Teksa shihja emocionet e njerëzve ngado, mërzitjen, inatin, frustrimin, demoralizimin e sinqertë e të çiltër të opozitarëve dhe demokratëve të vërtetë, analizat cinike të shumëkujt që priste këtë moment, gjuetinë për fajtorin nga të katër anët, hutimin dhe tronditjen e shumëkujt që priste e besonte një rezultat ndryshe, realistëve të sinqertë që paralajmëronin prej kohësh një rezultat të tillë me keqardhje e dëshpërim që fjala e tyre nuk po dëgjohej dhe kënaqësinë perfide për poshtërimin e Opozitës të shumicës qeverisëse, anti-Berishianëve që nuk shohin dot përtej figurës së Sali Berishës e analistëve të paguar, nuk mund të mos kujtoja që kemi qenë shumë herë në këtë pikë.
Diçka nuk shkoi as këtë radhë. Natyrisht dhe pa as më të voglin dyshim pesha e jashtëzakonshme e manipulimeve, deformimit të vullnetit të votuesve, presionit, dhunës, ka luajtur një rol thelbësor në këtë rezultat. U bë gjithçka që Partia Demokratike, ajo e bazës, e strukturave, e demokratëve të thjeshtë e të vuajtur, të mos dilte me logon e vulën e saj, e të detyrohej të kërkonte strehim gjetkë, në aleanca deri diku të panatyrshme. Partia Demokratike ishte pa numërues në gjysmat e qendrave të numërimit, ishte pa komisionerë, dhe pa emrin e liderit të vetë në fletën e votimit. Është edhe reforma territoriale e bërë, e cila ju dorëzua pa kushte shumicës qeverisëse ne vitin 2014, që penalizon Opozitën. Një disavantazh tjetër është fakti që Partia Demokratike marrëzisht bojkotoi zgjedhjet e vitit 2019, duke qenë pa asnjë pushtet lokal.
Raporti paraprak i OSBE/ODIHR konfirmon se votat u blenë, u përdor administrata dhe mjetet e burimet shtetërore. Patronazhistët dhe Aktivisti patën patjetër efektin e tyre.
Por a nuk diheshin të gjitha këto? Do të ishte naive të mendohej se kjo radhë do ishte ndryshe. Do të jetë e njëjta situatë në vitin 2025, në vitin 2029 e me radhë, ashtu siç ka qenë në zgjedhjet e kaluara. Partia Demokratike nuk mund të ngelet pas çdo zgjedhje vetëm duke thënë na i vodhën. Pa prezantuar asnjë rrugë shprese, asnjë mundësi për të fituar. Nëse një forcë politike pas çdo procesi zgjedhor thotë vetëm se ja kanë vjedhur zgjedhjet, çfarë pret që votuesi të bëjë? Nëse retorika ngelet disfatiste, do të largohen edhe më shumë seç janë larguar. Shifrat e frikshme të bojkotit nga të rinjtë vijnë se ata janë larguar, sepse askush nuk u jep një vizion shprese dhe një ekip për ta zbatuar atë vizion. Dhe ky është një realitet që duhet njohur. Partia Demokratike duhet të luftojë për votën e lirë, por dhe duhet të kthehet në një alternative tërheqëse që me dallgën e njerëzve të kapërcejë malin e lartë të manipulimeve antiligjore që do të vazhdojnë. Duhet që të reflektojmë dhe të krijohet një strategji për të kapërcyer malin e vështirë të manipulimeve. Nëse kësaj radhe PD mbijetoi, e ka jetike për veten e vendin që më 2025 të fitojë. Dhe duhet ta bëjë duke ngritur moralin e strukturave të demoralizuara dhe demokratëve të ndershëm të dëshpëruar.
Partia Socialiste, me gjithë manipulimet e deformimet e votës ka marrë rreth 785 mijë vota, në të njëjtat nivele pak a shumë si në zgjedhjet e kaluara. Pra, të gjithë këtë makineri elektorale, me të gjithë këto deformime të votës, e ka përdorur për të mbuluar boshllëqet që ka te votuesit e vet, që ose e kanë bojkotuar ose do votonin kundër. Sepse pas 10 vitesh qeverisje të keqe, është tejet normale që ajo të ketë rënie drastike. E ndaj i duhet të mbulojë pikërisht këto rrjedhje të mëdha votash që të mbajë të njëjtin nivel votuesish. Koalicioni Bashkë Fitojmë ka marrë rreth 500 mijë vota, dhe Partia Demokratike e Enkelejd Alibeajt rreth 51 mijë vota. Ku janë votuesit e Opozitës? Nuk duhet thjesht të krahasohemi me 2021shin. Sepse dhe atëherë PD kishte me pak vota se ne 2013. Opozita është aty për të bindur, dhe për të ofruar shpresë e siguri që votuesi ta votojë. Shpresën e ngre ose e vret Opozita – dhe këtë e bën me kandidatët, me vizionin e programin dhe me ekipin qendror të saj. Gjithashtu, përveç shpresës, PD duhet të ofrojë siguri për njerëzit kur ata të shkojnë të votojnë. Se nëse nuk garanton as këtë, si mund të kërkojë votën e njeriut të thjeshtë.
Kandidatët e dalë nga primaret në pjesën më të madhe të tyre ishin goxha të mirë. Kishin program, bënë një fushatë dinjitoze, dhe prekën problematikat reale. Kryetari i Partisë Demokratike Berisha ka pasur një ndër artikulimet më të mira politike që unë kam parë, tërësisht konservatore, duke bërë një kontrast të qartë të atyre që ai propozonte dhe mendimit politik të djathtë me atë që e majta ka bërë në vend. Por kaq nuk mjafton.
Qartësisht ka munguar elementi i tretë – hapja reale e partisë dhe ekipi që do inspironte mjaftueshëm në rang qendror, i cili do të bënte të mundur incentivimin e njerëzve për të dalë e për të votuar dhe do kryente punën në terren. Ekipi drejtues i tanishëm nuk bind. Dhe ndoshta dhe për këtë shkak, njerëzit kanë refuzuar dhe kandidatë të mirë. Nëse do të dalim nga flluska që shpesh biem, do të kuptojmë që njerëzit e thjeshtë kërkojnë një Parti Demokratike të hapur, me njerëz të rinj (jo domosdoshmërisht në moshë, por në ide e veprim) e të aftë, që bindin e frymëzojnë, që dinë ç’të thonë dhe se si do të veprojnë nesër në qeveri. Në këtë një vit, Partia Demokratike nuk krijoi perceptimin se është një parti e hapur, me ekip të aftë sepse në udhëheqjen e saj, dhe në studiot televizive, si dhe në aksion politik të dukshëm, janë të njëjtat figura që kanë qenë dhe në opozitën e ish kryetarit Basha. Mjafton të bëni një sondazh nëpër rrugët e Tiranës me votues pa parti, për të kuptuar këtë gjë. Mendoj se kjo dhe fakti që kishte një logo më vete të Partisë Demokratike, dhe u desh të krijohej një listë me Partinë e Lirisë, ku në fletë ishte emri i kryetarit të PL, mbajti larg elektoratin gri, dhe nuk afroi ata që kanë emigruar këto vite.
Nga ana tjetër, pamë në Mirditë me zotin Albert Melyshi apo Kavajë me zotin Fisnik Qosja, me figura të reja mbi të cilët nuk ka hije korrupsione apo skandalesh, të paprovuar në qeverisje, se zgjedhjet mund të fitohen. Programi i tyre kombinuar me rritjen e numrit të pjesëmarrësve, ardhjen e emigrantëve, dhe cilësisë së kandidatëve të rinj, me lidhje me komunitetin e të pranuar prej komunitetit ishte ajo që i dha fitoren opozitës në këto bashki. Kjo duhet replikuar në shkallë kombëtare.
Paralelisht me denoncimin e zgjedhjeve, duhet rifilluar puna për të ringritur një të djathtë që frymëzon, me ide, program e alternative, me logon e vulën e saj, dhe njerëz të rinj që të tejçojnë këtë frymë dhe që të bindin. Nëse ne nuk besojmë se e djathta vjen në pushtet vetë, atëherë çdo përpjekje tjetër është e kotë. Nuk mund të lihen demokratët e thjeshtë dhe të djathtët të bien në dëshpërim e largim masiv pas çdo zgjedhjesh të humbura duke u thënë që këtu nuk fitohen zgjedhjet se na i vjedhin. Po, zgjedhjet fitohen, me punë të vazhdueshme në terren me njerëzit, me program, me ide, me ekipe që afrojnë elektoratin gri dhe rrisin pjesëmarrjen. Duhen afruar minimumi 200 mije demokratë që ose bojkotojnë ose janë larguar. Partia Demokratike duhet të ketë struktura të forta në Itali, Greqi, nëpër Europë. Duhet të përdorë rrjetet sociale për të arritur te çdo shqiptar kudo që është, me një retorikë dhe njerëz që ata i bën të kthehen. Vetëm pjesëmarrja masive mbi 50 përqind mund të zbehë efektin e manipulimeve e deformimit të zgjedhjeve. Kjo pjesëmarrje duhet të jetë synimi i Partisë Demokratike.
Duhet të fillojë menjëherë puna në terren me krijimin e strukturave që do kenë si synim rritjen e pjesëmarrjes, afrimin e emigrantëve dhe qëndrimin pranë qytetarëve në çdo cep të Shqipërisë 365 dite në vit. Në 61 bashki duhet te ketë 61 struktura të zgjedhura në mënyrë të decentralizuar. Një faktor kryesor që ka çuar në këtë rezultat është dhe përfshirja e individëve nga lart në përcaktimin e Këshillave Bashkiakë, ndërhyrje të cilat duhet të marrin fund. Këto 61 struktura, sipas modelit Amerikan, duhet të rekrutojnë vullnetarë, të rinj e të reja, demokratë të të gjithë ekspertizave, për të krijuar mini makineri elektorale në çdo bashki me ekspertë në marketing, në IT, në shkenca politike, në komunikim. Nuk mund të bëhen fushatat me stilet e viteve 90, ndërkohë kundërshtari politik vepron në nivel dhe me organizim tjetër tërësisht. Duhet dhe që këto struktura, me vullnetarë që më pas do jenë numërues, vëzhgues e komisionerë, të arrijnë të parandalojnë shitblerjen, dhe më pas ta mbrojnë votën. Por duhet të jesh fizikisht si forcë politike në terren, pa lëvizur për vite me radhe, e jo dy muaj përpara.
Primaret nga ana tjetër duhet të vazhdojnë e të përmirësohen, duke zvogëluar ndërhyrjet nga lart sa më shumë të jetë e mundur. Natyrisht, as primaret e radhës nuk do jenë perfekte, por e rëndësishmja është që të vijnë drejt përmirësimit.
Zgjedhjet e lira brenda Partisë për Kryesi, Këshill Kombëtar, Sekretariate, Kryetarë Degësh etj. do duhet të prodhojnë një elitë të re drejtuese në çdo nivel, që do të jetë në pjesën më të madhe dhe ajo që do qeverisë vendin. Kjo është hapja që diskutohet shpesh. Është e lehtë t’i kërkojmë Doktorit dorëheqjen, por nuk do të zgjidhte gjë në këto kushte mendoj. Ashtu siç vetëm largimi i kryetarit të kaluar nuk zgjidhi shumë probleme. Berisha ka detyrën e vështirë të menaxhojë hapjen e Partisë, dhe të garantojë që zgjedhjet e konkurrenca e lirë brenda Partisë të prodhojnë një rifreskim të vërtetë dhe të nxjerrë drejtuesit e ardhshëm të asaj partie dhe të vendit, duke u larguar nga mediokriteti dhe paaftësia. Rithemelimi i vërtetë fillon me këtë. Duhet të marrë fund një herë e mirë njolla e madhe që shoqëron PD, si parti që manipulon votat brenda vetes dhe riciklon pa fund në të njëjtat poste të njëjtët njerëz. Këto dy vite në vijim, mendoj se janë mundësia e fundit për Partinë Demokratike. Vetëm një ndryshim kursi dhe reformim i vërtetë do e çojnë drejt fitores.
Sigurisht, e gjithë kjo do të duhet të shoqërohet me delegjitimimin e këtyre zgjedhjeve nëpër të gjithë kancelaritë Europiane, me denoncimet, me betejën në Parlament, me marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, me aksionet politike si protesta etj. Nevojitet një kombinim i të tërë këtyre elementëve për një dyvjeçar të ardhshëm që në fund do të duhet të kurorëzohet me fitore.
Nga ana tjetër, do të duhet të kërkohet me ngulm një ndryshim i kodit elektoral, për të rikthyer të paktën koalicionet, dhe për të zhbërë dëmet në sistem të viteve të fundit.
Së fundmi, Partia Demokratike, me nismën e kryetarit të saj Berisha prodhoi një dokument që qëndron në themel të saj dhe i jep vizionin politik, dhe boshtin filozofik e të vlerave si një forcë konservatore e qendrës së djathtë (siç është Partia Popullore Europiane, EPP apo Partia Konservatore Europiane, ECR), pra vlera konservatore të familjes, pronës, lirive individuale, besimit në Zot, komunitetit dhe ekonomisë së tregut, konkurrencës së lirë, politikave ekonomike të anës së ofertës. Retorika e Doktorit në këtë fushatë ishte në këtë linjë. Por është e pamjaftueshme nëse këtë frymë nuk e përqafon e gjithë Partia Demokratike me njerëz që t’i artikulojnë si duhet këto ide, dhe që largohen nga retorika 30 vjeçare, e drunjtë e që jo vetëm nuk inspiron, por tremb shqiptarët.
Nëpër emisione televizive dëgjoj shpesh që Partia Demokratike nuk ka program e as ide. Dëgjoj thirrje që i bëjnë Doktorit për të krijuar një bosht programor. Pra, shume pak e dinë që një dokument i tillë që e kërkojnë votuesit gri, intelektualët, të pavarurit dhe sigurisht të djathtët, ekziston. Doktori dhe Partia Demokratike nevojitet të bëjnë një punë më të madhe për të vënë në dukje që kjo Parti ka vërtet ide, prodhon politika, dhe nëse nesër i jepet besimi për të qeverisur mund ta bëjë atë me këto vlera të djathta, me këto ide bazë, dhe me një ekip njerëzish të zotë, të aftë, që dinë të flasin dhe të veprojnë dhe që inspirojnë njerëzit të vijnë e të votojnë për ta.
Nëse nuk ndodhin të tërë këto, dhe ndoshta shumë të tjera që unë i kam harruar, por që një analizë serioze do të duhet ti evidentojë, ne sërish do të jemi duke u qarë për vjedhjet e radhës, ndërsa demokratët e qytetarët shqiptarë do vazhdojnë të dynden dyerve të huaja. Humbësit ngelen te denoncimet dhe justifikimet, fituesit kanë guximin të reflektojnë e ringrihen, edhe kur kundër kanë gjithë botën. Partia Demokratike aspiron të jetë fituese, dhe ndaj do të duhet të dijë dhe të dojë të kthejë kurs e të ndërmarrë rrugën e duhur për të shkuar drejt fitores. E kundërta, do të ishte katastrofike për vendin e shqiptarët.