Vëmendja më e madhe gjatë ditëve të fundit në lidhje me zgjedhjet e 14 majit i është kushtuar përmbysjes dramatike të historisë nga socialistët në Bashkinë Shkodër. Pushteti tregoi se është në gjendje të përqendrojë burime për të blerë VIP-a dhe njerëz të zakonshëm, për të shkaktuar ndryshime të tilla elektorale që dukeshin të pabesueshme.
Vetëm se më shumë se Shkodra, mua më ka bërë përshtypje ecuria e zgjedhjeve në Bashkinë Kuçovë. Kryebashkiaku aktual do të ketë një mandat tjetër, në bashkinë që është qeverisur gjithmonë nga socialistët, por kjo erdhi vetëm pasi dy kandidatë të opozitës, Lefter Maliqi për Bashkë Fitojmë dhe Ilirjan Koxhaj nga Partia Demokratike, morën sëbashku 50.21% të votave.
Sipas rezultateve të detajuara, të tre ish-komunat, Kozarë, Lumas dhe Perondi, u fituan bindshëm nga opozita ndërsa qyteza e Kuçovës, nga PS. Vetëm dy vjet më parë, në zgjedhjet parlamentare, socialistët patën fituar 56% të votave përballë PD dhe LSI të marra bashkë.
Çfarë ndodhi? Si shpjegohet që pushteti u shfaq kaq dobët në krahasim me vitin 2021 në një zonë ku socialistët kanë fituar gjithmonë?
Njëra ide për të shpjeguar rezultatet e Kuçovës (dhe të të gjithë Shqipërisë) është që të shohim nivelin e pjesëmarrjes. Në Kuçovë, më 14 maj, morën pjesë 32% e votuesve, nga 40% në vitin 2021. Votat për Partinë Socialiste ranë nga 9,465 më 2021, në 6,904 më 2023. Të dy kandidatët e opozitës sëbashku morën 6,961 vota, plot dy vota më shumë se sa kishin marrë PD dhe LSI në vitin 2021. Me pak fjalë, 27% e atyre që patën votuar qeverinë dy vjet më parë, për t’i dhënë asaj një mandat të tretë të paprecedentë, nuk doli të votojë për kryetarin e bashkisë, ndërsa kandidatët e opozitës nxorrën në votime që të gjithë votuesit e tyre të 2021, plus dy të tjerë.
A është e mundur të thuhet se në Kuçovë paska një elektorat gri?! E nëse po, a është e logjikshme të thuhet se ky elektorat gri doli për t’i dhënë Ramës një mandat të tretë të paprecedentë më 2021, por jo për t’i dhënë kryebashkiakut Kreshnik Hajdari një mandat të dytë?! Ka shumë gjasa që, larg nga të pasurit elektorat gri, mospjesëmarrja për socialistët më 2023 të tregojë nivelin e angazhimit (dhe të investimeve) të makinerisë së tyre elektorale.
Në zgjedhjet parlamentare, në lojë është i gjithë pushteti i qeverisë qendrore, me miliarda euro buxhet vjetor, i vlefshëm për katër vjet. Në pushtetin vendor, në një zonë që socialistët ndjehen të sigurt, ndoshta ata nuk e kanë marrë mundimin të lodhen shumë.
Pavarësisht se si ndodhi, zgjedhjet e Kuçovës demonstrojnë diçka më dramatike: tridhjetë vjet pas rënies së komunizmit, një zonë që dikur quhej “Qyteti Stalin” dhe që banohej në masë nga ushtarakë dhe naftëtarë, një kandidat si Lefter Maliqi, i cili ka qenë kryekomunar për LSI, deputet për PD dhe drejtor për PS, është në gjendje që thuajse ta përmbysë historinë.
Zgjedhjet në Shqipëri në shumë drejtime janë bërë të pacipa. Jo se kanë qenë shumë më ndryshe në të shkuarën, por dukshëm korrupsioni politik dhe pandëshkueshmëria e korrupsionit politik ka arritur rekorde të reja. Kjo ka gjasa që i ka bërë edhe qytetarët po aq cinikë. Politikanët janë të gatshëm të blejnë vota dhe qytetarët janë të gatshëm të shesin. Nëse politikanët nuk kanë burime, ose nuk janë të gatshëm të shpenzojnë, rezultati i tyre zgjedhor vuan. Të dhëna anektodale sugjerojnë se edhe kur disa votues kanë një prirje, pra dëshirojnë me zemër të votojnë majtas apo djathtas, vota është e vetmja gjë që ata kanë në polisin shqiptar dhe për këtë votë kërkojnë një shpërblim, qoftë ky në akses në pushtet apo para të thata.
Pastaj, në mënyrë të përsëritur, vendi ka parë suksese të njëpasnjëshme të “makinerive elektorale.” Në fillim ishte LSI, e cila u bë e famshme për kuotën 20% në qeverisjen e vendit në aleancë me demokratët, pastaj me socialistët. Pastaj erdhi PDIU që ia doli, përmes një kombinimi të pushtetit me krimin e organizuar, të fitojë dy mandate në Elbasan në zgjedhjet e vitit 2017, si dhe, më 2021, të integruar te struktura e socialistëve, fituan së paku një mandat në Tiranë e një në Elbasan, si dhe kontribuuan fort për një mandat të dytë socialist në Tiranë e një në Elbasan.
Pyetja që shtrohet është nëse vendi ka apo jo një grup qytetarësh mjaftueshëm të numërt, të cilët nuk janë të gatshëm ta shesin votën, nuk shtrëngohen dot nga kërcënimet për heqje nga puna apo për heqje ndihme ekonomike dhe të tillë që nuk u ka ngecur ora në vitin 1990 për të votuar njërën palë apo tjetrën për shkak se historia nën komunizëm i ka vendosur në klasën e zyrtarëve të privilegjuar apo shqiptarëve të persekutuar.
Dhe, nëse ka, a ka ndonjë shans që këta të angazhohen në politikë në mënyrë që të mos e lënë vendin dhe rezultatin e zgjedhjeve në dorë të abuzimit me pushtetin dhe krimit të organizuar?! Në nivel kombëtar, shenjat janë që po.
Sali Berisha pretendoi pas zgjedhjeve të 14 majit se ai vetëm kishte 500 mijë vota. Ka më shumë gjasa në fakt që secila prej këtyre 500 mijë votave t’i përkasë qytetarit që e ka hedhur atë. Berisha, si produkt i kultit të individit të regjimit komunist, nuk është çudi që të ketë një numër votuesish, të cilët do ta votojnë deri në vdekje, por nëse ky numër fanatikësh është 50 mijë apo 500 mijë, kjo është e vështirë të thuhet.
Ajo që është e lehtë të thuhet është se, në krahasim me vitin 2021, rreth 207 mijë shqiptarë vendosën të mos votonin as për koalicionin Berisha-Meta dhe as për Partinë Demokratike zyrtare (e cila kishte kandidatë në vetëm 13 nga 61 bashkitë e vendit), ndërsa kishin votuar më 2021 për Partinë Demokratike ose Lëvizjen Socialiste për Integrim. Përveç këtyre, edhe 46 mijë të tjerë, të cilët kishin votuar për Partinë Socialiste dhe Partinë Socialdemokrate në vitin 2021, nuk vajtën të votojnë më 2023. Grupi i votave të “të tjerëve”, ku përfshihen votat për partitë e vogla apo votat e pavlefshme, shënoi 20 mijë më pak këtë vit, për një total prej afro 274 mijë votash. Shto këtu edhe një pjesë të votuesve, të cilët, duke mbyllur hundët, vajtën të votonin kandidatët e opozitës për inat të kandidatëve të maxhorancës dhe mund të thuhet se me të vërtetë, së paku 300 mijë shqiptarë, nuk janë qorra, nuk votojnë njërën parti për shkak të historisë familjare, nuk shiten për para dhe nuk shtrëngohen dot lehtë nga abuzimi me pushtetin qeveritar.
Nuk është çudi që, aty ku liria ekonomike është krahasimisht më e madhe dhe shteti i së drejtës funksionon relativisht më mirë, pra në Tiranë, të gjendet numri më i madh i këtij “elektoratit gri.” Më 14 maj në Shqipëri u hodhën 274 mijë vota më pak se sa më 2021, por 77 mijë prej tyre ishin në Tiranë. Vini re gjithashtu që në territorin e Bashkisë Tiranë, 34 mijë vota i munguan socialistëve, 46 mijë dy kandidatëve të opozitës, ndërsa votat e “të tjerëve” u shtuan me 3,500. Në Tiranë tani votat “të tjerë” janë 10% e totalit ose 31 mijë. Zona të tjera të rëndësishme ishin: Durrësi e Vlora me nga 20 mijë secila, Fieri me 19 mijë, Elbasani me 17 mijë dhe Shkodra me 10 mijë.
Të 300 mijë votuesit e kësaj kategorie, nëse do të kishin zgjedhur në grup një parti të caktuar, do të mund t’i kishin dhënë asaj 25-30 mandate deputetësh. Vetëm votat e kandidatëve “të tjerë” në Tiranë, mjaftojnë për të prodhuar dy deri në tre mandate deputetësh, përveç këtyre të mësipërve. Pyetja natyrisht që është se çfarë i pengon që të organizohen.