Intervistoi: Fran Gjoka
Z.Viron, përshëndetje dhe urimet më të mira! E di që jeni vazhdimisht i përfshirë në punët krijuese dhe punoni parreshtur, ndërkohë që jeni i vlerësuar nga lexuesi, veçanërisht nga lexuesit
e vegjël. Çfarë mund të na thoni për “sekretet” e krijimtarisë dhe cilat janë disa nga rekomandimet tuaja për lexuesit e rinj?
-Faleminderit për fjalët vlerësuese dhe për intervistën. Është e vërtetë ajo që përmendni: një krijues duhet doemos të vijojë krijimtarinë e tij pa e ndërprerë, ndonëse gjatë rrugës ka edhe frenime apo ndalesa të përkohëshme. Populli thotë “Po e le, të la”, një fjalë e urtë kjo, që më ngjason me nisjen e një lundrimi me anije në oqean. Atje doemos që duhet të lundrosh, duke përballuar, herë detin e qetë si pasqyrë e shndërritshme, herë stuhitë e fuqishme detare dhe dallgët e larta, herë ndeshjet me grabitqarë të rrezikshëm…
-Doni të thoni që në krijimtari kërkohet guxim?
-Po, por guximi është krejt i pamjaftueshëm nëse nuk ke përgatitje, kulturë, dije të gjerë, imagjinatë dhe përvojë jetësore. Ndryshe krijimi del i mangët, rakitik, del si një trung i thatë, ndërkohë që duhet të përngjasë me një rrap apo lis kurorëgjerë dhe të mbushur me gjethet e pranverës.
–
Çfarë nënkuptoni ju me përvojën jetësore?
-Përvoja është vetë jeta e krijuesit. Kushtet dhe mënyra sesi ai ka jetuar fëmijërinë, sa e pasur ka qenë ajo fëmijëri me episode dhe ngjarje përshtyplënëse, që ai ka kaluar vetë, i ka dëgjuar nga prindërit apo të tjerë. Por është edhe përvoja e rinisë dhe etapat e tjera të moshës që kalon çdo njeri. Një jetë e pasur me episode dhe ngjarje, natyrisht që i jep dorë krijimtarisë është “lënda e parë” që krijuesi ka akumuluar brenda vetes, por që ai e vë atë në lëvizje dhe e përpunon me imagjinatën e tij. Shkrimtarë të mëdhenj thonë se “në një farë mënyre, krijuesi, poeti apo prozatori, shkruan jetën e tij…”
-Gjithnjë është folur me nënkuptime për të fshehtat e krijimtarisë për talentin dhe frymëzimin artistik. Ju çfarë mendoni?
-Krijimtaria nuk ka të fshehta. Krijuesit e vërtetë janë njerëz të zakonshëm dhe të tejdukshëm, edhe më të mëdhenjtë, askush prej tyre “s`ka rënë nga qielli”. Që ta shprehësh diçka me gjuhën e artit, në radhë të parë duhet ta duash atë. Në Vlorë është një mjeshtër që ndërton anije të llojeve dhe formave të ndryshme me dru. Ai e ka atë pasion që nga fëmijëria, është rritur në qytetin bregdetar, detin e ka pasur gjithnjë në sy e në zemër, me siguri ka lundruar me disa tipa anijesh dhe pasioni i tij për të ndërtuar me duart e veta anije që ngjasojnë me ato origjinale, të reja apo të vjetra, është ngjizur aty në mjedisin ku ai jeton. Ai ka ndërtuar fillimisht një anije të thjeshtë dhe më pas edhe llojshmëri anijesh, duke ngjallur respektin e njerëzve që i shohin apo i blejnë ato për të zbukuruar mjediset e pronave apo shtëpive të tyre. Mora këtë shembull, por mund të shprehem kështu edhe për një bletërritës, një bahçevan që e qëndis kopshtin e tij me larmi lulesh që të magjepsin me bukurinë dhe me aromat e tyre, një mjeshtër të gdhendjes së veglave muzikore, një këngëtar, një kompozitor, një piktor a skulptor, një aktor filmi apo teatri, një poliglot, që zotëron disa gjuhë të huaja, një ciceron, një nxënës që shquhet dhe dallohet nga të tjerët në matematikë, në gjuhë, në vizatim; një stilist, që modelon dhe qep veshje të bukura, një arkitekt… Të gjitha
këto lloje arti kanë një të përbashkët, që i lidh me njëra tjetrën
–
Cila është kjo e përbashkët? Mos është talenti?
-Mendoj që talentin s`duhet ta hyjnizojmë apo ta shenjtërojmë, sikur ai ka ardhur nga një fuqi hyjnore e qiellore. Unë pajtohem me shpjegimin që jep edhe fjalori shqip apo i gjuhëve të tjera, që talenti është një veti natyrore (do të thosha njerëzore) që ka njeriu për ta përvetësuar diçka shpejtë e lehtë, një aftësi për të bërë diçka shumë mirë e në mënyrë krijuese; është zotësi e veçantë që e shquan një njeri në një fushë të caktuar…
Mund të kesh gjëra në mendje, madje shumë të bukura dhe interesante, por po nuk punove që t`i realizosh, ato mbeten gjithnjë projekte, mbeten gjithnjë ëndrra. E kujt i duhen projektet e parealizuara dhe ëndrrat e bukura? (mbase fallxhoreve!).Drejpërdrejt talenti është dashuria për punën krijuese, pasioni për diçka të veçantë. Njeriu që përkushtohet në një punë të caktuar, përqendron aty të gjithë energjitë e tij dhe vëmendjen, aty ai është i palodhur, për atë flet dhe bisedon vazhdimisht, për atë, madje ai sheh edhe ëndrra. Ai është kurdoherë i zënë me krijimin e tij (me punën e tij të dashur), atë e gjen gjithnjë duke punuar dhe duke menduar për dashurinë e tij…Edhe krijuesit më të mëdhenjë të botës, historikisht, e thonë: “99 për qind është punë, 1 për
qind është talent…”Apo siç thotë Ajnshtajni:” “Gjeninë e bën 1 për qind talenti dhe 99 për qind puna e mundimshme”.
Thonë, se Ciceroni, kur ishte i vogël i mbahej goja, por ai me vullnet të jashtëzakonshëm dhe me besim në vetvete dilte në bregun e detit dhe i përsëriste fjalët me zë të lartë me qindra dhe me mijëra herë derisa t`i shprehte mirë dhe qartë. Thuhet gjithashtu se komisioni e pranoi me vështirësi Edisonin që të hynte në klasën e parë të shkollës fillore, sepse e konsideronin me zhvillim të vonuar. Por ai u bë ndër shkencëtarët më të famshëm që i ka dhënë botës qindra dhe mijëra shpikje. Ai e sintetizon madhështinë e tij me shprehjen: ”Unë nuk kam dështuar. Vetëm kam zbuluar 10 mijë mënyra të cilat nuk kanë pasur sukses” ose ”Mënyra më e sigurt për të patur sukses është që gjithmonë të provoni edhe njëherë tjetër”.
Disa nga librat e shkruar në vite nga shkrimtari Viron Kona
-Si mendon se zbulohet e “lënda” e parë e artit?
-Arti nuk është diku dhe ti duhet ta gjesh. Ai nuk është larg njeriut, ai është fare pranë, madje shpesh herë njeriu e ka atë brenda vetes në fillim si ndjenjë, si pasion dhe dëshirë. Çështja është që njeriu duhet ta zgjojë atë, por edhe ta vëzhgojë atë “lëndë të parë” te njerëzit e afërt apo të largët, tek episodet dhe ngjarje me të cilat ai përballet, që i dëgjon apo i bëjnë përshtypje, i lënë mbresa të thella dhe të paharrueshme. Jo rrallë kemi dëgjuar shprehjen: “E kërkoja dashurinë larg meje, kurse njeriun që dashuroja e kisha fare pranë !”. Shumë artistë të mëdhenj e kanë nisur krijimtarinë e tyre kur dikush u ka vënë në dukje se ata mund të shkruajnë poezi, mund të pikturojnë, mund të këndojnë apo kompozojnë… Kam lexuar se Andersenit, “mbretit” danez të përrallave, as që i kishte shkuar në mendje të merrej me shkrime letrare dhe me përralla. Dikush, një aktor i zakonshëm i kishte thënë:”Ti ke aftësinë për të shkruar bukur” dhe, nga ajo këshillë, Anderseni i ishte futur shkrimeve letrare dhe përrallave duke u bërë njëri nga përrallëtarët më të mëdhenj dhe më të famshëm të botës…(Kujtoni përrallat: “Mbreti lakuriq”, ”Sirena e vogël”, “Këpucët e kuqe”, “Rosaku i Vogël i Shëmtuar”, “Mbretëresha e dëborës”).
Takim me lexues te vegjel te shkolles 9-vjeçare “S.Maçi”,Tirane.
-Ju thoni që është dashuria për punën krijuese “sekreti i krijimit”. Çfarë kuptoni me këtë shprehje?
-Sipas meje, askush nuk ta sjellë frymëzimin për të krijuar në një “pjatë magjike apo në një pjatë të argjendtë”. Imagjino se sa e duam floririn, perlat, margaritarët. Por ato gjenden me shumë vështirësi. Peshkatarët e perlave e dinë sesa mundohen ta gjejnë guaskën që ka perlën apo margaritarin midis mijëra të tjerave, që ndodhen në fundin e detit…Apo, që të nxjerrësh qoftë edhe një gram flori nga kromi, që ne shqiptarët e nxjerrim në Bulqizë e gjetkë, duhet shumë punë e mundim, duhen sakrifica të mëdha. Minatorët e kromit e dinë më mirë këtë, sepse ndodh që ata e paguajnë me jetë nxjerrjen e kromit. Pastaj, kromi duhet të përpunohet me teknika dhe teknologji të sofistikuara, në fabrika apo uzina të posaçme. Në vazhdim ai përpunohet pareshtur, gjersa e shohim në një varëse floriri, në një unazë, në një byzylikë… Kini parasysh, romanin “Lufta dhe paqja” të Tolstoit. Janë mijëra faqe të shkruara dhe të botuara, të cilat na krijojnë kënaqësi gjatë leximit, por dhe na tregojnë “si në pëllmbë të dorës” kohën kur zhvillohen episodet, ngjarjet. Atje ne gjejmë qindra personazhe, tipa dhe karaktere që portretizohen aq mjeshtërisht; atje lexojmë përshkrime të mrekullueshme dhe të pafundme… Imagjinojmë se sa shumë punë, sa shumë mundime, ka kaluar ai njeri i madh, derisa ka vënë pikën e fundit në atë roman. Pra, ai roman, nuk mund të krijohej pa dashuri, pa frymëzim e përkushtim, pa durim dhe këmbëngulje…
-Ju doni të thoni se krijuesit janë të veçantë?
-Në një farë mënyre po, por potencialisht shumë njerëz do të ishin krijues shumë të mirë si poetë, shkrimtarë, piktorë, kompozitorë etj., nëse do t`i futeshin me dashuri dhe përkushtim rrugës së krijimit (sigurisht, në kushte të diktaturave dhe regjimeve fashiste, disave u është privuar me dhunë ajo mundësi). Gjithsesi në jetë secili bënë zgjedhjen e tij. Njëri ka dëshirë të shkruaj dhe të botojë, tjetri ka dëshirë të lexojë, të debatojë apo të bëj kritikun. Njëri ka dëshirë të këndojë apo kompozojë, tjetri ka dëshirë e pasion të dëgjojë, e, kështu me radhë…Nuk e di pse, në këto çaste më vjen ndërmend një thënie: “Në botë kanë kaluar pa u ndjerë dhe pa mundur të tregojnë talentin e tyre miliona njerëz…” Ndërkaq dëshiroj të them se kam dëgjuar lexues të ndryshëm, të cilët pasi kanë lexuar një poezi, një tregim apo një novelë të bukur, kanë ngritur sytë nga qielli dhe kanë thënë: “O Zot! Këtë që ka shkruar ky, e kisha edhe unë në mendje! Këtë mund ta shkruaja edhe unë!”. Por, dikush mund t`i thotë: “Kur e kishte në mendje, pse nuk e shkrove?” Në fakt ai nuk e shkroi sepse i mungonin shumë gjëra që thashë më sipër, por edhe pasioni, frymëzimi, përkushtimi, i mungonte durimi dhe puna me orë të tëra, për ta krijuar dhe për ta përfunduar atë punë me dashuri dhe përkushtim… Mund ta ilustrojmë këtë që dua të them, edhe me një bujk që është punëtor dhe i ditur, i cili e shndërron një tokë djerrë në një tokë pjellore dhe të begatë, kurse një bujk dembel dhe i paditur, edhe tokën më pjellore e shndërron në tokë djerrë, në tokë shterpë, ku rriten vetëm hithra dhe barëra të këqija.
–Personazhet i merrni nga jeta apo i krijoni?
-Personazhet janë njerëz që më kanë bërë përshtypje, që kanë lënë “gjurmë” në jetën time, por kur i kam paraqitur në libra, i kam rikrijuar me ndihmën e imagjinatës. Duken sikur janë ata që kam njohur, por na fakt janë shumë ndryshe, janë ashtu siç i kam dashur unë të jenë, qofshin personazhe pozitivë apo negativë. Sepse, shkrimtari, së bashku me pamjen e jashtme të personazhit, doemos duhet të thellojë edhe botën e brendshme shpirtërore të tij duke e pasuruar atë me ngjyra e nuanca përgjithësuese. Ndaj ndodh që për një tip apo personazh, lexuesi thotë:”Po, të tillë, si ky tipi kam njohur edhe unë!”
-Mendon se kanë rëndësi emrat e personazheve? Si i vendosni ata?
-Duket si pyetje e thjeshtë, por le të mendojmë të gjithë sesa kemi menduar dhe kemi “vrarë” mendjen për t`u vënë emrat fëmijëve tanë… Edhe me krijimin letrar kështu ndodh, ai është shumë i dashur për krijuesin. Vras shumë mendjen për personazhet dhe nuk besoj se kam gjetur gjithnjë emrat e duhur… Gjithsesi, mendoj se më shumë rëndësi ka se ç`përfaqëson një personazh. Kur ai është i dashur, lexuesit i duket i bukur emri i tij. Por mund të ndodh që personazhi të ketë një emër shumë të bukur, por mund të jetë blozë nga përmbajtja. Them se është përmbajtja ajo që përcakton.
-Ka xhelozi midis krijuesve?
-Po, ka si edhe në çdo fushë tjetër të jetës. Xhelozia është pjesë e jetës së njeriut. Thonë “Kasapi nuk e do kasapin”, ”Rrobaqepësi nuk e do rrobaqepësin”…
-Gjeni kënaqësi dhe lodhje në punën krijuese?
-Kur bën atë që do, ndjen vetëm kënaqësi. Për lodhje as që bëhet fjalë, ndërsa orët ikin aq shpejt!
-Çfarë do t`i thoshe ndonjë shkrimtari xheloz?
-Asgjë më shumë, përveçëse të ulet dhe të shkruajë. Koleg, shkruaj, tregoje veten! Hapësira për të krijuar është e madhe, rruga është gjithandej e hapur, në tokë, në det, në qiell…Askush nuk ta ka zënë rrugën!
Kush është Viron Kona?
Ka lindur më 24 qershor 1950 në qytetin e Vlorës. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës, dega Gjuhë – Letërsi. Ka punuar në sektorin administrativ të edukimit dhe arsimimit deri në nivelet e larta, mësues dhe drejtor në disa shkolla 9-vjeçare dhe gjimnaze të kryeqytetit (Tiranë). Më pas, redaktor në gazetën “Mësuesi” dhe specialist në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Shqipërisë deri sa doli në pension. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve prej vitit 1981, anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë të Suedisë, anëtar i Këshillit Kombëtar të Librit, kryeredaktor i revistës “Siguria Rrugore”. Deri më sot ka botuar rreth 52 vëllime me tregime, novela e romane për fëmijë dhe për të rritur.Viron Kona është fitues i 8 çmimeve në gjininë e tregimit dhe të novelës. Fitues i çmimit UNICEF, për librin më të mirë për fëmijë 2006 “Eh, more Bubulino!”, si dhe fitues i çmimit “Penda e Artë e Migjenit”(Festivali Internacional i Poezisë, Borås, Suedi, 2021). Dy vëllimet e para të librit “Eh, more Bubulino!” janë përkthyer në një vëllim të vetëm në Suedi, kurse disa nga tregimet janë botuar edhe në anglisht, frëngjisht e suedisht.