Rusia ka ndërmarrë sulmin më të madh me dronë mbi Ukrainë që kur nisi lufta. Por gazeta gjermane BILD shkruan se ky sulm ka dështuar në mënyrë spektakolare, fale edhe armëve gjermane
BILD
Si po ia dalin ukrainasit? Presidenti rus, Vladimir Putin vazhdon të terrorizojë vendin me sulme me dronë, por ukrainasit po i zmbrapsin të GJITHA!
Alarmi u dëgjua gjatë gjithë natës së mbrëmshme në mbarë vendin, dronët kamikazë iranianë të pilotuar nga rusët po sulmojnë. Gazetarët e BILD dëgjuan të shtëna dhe shpërthime në Kiev. Kanalet në Telegram nisën të diskutojnë me nervozizëm: a do e kapërcejnë dronët mbrojtjen ajrore të Ukrainës?
Në mëngjes u bë e qartë: 35 nga 35 dronë u shkatërruan! Norma e rrëzimit kundër dronëve kamikazë ishte 100 përqind!
Megjithatë, disa mbetje të dronëve goditën shtëpitë në Kiev pas rrëzimit, duke plagosur tre persona. Kryebashkiaku Vitali Klitschko vizitoi një nga apartamentet që u godit nga pjesët e dronëve në mëngjes.
Ai tha për BILD: “Ishte sulmi më i madh ajror në më shumë se një vit. Shumë njerëz nuk kanë fjetur natën. Është psikoterrori i Putinit kundër të gjithëve ne”.
As Klitschko nuk ka fjetur. Së bashku me ushtrinë, ai koordinoi mbrojtjen kundër dronëve. Ukrainasit tani e dinë saktësisht se si të mbrohen, por edhe të mos përdorin municion të shtrenjtë pa pasur nevojë.
Në rastin e dronëve, përdoren skuadra të lëvizshme, të cilat qëllojnë nga kamionçinat në drejtim të dronëve në ajër. Përveç kësaj, në përdorim janë vënë edhe sistemet gjermane Gepard, mbrojtja ajrore më efektive.
Klitschko thotë: “Ne i jemi tepër mirënjohës Gjermanisë për këtë, një vit më parë një sulm kaq masiv do të dukej shumë ndryshe dhe do të kishte shkaktuar dëme dukshëm më të mëdha”.
Ushtarët ukrainas përdorin gjithashtu edhe sistemet kundërajrore Stinger për të goditur dronët. Kurse sistemet IrisT dhe Patriot nuk përdoren zakonisht në sulmet me dron. Kjo për shkak se predhat janë shumë të shtrenjta dhe furnizimet janë të pakëta, ato nevojiten kryesisht kundër raketave ruse.
Klitschko thotë: “Ne kemi nevojë urgjente për më shumë armë dhe municion për të qenë në gjendje të mbrohemi”.
Ndërkohë është ende e paqartë se kur do të fillojë në të vërtetë kundërofensiva e Ukrainës. Deri më tani, BILD mësoi nga qarqet e qeverisë ukrainase se nuk janë dorëzuar të gjitha sistemet e nevojshme të armatimit për të nisur sulmin. Disa ekspertë kishin paralajmëruar qeverinë ukrainase kundër nisjes së ofensivë shumë herët dhe në mënyrë të nxituar. syri.net