Kam lëvizur përsëri. I treti, Spitali Kombëtar i Rehabilitimit. Qendër kërkimore në kryeqytet. Uashington. E dhjeta ditë. Vetëm në dhomë, ndonëse janë dy shtretër.
– Je i izoluar,- thotë Xhefi, infermieri – Covid-19.
E kam të vështirë të përqendrohem. Xhefi është djalë i ri. I ardhur nga Afrika. Në fytyrë tregon dhembshuri.
– Doni të thoni se jam…
– Po, në testin e fundit keni dalë pozitiv.
– Këtu?
– Jo, te spitali universitar Xhorxh Uashington.
Spitali i dytë, pas atij në Shqipëri. Më vjen si nëpër ëndërr infermierja ballëvrenjtur, sylodhur, pjesa tjetër e fytyrës mbuluar me maskën N95, që mirë nuk më shpoi hundën, kur mori mostrat.
– Bëhet për të vlerësuar praninë, tani ose në të shkuarën, të SARS-CoV-2.
– Nuk ju kuptoj.
– Testi zbulon praninë e virusit ose antitrupat e prodhuar në përgjigje të infeksionit.
– E kam kaluar… pa e kuptuar. Doni të thoni.
– Mundet. Sot erdhi përgjigjja e testit, e bërë këtu. Negativ. Nesër do të keni, me siguri, një mik në dhomë.
Kam filluar të tërhiqem, mbyllem në vetvete. Ikur humori. Gjatë natës më kap ankthi, mendime, që si kam pasur më parë. Problem me gjumin. Dhimbje muskujsh. Oksikodoni, ilaçi që përdor për dhimbje, është pjesërisht shkaku i ndryshimeve që kam pësuar, sipas Dr. Gosai-t. Doktoresha rreze drite në tunelin e gjatë të sëmundjes sime.
– Vepron në tru,- më tha në vizitën e mëngjesit,- ndryshon mënyrën se si trupi ndihet dhe i përgjigjet dhimbjes.
– Lehtëson dhimbjen. Por, gjatë natës ishte e padurueshme. Në të gjithë trupin.
– Dozën e bazojmë sipas gjendjes suaj mjekësore. Dhe, përgjigjen ndaj trajtimit. Ju mund ta rrisni. Kërkojani infermieres.
– Edhe një tabletë tjetër, 5 mg.
– Po, oksikodoni punon më mirë, kur shfaqen shenjat e para të dhimbjes. Nëse prisni të përkeqësohet, ilaçi mund të mos funksionojë. Merreni me shumë ujë,- qeshi me sytë e bukur.
Në gjumë… ëndërr… syçelur, mbyllur. Zë kumbues. Të jem në auditor. Universitet.
– Hello friend! Jam… Leigh (Liii).
Kthehem ngadalë. Operacioni në shtyllën kurrizore, i dyti pas atij në Tiranë, kryer në spitalin Xhorxh Uashington më jep dhimbje pas çdo lëvizje.
– Muçi. Më quajnë Muçi. Mirë se erdhe!
Zëri më del i ngjirur, i dobët. I mungon vëllimi, shkëlqimi, dallueshmëria. Krahërori i shtypur prej rrypit të sigurisë, ka dëmtuar edhe mushkëritë. Ato me mund shtyjnë ajrin jashtë. Në shratin bosh qëndron ulur në mënyrë të qetë, i lirshëm në sjellje; rroba e spitalit e ngushtë në kraharorin e gjerë; fytyra ndriçim diellor; e tërë figura krijuar me ajër lirie. Autoriteti që të imponon i vjen nga Perëndia, them me vete. Ashtu, i mjergulluar më kujtohet diçka që kam lexuar – çdo udhëheqës nuk është veçse një kujdestar i pushtetit të Perëndisë… Përse më shkoi mendja te njeri i madh.
***.
E shtunë. Mëngjes. Ende në shtrat, bie telefoni.
– Zoti Muç.
– Zoti Li.
– Është telefonata e parë që bëj sot.
– Më gëzove shumë. Edhe, për mua është e para që marr pas daljes nga spitali.
– Të kam thënë se je miku që kam bërë më shpejt në jetë. Dhe, kam mësur diçka, që më kish munguar. Sjellja me…
– Eh, unë po. Kulturën tuaj të Jellës. Yale University.
– Të kam thënë ç’më ka ndodhur me shkollën?
– Jo.
– Pra, pasi isha pranuar të ndjek universitetin me emër të madh, më thërret në zyrë dekani. “Zoti Uillson, mendoj të shihni një universitet tjetër”, nuk po i besoja veshëve, “niveli dhe kërkesat këtu janë të larta…”, me mirësjellje lashë dekanin dhe iu përvesha punës duke e mbaruar me rezultate të larta.
– Unë e kam quajtur dhuratë nga Perëndia miqësinë me ju.
– Doni të dini çfarë kam mësuar nga ju.
– Po bëni shaka.
– Sjelljen me infermieret, ndihmësinfermjeret dhe pastrueset… Një të thirrur i bëje dhe ato gati të të shërbenin.
– Eh, ta dinin ato, kush ishte i sëmuri në shtratin tjetër. Do t’më kishin hedhur nga dritarja, vetëm e vetëm t’ju shërbenin…,- Zoti Li shpërthen së qeshuri.
Duke kërkuar në “Google” rreth mikut tim të ri, mësova se ishte drejtori dhe kryetari jo ekzekutiv i kompanisë minerare “Kaldonia”, me kapital qindramilionësh dollarë. Kompania merrej me nxjerrjen e arit në Zimbabve.
– Kur të ngrihesh në këmbë do të shkojmë për një drekë me verë të mirë. Por, me një kusht, që në shtëpi do të kthehemi me “Uber”.
– E pres me padurim atë ditë.
Sytë më mbushen me lot. Zoti Li ka të drejtë, them me vete. Ai gabim i rëndë më ndryshoi jetën. Të isha kthyer me taksi në shtëpi dhe jo me mikun, që bëri aksidentin krejtësisht të shmangshëm…