Qeveria e Kosovës thotë se për të krijuar një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, do të shtyjë përpara një model kroat për pakicat kombëtare.
Ky “nivel i vetëmenaxhimit” parashihet me një marrëveshje që Kosova dhe Serbia arritën në Ohër, më 19 mars, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paraqiti “draft-vizionin” e tij për këtë qëllim gjatë një takimi që zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel.
Draft-vizioni erdhi si përgjigje ndaj një draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Kurti e refuzoi, duke thënë se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Duke iu përgjigjur thirrjeve të shtuara të komunitetit ndërkombëtar për të dalë me një propozim konkret për themelimin e Asociacionit, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, u thirr pikërisht në këtë draft-vizion.
“Ne besojmë që propozimi ynë mundëson që të ndërtojmë diçka të re, të drejtë dhe të dobishme për të gjithë”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
“Nesër [11 maj], kryeministri Kurti pret në takim emisarin [e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav] Lajçak, me të cilin do të diskutojnë edhe për rrugën përpara, edhe për takimin e radhës në Bruksel”, shtoi Kryeziu.
Çfarë është modeli kroat?
Draft-vizioni, sipas Kurtit, do t’u ofronte pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë mundësi për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre përmes “kornizës së vetëmenaxhimit”, kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Qeverinë e Kosovës, si dhe mundësi për t’u financuar nga Kosova dhe vende të tjera, përfshirë edhe Serbinë.
Ky dokument, gjithnjë sipas Kurtit, bazohet në modelin e Kroacisë për pakicat kombëtare, përkatësisht në modelin e Këshillit Kombëtar të Serbëve në Kroaci (SNV).
Siç shkruan në ueb-faqen e tij zyrtare, ky këshill “është një person juridik jofitimprurës”. Ai ka vulën dhe simbolet e veta, të cilat janë krijuar në përputhje me Ligjin Kushtetues Kroat për të Drejtat e Pakicave Kombëtare. Gjithashtu ka kryesinë, kuvendin, bordin mbikëqyrës, presidentin dhe këshillin.
Disa nga qëllimet e Këshillit Kombëtar të Serbëve në Kroaci përfshijnë: promovimin dhe realizimin e të drejtave në fushën e kulturës, arsimit, ekonomisë dhe interesave të tjera të serbëve, si dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar, kulturor, gjuhësor dhe fetar.
Statuti specifikon se ky këshill vepron në fushën e të drejtave të njeriut, të drejtave dhe lirive fetare, të zhvillimit të komunitetit lokal, të zhvillimit të qëndrueshëm, të zhvillimit të zonave rurale dhe bujqësisë etj.
Ai bashkëpunon me institucionet shtetërore, qendrore dhe lokale, me organizata dhe institucione qeveritare dhe joqeveritare, si dhe me organizata ndërkombëtare.
Anëtarë të këtij këshilli janë përfaqësues të pakicës kombëtare serbe. Ai financohet nga buxheti kroat, por edhe nga mjetet e marra nga organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, donacionet, të hyrat vetanake, fondet e BE-së dhe aranzhime të tjera që janë në përputhje me ligjin kroat.
Sipas Qeverisë së Kosovës, modeli kroat është zgjedhur për faktin se Kosova me Kroacinë “kanë ndarë një të kaluar të përbashkët” me rastin e shpërbërjes së Jugosllavisë.
“Për më tepër, një model i tillë është pranuar në të kaluarën nga Serbia. Prandaj, besojmë që përbën referencë të duhur për rrugën përpara në raport me Serbinë”, tha zëdhënësi Përparim Kryeziu.
Reagimet lidhur me çështjen e Asociacionit
Komisionari evropian për Çështje të Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Oliver Varhelyi, tha të martën se draft-statuti për Asociacionin, që u paraqit nga një i ashtuquajtur Ekip Menaxhues, më 2 maj në Bruksel, duhet të jetë pikënisje në diskutimet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Duhet të zbatohen të gjitha obligimet nga dialogu, pa vonesa dhe pa kushte, përfshirë edhe ato nga marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai gjatë një debati për Kosovën të mbajtur në Parlamentin Evropian.
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha më 3 maj se “puna për themelimin e Asociacionit ka nisur, por se “duhet shtyrë vazhdimisht përpara derisa të arrihet një model”.
“Ky proces është i rëndësishëm dhe është shumë e rëndësishme që të dyja palët, veçanërisht Kosova, ta marrin seriozisht dhe të lëvizin në mënyrë të përshpejtuar për ta përfunduar atë”, tha Escobar në një konferencë online për media.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u shpreh të mërkurën kundër draft-statutit të prezantuar nga Ekipi Menaxhues, i përbërë nga katër pjesëtarë të komunitetit serb.
“Pika fillestare duhet të jetë Kushtetuta e Kosovës. Jo propozimi i Serbisë që synon të krijojë një tjetër republikë të [udhëheqësit të entitetit serb të Bosnjës, Millorad] Dodik, apo edhe më keq, në rajon”, tha Osmani në një bisedë me Këshillin Atlantik në Uashington.
Sipas saj, “draft-vizioni i Qeverisë së Kosovës i ka prezantuar parametrat, mbi të cilët do të mund të formohet statuti dhe i cili është në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Kushtetutës”.
E, ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, tha se e sheh si hap pozitiv që Kurti ka dalë me “vizionin e tij për rregullimin e pozitës dhe të drejtave të komunitetit serb në Kosovë”.
“Procesi i përgatitjes së statutit ka filluar. Kjo është gjëja më pozitive në këtë moment…”, tha Rashiq për Radion Evropa e Lirë.
Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.
Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është arritur në vitin 2013, por nuk është zbatuar kurrë.
Serbia ka këmbëngulur në kompetenca të gjera për këtë asociacion, ndërsa Kosova ka thënë se të tillat do ta rrezikonin funksionalitetin e shtetit.