipërimit), ndërsa nocionin këngë tradicionale e ka përdorur në vend të nocionit këngë popullore (për hir të përshtatjes me terminologjinë etnomuzikologjike ndërkombëtare.
E vërteta e jetuar dhe rrjedha logjike të shpie te burimi, që polifonia labe apo shumëzërëshi lab ka lindur nga monofonia. Përveç tipareve përbashkuese me polifoninë popullore shqiptare në përgjithësi, polifonia labe, sipas Spiro Shetunit, ka katër tipare themelore përveçuese, si: karakteri recitativ, karakteri pentatonik, karakteri kontraktues dhe karakteri i thjeshtë zanor.
Në letërsinë gojore zotëron kënga polifonike, ndërsa nga instrumentet muzikore më të përhapura ishin dhe janë fyelli dhe cula dyjare. Mbështetur në traditën e të parëve, veçojmë një fyelltar fenomenal, i cili, qysh në vitin, 1973, në moshën 14-vjeçare në Festivalin e Dytë Folkorik Kombëtar të Gjirokastrës, shkëlqeu me frymën e tij hyjnore. E kam fjalën Vendim Kapaj “Mjeshtër i Madh”, apo mësuesin e tij Nazër Kongjinaj që në Festivalin e 73-shit ishte student në Universitetin e Gjirokastrës dhe magjepsi Kalanë dhe qytetin. Po kështu kemi unikalin e letërsisë gojore, të shprehur me formën e rapsodisë së krijuar aty për aty të kënduar si interpretim monofonik, Tomorr Lelo “Mjeshtër i Madh”.
Vlen të ndalojmë pak tek veterani i arsimit dhe folklorit burimor instrumental të Labërisë. Nazër Kongjinaj është një nga instrumentistët më të shquar popullor, i cili ka dhënë ndihmesë të dukshme në zbukurimin e jetës shpirtërore të popullit, në edukimin e lartë artistik, estetik, si dhe në edukimin atdhetar të brezave për mbi një gjysmë shekulli. Qysh në Festivalin e Dytë Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, tetor, 1973, kur ende ishte student, Nazëri mori pjesë në këtë ngjarje, më të madhen kulturore-artistike në rang Republike dhe shkëlqeu në intrepretimin e mrekullueshëm të melodive popullore të trevës së tij dhe mbarë Labërisë. Ky artist popullor i veçantë në profesion është mësues dhe për dekada të tëra ka shërbyer në sektorin e arsimit, duke u radhitur ndër mësuesit më të dalluar e të devotshëm jo vetëm në shkollën e vendlindjes së tij, Brataj, por në mbarë rrethin e Vlorës. Merita e këtij artisti popullor qëndron, në faktin se, edhe pse i ka kaluar të 70-at, nuk e ka ndërprerë veprimtarinë folklorike, duke bërë një jetë aktive në shumë ngjarje artistike – kulturore në Vlorë e gjektë dhe që dhuntitë e pasionin e tij i transmenton tek talentet e reja, të cilat Nazëri i zbulon me dashuri dhe punon me durim e mjeshtëri për ta përcjellë brezave këtë traditë.
Kënga polifonike labe ka dhe emërtime të tjera si: shumëzërëshi labërisht, polifonia vokale apo isopolifoni. Ajo është pjesë e muzikës popullore shqiptare/ folklorit shqiptar dhe ka si veçanti mbivendosjen e dy a më shumë vijave melodike me fizionomi të përcaktuar vokale, në disa raste shoqëruar dhe me instrumentet që cituam, zhvillimi i të cilave kryhet në mënyrë vertikale (harmonike). Kënga polifonike në Jug është në bazën e shoqërimit të valleve të burrave dhe grave.
Format e të kënduarit për letërsinë gojore në Labëri janë kryesisht me këngët tre – dhe katër zërëshe, që ekzekutohen në grupe të veçanta burrash e grash, por edhe në grupe të përziera, ku kemi solistë marrësin, kthyesin, hedhësin dhe grupin që mban iso (burdoni), “ia bën eee”, “ia mbush”, sipas emërtimit popullor.
Letërsia gojore e kënduar në Labëri shquhet për një mori stilesh, që kanë emërtimet kryesore gjirokastriçe, himarioçe, vlonjaçe etj., të cilat në organigramën artistike kanë hierarkinë e shtrirë horizontale në stile muzikore të specifikuara sipas njësive etnografike kryesore.
Terminologjia e pasur popullore për funksionin e zërave, strukturat e shumta tipologjike, dendësia dhe përhapja e gjerë territoriale, lidhjet me kulturën muzikore polifonike të lashtësisë së vonë ilire, janë dëshmi të origjinalitetit dhe të karakterit autokton të polifonisë labe. Nga 25 nëntori 2005 “Polifonia popullore shqiptare” u fut në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit” të mbrojura nga UNESCO.
2. Format rapsodike të shprehurit të letërsisë gojore në Labëri
Nëse në letërsinë gojore të kënduar në pjesën veriore të Gegërisë ende zotëron gjinia e poezisë epike me tendencë atë epiko-lirike, në Labëri zotëron gjinia e poezisë lirike dhe më pak ajo liriko-epike, ndërsa tek – tuk vërehen reminishenca të poezisë epiko-lirike. Emërtimi rapsod është më i përdorur në Veri, por edhe në Jug është përdorur për ata që thurnin këngë të gëzueshme aty për aty në dasma, ceremoni të ndryshme festive apo edhe këngë të dhembshme për një të rënë, të vrarë në luftë për liri etj. Emërtimi rapsod vjen nga greqishja (qep, thur odé/ këngë. Grekët e vjetër quanin rapsodë recituesit e këngëve popullore rreth heronjve, perëndive dhe gjysmëperëndive. Në Labëri, rapsodët popullorë quhen ndryshe edhe vjershëtorë. Ata i thurin me mjeshtëri vargjet dhe tradicionalisht i këndonin po vetë, ndërsa sot në përgjithësi tekstet e tyre i këndojnë solistë që dallohen si marrës me zë të bukur, të ëmbël, të kumbueshëm e të fortë, artistët popullorë të përfshirë në grupe të ndryshme mbi bazë fshati apo grupe mikse me këngëtarë të zgjedhur nga komunitete të ndryshme që kanë afri në mënyrën e të kënduarit të kësaj poezisë popullore etj. Në Veri rapsoditë e traditës janë krijime poetike me karakter epik ose heroik që këndohen nga vetë rapsodët, përgjithësisht këngët e vjetra të letërësisë sonë gojore, që njihen si “kangë kreshnikësh” ose “kangë lahute” dhe kanë protogonistë heronjë legjendarë të eposit popullor si Gjeto Basho Mujin, Gjergj Elez Alinë etj. gjithashtu ka rapsodë të talentuar që krijojnë këngë të bukura të shoqëruara me çifteli ose lahutë për akte heroike të bijve të Shqipes, peizazhe lirike të jetës apo balada të trishtueshme etj.
Ndërkohë në Labëri është pak më ndryshe situata folklorike. Letërsisë gojore të trashëguar nuk i njihet autori. Dallon lakonizmi në këngët e vjetra labe, që në pak vargje të thjeshta në shfaqje, por të ngjeshura në mendimin e qartë poetik, mund të njihesh me bëma, personazhe e ngjarje të tëra, qoftë nga bota lirike, me këngët rituale, të punës, lirikat familjare, lojëra fëmijësh etj., këngë satirike dhe humoristike, këngë dashurie, dasme, vaje e këngë të përvajshme, këngë për nizamët dhe kurbetin apo dhe nga bota epike me këngë legjendare dhe balada, epika historike me këngë për qëndresën antiosmane gjer më 1830, këngë kushtuar Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (1830-1870), këngë për mbrojtjen e Pavarësisë së vendit (1912-19200 këngë për Luftën e Vlorës, këngë të viteve 1924-1939, këngë për luftën Italo-Greke (1940-1941), këngë kundër shfrytëzimit ekonomiko – shoqëror dhe motive të tjera, këngë të kaçakëve, kolanën e këngëve të Pasçlirimit (1945-1990), si dhe këngët e shumta të periudhës së mbas viteve 1990. Sot, në Labëri këndohen masivisht këngë tipologjike të formës rapsodike në lëmin e lirikës me nënfushat e saj.
Fillesat e rapsodisë në Labëri mund të themi se nisën në vitet 1920-1930 dhe morën hov mbas viteve 1970. Ndërkohë, që tradita rapsodike në këtë trevë starton me Neço Mukën, Xhebro Gjikën, Mato Hasanin, Nase Benin, Tartar Zekën, Arshi Xhelili, Rrapo Meto, Sheme Sadiku, Xhemil Veli Duka, Sinan Mullahu, Selim Hasani, Sheme Vela, Mustafa Luçi, Isan Sejdini etj, të cilët, gjatë jetës, vijuan dhe udhëtimin folklorik të rapsodëve të shek. XIX, Demir Ago, Mystehaku (Vlonjati), Qazim Ademi, Muharrem Bufi, Sinan Habazi, Sino Xheli, e jo shumë të tjerë, të cilëve u dihet emri, se shumica e rapsodëve popullorë të traditës në Labëri i përkasin anomimatit dhe kanë autor, kompozitor, interpretues dhe bartës popullin, si emërtim kolektiv.
Të gjithë rapsodët që u shfaqën në 20-30 e para të shek. XX, përbëjnë gjerdanin e artë të Epikës popullore labe në Luftën e Vlorës, 1920.“Këngën për këtë epope e kanë kënduar, së pari, ata që kanë marrë pjesë në atë luftë me armë në dorë e me këngë në gojë. Vërejmë se, shumica e krijuesve kanë qenë pjesëmarrës në ngjarje. Këngët historike të Njëzetës, na vijnë si rrëfim popullor në vargje, me rimë e melodi, si narracion, si tregim.
Cikli i Epikës Historike për Luftën Kombëtare të Vlorës, 1920, na duket sikur është ditar në vargje i luftës për këtë ngjarje historike me rëndësi kombëtare, për Kotën, Gjormin, Llogoranë, Kaninën, Qafën e Koçiut, për Vlorën e heroizmat e trimave të saj si Selam Musai, Zigur Lelo, Kanan, Maze, Sado Koshena e shumë yje të pashuar që derdhën gjakun për liri. Ja një fragment kënge ngritur dhe kënduar Nase Beni nga Vunoi i Himarës, i njohur nga historia si trim, i njohur nga folklori si krijues edhe këngëtar, me të cilin mateshin biblilat e malit: “Nata e pesë qershorit/ Allaturka, ora tre, / Ndizet gjaku’ arbërorit, / Ndizet e bëhet rrufe./ Zigur Lelua na thotë:/ “Djema, hidhuni mbi ta!? O burra, brenda në Kotë, / Ta dinë kush jemi nà,/ Ta marrë vesh një botë,/ Që s’para bëjmë shaka/ Çave para si flamur,/ Kapedan, more Zigur!”
Fjala e humbet vlerën kur shpalosen visare folklorike si: “-Kanan, t’u prish bukuria/ – Le të rrojë Shqipëria!”
Përsëri nga patrioti dhe luftëtari poet Nase Beni: “Evropa shkruajnë e thonë:/ “Ç’është kështu si dëgjojmë?/ “Po bënet dufek në Vlorë,/ shqipëtarëtë lëftojnë/ me një mbret dyzet miljonë./ Zënë jesirëna thonë,/ zënë jesirë italjanë”/ “Po me se lëftojnë vallë?/ se topa e armë s’kanë,/ as vaporë e aropllanë!”/ “Me sëpata e me hanxharë,/ dufeqet lidhur me gjalmë,/ fishekët në xhep i mbajnë,/ në tri ditë pak bukë hanë;/ po s’ka tabje e istikamë,/ top vapor e aropllanë,/ t’i përgjunjë ata asllanë./ Në pëjetçi dhe për armë,/ asnjë mungesë nuk kanë,/ marrën nëpër italjanë,/ në të vrarë e në të gjallë,/ nëpër depotë ku janë,/ me to rrëzojnë aropllanë!.
Vërtet, që kënga labe, në rastin konkret, epika popullore labe nuk është armë, por për Njëzetën pati peshë specifike frymëzimtare të lartë sa për 10 pushkë, sepse ndikoi fuqishëm në moralin e forcave vullnetare të Çlirimit.
E, kështu, një shekull më parë kaluar, me krenarinë e motivuar të labit dhe me nderin e Çlirimtarit, luftëtari dhe rapsodi popullor Mato Hasani, me trimat e pushkës e këngës, hoqi vallen: “Nuk e bëjmë kabull na/ të jemi për nën-ë botë”!
Jo se nuk ka patur rapsodi të kënduara përpara viteve ’30 të shek. XX, por revolucionin e vërtet në formë dhe në përmbajte e bëri Neço Muka me një tufë me këngë lirike shumë të bukura si “Katina nina-nina”, “Erdhi prilli, ç’u shkri bora”, “Qielli i zi” etj., në ballë të së cilave shndrin kryekënga “Vajza e valeve”, një rapsodi e gjatë, ardhur në disa motërzime.
Jo thjesht se është ndër dallëndyshet e para të pasurimit të këngës labe, por se është vërtet një perlë polifonike, si dhe në nderim të letërsisë gojore në Labëri, këngës himarioçe, labe dhe këngës popullore shqiptare në përgjithësi, po citojmë disa vargje nga kënga e shumë njohur me tekst të të jashtëzakonshmit Neço Muko,
“Vajz’ e valeve”.
Vajz’ e valeve,
zëmëra s’ia mban
mbi një gur anës së detit
qan, e zeza qan
e mjera, qan e zeza qan.
Pret atë që pret
dhe një dhëmbje ndjen
Gjithë bota ven’ e vinë,
po ai nuk vjen,
e mjera, po ai nuk vjen.
Pranvera arriu,
një mëngjez të qet’
shkojn’ e vijnë dallandishet,
vajza u thërret,
e mjera, vajza u thërret:
“Ju të bukur, zoq,
tek ju kam një shpres’
ju që shkoni det’ e male
dua t’u pijes,
e mjera, dua t’ju pijes:
Mos e patë ju,
rron apo nuk rron
Ndonjë lajm a ndonjë letër,
vall’ a më kujton,
e mjera, vall’ a më kujton?! etj….
Duke ju referuar traditës së të parëve tanë, rapsodët e Labërisë janë shquar edhe në të ashtu quajtura këngë “hidh e prit”, këngë që konsistonin në një mënyrë komunikimi me vargje, veç jo duke u recituar por duke i kënduar. Këto lloj këngësh kanë qenë pjesë e dasmave apo muhabeteve të ndryshme dhe ishin pronë e disa prej bejtexhinjve që kishin dhunti ti thurnin vargjet aty për aty, disa herë edhe si një mënyrë shpotitëse apo me humor të hollë.
Në jo pak raste këto lloj këngësh kalonin edhe kufijtë etikë të komunikimit duke u bërë shkak për prishje të muhabetit apo dollisë në trapezë.
Në pragvitet 1970 rapsodia labe filloi përhapjen dhe u shtri nga Tragjasi, në Tërbaç, në Dukat, Vranisht, Bënçë, Pilur, Fterrë, në gjerësi e thellësi të Labërisë. Ky riformatim gjeofolklorik ka nisur me rapsodi dhe këngëtari marrës i Tragjasit Beqir Laçe, i cili thuri këngën e parë rapsodike, recitative, që më tej u përsos dhe artistikisht nga rapsodi, më saktë të shprehemi nga poeti popullor Hamdi Pulo i Tragjasit. Kemi parsysh këtu jo vetëm tekstin të shtrirë në disa strofa por edhe mënyrën e të kënduarit, duke vërejtur si e trajton prijësi i këngës atë në një mënyrë recitative, ndryshe nga marrja tradicionale.
Më pas kjo mënyrë të shprehuri u pasua nga rapsodi Kujtim Mici i Tërbaçit me këngën: “Ç’i gjet’ zakonet që pamë” e cila lindi si shprehje e letrësisë gojore në formën e rapsodisë së kënduar në grup miks në funksion të lëvizjeve të reja të kohës kundër zakoneve prapanike dhe paragjykimve fetare (1967), që, për atë periudhë kohore u trajtua si një evolucion i të kënduarit në gjithë Labërinë.
Ç’i gjet’ zakonet që pamë,
Që na pat’ lënë Turqia?
Bënej dasëm në mëhallë,
Kërcit dollm’ e revania! … [mars 1970]
Me kalimin e viteve, poezia e tyre fitoi vlera të mirëfillta letrare dhe muzikore, saqë u bënë emra të shquar të këngës labe rapsodike krijues të dinjitetshëm si Kujtim Mici i Tërbaçit, Hamdi Pulo i Tragjasit, Maliq Lila i Bënçës dhe sidomos Lefter Çipa i Pilurit.
Duhet thënë se Bardi i gjallë i Bregdetit, Lefter Çipa i dha poezisë gojore një shkëlqim të artë si në asnjë periudhë tjetër të mëparshme. Sidomos me këngën e “Bejkës së bardhë”, por e dhe me të mirënjohurat “Shko, moj shko kuac’ e kuqe”, “Zoga Kaçake në mal”, “Shqipëri, pse të qan syri?!”, “O në të marça moj manushaqe”, “Vijnë djemtë nëpër vapë”, “Bilbil i vëndeve të mia”, “Njëzet e tetë mijë yje”, “Kënga jonë, këngë djepi” etj, të mirënjohura jo vetëm në Labëri, me të drejtë Lefter Çipën e bënë të quhet princ i poezisë popullore shqiptare, sepse si autor dhe kompozitor i teksteve ai mbetet një aset i trashëgimisë së kulturës popullore dhe pasurimit të saj të pëlqyeshëm nga komuniteti jo vetëm labëror.
Tani detashmenti i rapsodëve të këngës labe vjen më i plotësuar nga ana arsimore dhe janë më të kualifikuar nga ana e krijimit të tekstit poetik për këngë; të tërë janë me arsim të mesëm, ndër ta ka shumë me arsim të lartë. Shquhen si ustallarë të këngës labe në formë rapsodike: Muhamet Tartari i Vranishtit, Feti Brahimi i Lapardhasë, Teno Leno i Fterrës, Zaho Balili i Rexhinit, Llambro Hysi i Kallaratit, Arap Mero i Bratit, Pelivan Bajramaj i Drashovicës, Meleq Kapllani i Kaninës, Tomor Lelo i Smokthinës, Kastriot Muçaj i Velçës, Lefter Haxhiraj i Armenit, Dule Havari i Dukatit, apo brezi më i ri që ka stafetën e krijimit rapsodik mbi bazën e traditës duke e pasuruar atë më tej siç mund të përmendim: meteorin e ndritshëm Nertesi Asllanin e Bolenës me Kristo Çipën e Pilurit, Nexhip Serën e Bratit, Felek Bletën e Vërmikut, Sejmen Gjokolin me “Bilbilin”, Albert Habazaj me “10 Shqiponjat e Tërbaçit” etj.
Vërejmë se letërsia gojore e ardhur nëpërmjet poezisë popullore të Labërisë na shfaqet si dëshmi të ekzistencës së banorëve dhe krijimtarisë së tyre.
Struktruralisht, rapsoditë labe janë ndërtuar në vargje relativisht të gjatë, përgjithësisht monologjike, por nuk mungojnë as ato dialogjike, me tingull e muzikë sidomos në motivet e pafundme lirike, ku ndihet se rapsodia ka ritmikë më të madhe, ndaj shpesh herë është përcaktuar si gjuhë ritmike. Rapsodët e traditës kanë ditur të përzgjedhin nga hambari i mëparshëm artistik i popullit figurat, fjalët, mendimet poetike, frazeologjitë, figurat artistike për t’i derdhur në vargje, për të ngritur e ndërtuar “këngët tamam”, duke kompozuar një mozaik të pasur vijash melodike aq të arrira dhe të dashura.
Ka ca këngë lirike të qëndisura aq bukur dhe me vargje të kursyera, që në mënyrë lakonike të mrekullojnë me qëndismat e tyre të shpirtit. Ja një këngë e qepur nga Xhebro Gjika [1900-1978]: “Atje lart, në bokërrimë/ Një saba, pa dirë mirë. / Trëndo, leshra trëndelinë/ Mbi vetull lidhur shaminë./ Vajtonte atë të zinë/ Shtatë vjet harroi shtëpinë./
Se mbet’ nizam në Janinë/ Janinë nizam i mbeti. / Trëndon në merak e treti/ Sa u tha si degë plepi”.
Këtë tekst të vjetër burimor e kanë përditësuar duke e prurë në kohë si valle lirike për nizamët Ansambli Folklorik “10 Shqiponjat e Tërbaçit”.
Natyrë rapsodike ka edhe kënga lirike elegjiake “O komandant Shpendi”, e cila është një njësi folklorike relativisht e re, paraqitur për herë të parë në Festivalin Tradicional Folklorik “Hasi Jehon”, në Gjonaj – Has, komuna Prizren, Kosovë, edicioni i 34-t, natën e dytë, e premte, 05.05.2023.
Ja teksti i plotë: “O komandant Shpendi – fluturim lirie”
Këngë elegjiake për Dëshmorin e Atdheut Skerdilajd Bardhyl Llagami (Komandant Shpendi): Tiranë, 31 tetor 1969-Bogovinë, Tetovë, 29 Qershor 2009
Teksti: Albert Habazaj, këngë elegjiake për Dëshmorin e Atdheut Skerdilajd Bardhyl Llagami (Komandant Shpendi): Tiranë, 31 tetor 1969 – Bogovinë, Tetovë, 29 Qershor 2009; kënduar nga grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, Urdhëri “Naim Frashëri”
marrëse: Antoneta Goxho Mehmetaj dhe Evgjeni Habili Seferaj,
Për nga struktura ajo është e ndërtuar me 8 strofa 4 vargjëshe, në 6-rrokshin popullor, i cili është varg tipik lirik që ka shtrirje edhe në këngët elegjiake, vajet a këngët e përvajshme, me rimë të kryqëzuar abab.
Si përfundim mund të shprehemi se kënga labe ardhur në formën e rapsodisë lirike apo edhe liriko-epike do të ketë jetëgjatësi, jetë aktive, sepse lirika popullore labe ka vlera artistike dhe estetike, spikat për ngjyrat vokale lokale të forta, të veçanta, të ëmbla, të pëlqyeshme nga komuniteti lab dhe jo lab, brenda dhe jashtë gjeografisë etnofolklorike të krahinës së Labërisë, si pjesë e së tërës shqiptare.