Kryetari i Vatrës Elmi Berisha, publikisht ka shfaqur një mungesë qëndrueshmërie të mendimit të tij politik në lidhje me mardhëniet Serbi-SHBA-Kosovë.
Në muajin nëntor, Elmi Berisha ishte i ftuar në emisionin e Lajmeve të Televizionit të Kosovës RTK, ku gazetari Arton Mulliqi, e pyeti:
“Sipas nje deklarate të ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, i cili tha se Serbia është një aleat strategjik për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo pastaj ngriti dilemat që SHBA-të mund të ndërrojnë aleatin e tyre srategjik në rajon duke e lënë kështu përshtypjen se mund të ketë një raport më të mirë me Serbinë sesa me Kosovën”.
Elmi Berisha qe përgjigjur: “Unë pajtohem plotësisht me ambasadorin Christopher Hill. Ne duhet të jem të lumtur nëse Serbia do të qëndrojë në mardhënie të mira, të qëndrueshme, diplomatike me SHBA-të, sepse e vetmja mënyrë ë tejkalimit të situatës që kemi ne më Serbinë, dhe realizimin e aspiratave tona, që e dimë që është njohja e ndërsjelltë, do të ndodhte vetëm nëse qasja e Serbisë karshi Uashingtonit zyrtar, është një qasje e drejtë dhe e rregullt dhe miqësore, do të thotë që nëse Christopher Hill ka menduar, që Amerika është për së mbari me Serbinë, kjo është vetëm pozitivitet për Kosovën…shqiptrët do të përfitojnë nëse ajo ndodh në të ardhmen e afërt”. Shih Videon⬇️
Kur fillimisht e dëgjova këtë deklaratë, u mbeta pa fjalë. Si mundet që kryetari i Vatrës të jetë i lumtur nëse Serbia ka mardhënie më të mira me SHBA-të se Kosova?! Simundet që kryetari i Vatrës të jetë i lumtur nëse lobi serb ndërton mardhënie më të mira me Departamentin e Shtetit sesa lobi shqiptar?! Si mundet që Elmi Berisha të jetë i lumtur nëse partneri strategjik i Amerikës ne Ballkan mund të jetë Serbia dhe jo Kosova?! Çfarë të mire përfitojnë shqiptarët nga kjo?! E pata biseduar edhe me vatranë. Për mendimin tim, kjo deklaratë nuk shënonte asnjë avokati ndaj interesit të Kosovës, që është roli kryesor i Vatrës në këtë rast, përkundrazi tregon një miopi diplomatike, që mua më ngjet me një lobimim ndaj Serbisë më shumë se sa ndaj Kosovës
Para dy ditësh, me datë 7 Maj 2023, pra mbas 5 muajsh, Kryetari i Vatrës Elmi Berisha në një artikull të botuar në Gazetën Diell me titull “Dialogu mer Kosovës dhe Serbisë të jetë nën patronazhin e presidentit Joe Biden”, linku: https://gazetadielli.com/dialogu-mes-kosoves-dhe-serbise-te-jete-nen-patronazhin-e-presidentit-joe-baiden/
Kryetari në detyrë i Vatrës Elmi Berisha, paraqet një qëndrim diametralisht të kundërt, me çfarë ka thanë Nëntor, në përmasat e nje skandali diplomatik, ku shkruan:
“…Qasja dhe deklarimet e tyre [diplomatëve të SHBA-ve], shpeshherë bien ndesh me parimet themelore demokratike dhe në shumë raste duke mbajtur anë në favor të Serbisë. Konkretisht jam ndjerë i befasuar me disa deklarata të ambasadorit të SHBA-ve në Beograd z.Chris Hill…Deklarimet e tij publike kohëve të fundit janë pa sens diplomatik dhe në mbështetje të “diktatorit të vogël” Vuçiq…i cili kohëve të fundit është bërë “partner i besueshëm” i diplomatëve amerikan”.
Intervista e Nëntorit, megjithëse një kalkulim idiot nga z. Berisha i miqësisë Serbi-SHBA, megjithatë duket të jetë një mendim personal i tij, ndërsa ndërrimi i kursit të këtij qëndrimi për të njëjtën çështje dhe të njëjtin dambasador, më lë të dyshoj se mbas kryetarit të Vatrës qëndron një mendimtar tjetër që ja pregatit deklaratat, por që në të njëjtën kohë vënë në dyshim integritetin e gjykimit, vlerësimit dhe të nuhatjes së kohezionit politik të kryetarit të Vatrës, në lidhje me mardhënievet Kosovë Serbinë në relacion me SHBA-të.
Kryetari i Vatrës, shkon edhe më tej duke atakuar në mënyrë banale deri në tallje edhe departamentin e shtetit dhe direkt z. Eskobar:
“…Në të njëjtin diskurs politik po vepron edhe i deleguari i Stejt Departamentit për Ballkaninin Perëndimor z. Eskobar, i cili muajt e fundit po bën një presion të paparë ndaj delegacionit kosovar dhe ka pasur deklarata jo të balancuara dhe aspak diplomatike duke aluduar në përgjegjësi të palës kosovare sa i takon zbatimit të marrëveshjes së Ohrit…Z. Eskobar nuk e ka parë të arsyeshme të takohet asnjëherë me përfaqësuesit e komunitetit shqiptaro-amerikan [Federatën Vatra]. Mbase mendon që po vepron dhe ka potencën politike të ambasadorit Holbruk! Rezultatet flasin të kundërtën! Këpucët e Holbruk janë të mëdha dhe nuk i bien taman as z. Eskobar e as z. Christopher Hill!”
Si në koherencë, po ashtu edhe në substancë, unë i konsideroj këto sulme si skandaloze, pa një parashikim të një rezultati të dobishëm dhe efekti pozitiv të mardhënieve të Federaës Vatra me Departamentin e Shtetit, dhe për pasojë agravim të këtyre mardhënieve të departamentit të Shtetit me udhëheqësinë e Kosovës.
Vetë tituli i artikullit përmban një skandal më vehte, mbasi nëse kryetari në detyrë i Vatrës, bazuar edhe në deklarimet e tij, kërkon direkt presidentin Biden të mbikqyrë bisedimet Kosovë-Serbi, kjo shmang komplet të gjitha strukturat e fuqishme të shtetit amerikan, Departamentin e Shtetit, Kongresin dhe Senatin. Sipas kryetarit në detyrë të Vatrës Berisha, Nëse Diaspora shqiptare e Amerikës, Kosova dhe Shqipëria nuk kanë më shpresë dhe besim tek këto struktura, por vetëm tek Joe Biden, Kosova ka marrë fund. Po ashtu deklarimet e tij tregojnë kaitullimin e lobit shqiptar në këto struktura, në të cilat struktura, duam ne, sduam ne, ka qenë, ndodhet dhe do të jetë gjithmonë fati i Kosovës dhe Shqipërise.
Prandaj, këto deklarime janë të dënueshme, aq më tepër për kryetarin e Vatrës Elmi Berisha, i cili kur ishte paralajmëruar në Nëntor për këtë diskurs të mundshëm të mardhënieve Serbi-SHBA-Kosovë, ky kishte shaqur egzaltim dhe lumturi. I kujtoj kryetarit në detyrë të Vatrës, që edhe nëse ka çarje të mardhënieve Kosovë-SHBA, roli dhe detyra e Vatrës nuk është denoncimi dhe ataku publik ndaj Departamentit të Shtetit, por lobimi pa pushim, i përditshëm dhe pa bujë, hapja e kanaleve të bashkëpunimit me këtë Departament dhe Shtëpinë e Bardhë, aktivizimi i miqve të Vatrës, senatorë dhe kongresistë, krijimi i një klimë të butë dhe miqësore dhe gjetja e gjuhës së përbashkët dhe të partneritetit SHBA-Kosovë.
Diskursi i mardhënieve SHBA-Kosovë, sado i vogël të jetë, padit dhe tregon qartë dështimin e rolit lobues të Federatës Vatra, si roli kryesor që nga themelimi i saj. Ju kujtoj që, kryetari në detyrë i Vatrës, Elmi Berisha ka qenë nën akuzë nga vatranët, publiku dhe mediat për defiçencë dhe devijim të aktivitetit të tij nga Uashingtoni drejt Tiranës dhe Prishtinës.
Kujtoj që, këto deklarime të kryetarit në detyrë, Elmi Berisha, vijnë vetëm dy javë mbas deklarimit të tij bombastik spekulativ në televizionin e Gani Vilës, për një aktivitet të gjerë lobues dhe bashkëpunim gjoja të ngushtë dhe mardhënie gjoja shumë të mira të Vatrës me Departamentin e Shtetit.
Po ashtu, egziston një shqetësim i madh ndër vatranë për mungesën e demokracisë në Vatër, shkejet dhe manipulimet në Kanunore dhe mungesa e kolegjialitetit në marrjen e vendimeve dhe sigurisht shembull i shmangjes së mendimit të strukturave të Vatrës është edhe ky artikull, i cili nuk gëzon aprovimin e Vatranëve.