Kryetari demokrat, Sali Berisha, përsëriti në konferencën për shtyp se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira.
“Ata që besojnë se kjo blerje masive e votës mund të kapërcehet me frymë, mashtrojnë veten. Ata besojnë se Edi Rama bën zgjedhje të lira dhe pranon rotacionin.
Detyrimi për të mbrojtur votën e lirë të shqiptarëve më shtyn të flas para jush: me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira.
Në këto zgjedhje, më shumë se në çdo zgjedhje tjetër në 32 vite, e gjithë qeveria qendrore, e gjithë qeveria vendore, u shndërruan në një makineri mafioze elektorale.
Përballë garonin 61 kandidatë, në 61 bashki të vendit, të cilët u votuan nga 510 mijë qytetarë dhe patën zero financime nga financat publike të narkoshtetit shqiptar. Ata të cilët injorojnë këtë realitet, si realitet të papajtueshëm me çdo standard të votës së lirë, ata janë anëtarë të mafies së narkoshtetit ose kanë probleme me veten e tyre.
Unë do mbroj votën e lirë!
Për rikujtesë, pas ardhjes në pushtet në vitin 2005, në zgjedhjet e vitit 2009, firmosa një vendim ku ndaloja të gjithë zyrtarët, përfshi kryeministrin, që të përdorin për fushatë mjete apo burime zyrtare. Ambasadorja Glover kryesonte vëzhgimin e zgjedhjeve të vitit 2009. Ajo shkruan se ky urdhër i kryeministrit u zbatua plotësisht.
Unë në vazhdim do ju njoh ju me të gjithë aspektet e tjera të kësaj farse kriminale të paprecedent.
Me Edi Ramën zgjedhje nuk ka dhe këtë çdo shqiptar që dëshiron ose beson se shteti ligjor, se ekonomia e tregut, se e ardhmja garantohen vetëm me votën e lirë, duhet të bëjë gjithçka për të larguar këtë armik të votës së shqiptarëve.
Duke thënë këto, garantoj çdo demokrat dhe çdo qytetar, se analiza e të gjithë veprimtarisë elektorale të PD-së do të jetë një analizë e plotë, e thelluar, pa asnjë hezitim, në përputhje me të gjitha normat që kemi,” tha Berisha. syri.net