Jani Rustemi, i riu 27-vjeçar që u arrestua nga policia e kryeqytetit në 14 prill për vjedhjen e një tapeti dhe një pale atlete, ka ndërruar jetë në spital.
Lajmi konfirmohet për Syri Tv nga burime pranë QSUT.
Rustemi kishte rënë në gjendje koma që prej prangosjes nga policia pak më shumë se 1 muaj më parë.
Çfarë ndodhi me të riun
Sipas policisë, Rustemi më datë 14 Prill, teksa ka qenë i arrestuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe ka shfaqur shqetësime shëndetësore.
Po në të njëjtën ditë, sipas uniformave blu, i është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore dhe gjendja e tij është përmirësuar.
Ditën tjetër, më 15 Prill, ai është dërguar në Gjykatën e Tiranës, për t’u njohur me masën e sigurisë ku i është caktuar “arresti në burg” për vjedhjen e një tapeti dhe një palë atlete.
Më datë 16 Prill, ai është dërguar në Burgun 313, por për shkak të mbingarkesës në këtë institucion është rikthyer sërish në Bllokun e Sigurisë së Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Një ditë më vonë, më 17 Prill, i riu Rustemi ka shfaqur sërish shqetësime shëndetësore. Po këtë ditë, ai është transportuar në spitalin “Nënë Tereza” ku është shtruar në spital. Në njoftimin e saj, policia nuk sqaron se çfarë problemesh shëndetësore ka shfaqur 27-vjeçari Jani Rustemi.
“Me datë 14.04.2023, kohë që ky shtetas ka qenë në Bllokun e Sigurisë te DVP Tiranë, ka shfaqur shqetësime shëndetësore dhe nga strukturat që merren me sigurimin e të ndaluarve dhe arrestuarve është njoftuar shërbimi i emergjencës mjekësore, të cilët janë paraqitur në ambientet e Bllokut të Sigurisë dhe pas ndihmës mjekësore të dhënë, gjendja e tij është përmirësuar.
Me datë 15.04.2023, ky shtetas është shoqëruar në ambientet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku kjo Gjykatë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Me datë 16.04.2023, pas daljes së urdhrit të ekzekutimit të masës së sigurisë nga Prokurori, është përgatitur dokumentacioni i nevojshëm dhe ky i arrestuar është dërguar në IEVP-313, Tiranë. Autoritetet e IEVP 313, nuk kanë pranuar që ta marrin në dorëzim për shkak të mbingarkesës në këtë institucion dhe në këto kushte ai është rikthyer dhe vendosur përsëri në Bllokun e Sigurisë Tiranë.
Me datë 17.04.2023, shtetasi Jani Rustemi, ka shfaqur përsëri shqetësime shëndetësore dhe pas ardhjes së emergjencës shëndetësore është transportuar në spitalin “Nënë Tereza”, ku dhe është shtruar dhe në ambientet e spitalit është siguruar me punonjës Policie të DVP Tiranë. Në zbatim të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorit, me datë 19.04.2023, në ambientet e spitalit “Nënë Tereza”, është marrë në ruajtje nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve”, thuhet në njoftimin e policisë.
***
Ky është rasti i dytë brenda pak muajsh që policisë i ngelin në dorë të rinjtë.
Lear Kurti u arrestua në 19 tetor 2022 nga blutë e Tiranës pranë Don Boskos.
Por gjatë rrugës për në ambientet e komisariatit, 32-vjeçari ka shfaqur probleme shëndetësore.
Ai ndërroi jetë teksa po dërgohej në spital.
Rrethanat e ngjarjes mbeten të paqarta, ndërsa ekspertiza mjeko-ligjore përcaktoi si shkak për vdekjen overdozën, kjo pasi policia pretendon se i riu në momentin e largimit me vrap, ka gëlltitur dy qese të vogla me kokainë.