Raporti sekret me informacionin e Sigurimit të Shtetit për bisedat e bëra nga i biri i Kadri Hazbiut, lidhur me krushqitë e prishura në familjet e udhëheqjes së lartë, Hoxha, Alia dhe Hazbiu!-
Gruaja e Themeluesit të Partisë, për problemet e fëmijëve, nuk e pyeste themeluesin e Partisë. Kur u shkarkua babai im dhe me të vazhdonte hetuesia e lirë, në shtëpinë tonë ishim mbledhur të gjithë dhe ne e pyetëm se si ishte puna? Babai im, na mblodhi dhe na tha: ‘Unë kam punuar me ndershmëri, por kështu e shikon të arsyeshme Partia. E vërteta do dali një ditë në shesh, por mua atëhere do më ketë mbirë bari në sy! Mua veçanërisht më tha se; ty Goni, ta kam frikën se je i nxituar. Nga padrejtësitë që i bënin babait tim, mua më hipi gjaku në kokë dhe desha të merrja në bagazh, automatikun dhe të mos lejoja ta merrnin babain, por babai më tha: Jo kështu Agron, se unë nuk vë pushkë kundër Themeluesit të Partisë”.
Kështu thuhet në mes të tjerash në një dokument tepër sekret të Sigurimit të Shtetit që mban datën 3 mars të vitit 1987, ku është biseda e djalit të dytë të Kadri Hazbiut, Agronit, me një shokun e tij të punës në Kurbnesh, ku ndodheshin të dy të internuar dhe e gjithë biseda mes tyre, i është dërguar më pas Ramiz Alisë.
DOKUMENTI SEKRET ME RAPORT – INFORMACIONIN E PËRPILUAR NGA OFICERI I DREJTIMIT ZENEL ALIJA DHE I MIRATUAR NGA KRYETARI I DEGËS SË VIII NË MINISTRINË E BRENDSHME, SHKËLZEN BAJRAKTARI, LIDHUR ME TË DHËNAT E MBLEDHURA PËR FAMILJEN E KADRI HAZBIUT
Shënimi i Ramiz Alisë me shkrimin e tij në fillim të dokumentit.
Të mos na arratisen djemtë e armikut, të veproni…
SEKRET
EKZEMPLAR NR. 4
Tiranë, 13.3.1987
INFORMACION
Kohët e fundit është çelur problemi i centralizuar me pseudonimin “Dhelpra”, ku inkludohen objektet e përpunimit: Agron Kadri Hazbiu, Agron Hajdar Aranitasi, dhe A.S.S., përkatësisht ne rrethet Mirditë, Pukë dhe Tiranë. Nga përpunimi që iu bëhet, rezulton se; këta elementë, qëndrojnë në pozita armiqësore, duke marrë në mbrojtje, armikun Kadri Hazbiu, bëjnë përpjekje për t’u ndërlidhur me lidhjet e tyre, sikurse është rasti i Agron Hazbiut, me ish-të fejuarën e tij në Tiranë, një familje me mbiemër Tabaku, e disa shokë të tij sportistë, po në qytetin e Tiranës, etj. Konkretisht, veprimtaria armiqësore e secilit prej këtyre objekteve, konsiston:
- Agron Kadri Hazbiu, aktualisht me masë internimi në qytetin e Kurbneshit të rrethit të Mirditës.
Nga disa të dhënë të bashkëpunëtorit “Pëllumbi”, rezulton se Agroni, i është shprehur: “…Unë mbaj zi për babain, sepse atë e kanë akuzuar kot. Udhëheqësi i Partisë dhe bashkëshortja e Themeluesit të Partisë, e kishin inat sepse, babai shkonte shumë mirë me Themeluesin e Partisë, dhe që të mos delte babai im në krye të Partisë, mbas vdekjes së Themeluesit të Partisë, e akuzuan si bashkëpunëtor me Mehmet Shehun. Në kohën që do të arrestonin babain tim, nga inati, se ja kishin bërë me të padrejtë, shkova te bagazhi dhe desha të merrja automatikun. Më mirë të vriteshim të gjithë, kurse babai më tha: mos bëj gjëra të tilla, se e vërteta do të dali, por do të jetë vonë, sepse bari do të më ketë mbuluar sytë…”! Kadriu na mblodhi të gjithëve në shtëpi dhe na porosit që; edhe po të vij puna që, t’ju heqin nga Tirana, kërkoni që të qëndroni bashkë dhe të keni kujdes për njëri tjetrin, sepse, më tepër kam frikë për ty Agron, se je i nxituar. Motrave, Elenës dhe Mimozës, u tha se; ju tani, nuk keni më punë me burrat, i ndani ata, po ashtu porositi edhe burrat e tyre që, të kërkojnë ndarjen, se mund të kenë pasoja…!
Unë nuk jam u ndarë prej të fejuarës sime, A.S., por këtë e kam bërë që, ajo të mos vuajë si unë në internim. Kur të shkosh në Tiranë, do ta takosh dhe do t’i bësh shumë të fala nga unë, dhe interesohu nëpërmjet shokëve të t’u, si qëndron dhe si sillet, në shtëpinë time kanë vënë aparat incizimi…”! Në deklaratën e tij, A.M., konfirmon të dhënat e B.p. “Pëllumbi” dhe shton se; Agroni i ka thënë: “…Unë kam shumë shokë në Tiranë dhe bënim shumë për njëri tjetrin. Kur ishim jashtë shtetit, bënim qejfe, andej bëhej një jetë tjetër, jetë luksoze, ja si është andej (duke ilustruar me disa fotografi). Jashtë shtetit, haje mire, sa të doje dhe sipas rastit, edhe nuk paguaje. Atje liheshin lekët pa patur njeri…! Unë dhe shokët e mi futbollistë, vidhnim në dyqanet private dhe bënim një organizim të atillë, duke i kaluar dorë më dorë, sendet e vjedhura dhe në të shumtën e rasteve, i mbaja unë, se mua nuk më bënin gjë, se isha i biri i Kadro Hazbiut…! Jashtë shtetit, kishte demokraci, mund të bëje dashuri edhe në rrugë, e askush nuk bëhej kurioz, kurse këtu tek ne, është e kundërta, këtu edhe të vrasin për çështje femrash, unë kisha një të dashur në Tiranë, të cilën e ngjisja me litar, ose zbrisja vetë poshtë, kjo më vonë, vrau dashnorin që ka qenë sportist, tek bunkerët në Fushën e Aviacionit.
Unë mbaj zi, si për babain, pasi ja kanë punuar me pa të drejtë, ja kanë futur, kur u shkarkua babai dhe me të vazhdonte hetuesia e lirë, në shtëpinë time, ishin mbledhur të gjithë dhe e pyetën babin, se, si ishte puna. Ai na tha: “Unë kam punuar me ndershmëri, por kështu e sheh të arsyeshme Partia. E vërteta do të dalë në shesh, por mua atëhere do më ketë mbirë bari mi sy, nga ju mund të merren masa, po ju kërkoni të rrini bashkë, punoni mirë. Ty Agron, ta kam frikën se je i nxituar”, mandej hoqi mënjanë Elenën, si më e madhe që është dhe bisedoj veçanërisht me të…! Edhe Zbulimi ynë jashtë shtetit, nuk punon si kanë punuar më parë, se nuk kanë besim te Partia…! Kam pasur një shok në lagje, afër stacionit të trenit dhe shkoja shpesh andej, por aty u shkruajtën disa parulla dhe qysh atëhere, nuk shkova më. Kur të shkosh në Tiranë, do të jap një letër për nusen dhe shokët, në adresë: Shkolla “Sami Frashëri”, me mbiemrin Tabaku. Letrën për të fejuarën time, A.S., do t’ua japësh shokëve të mi dhe ata do t’ja japin asaj.
Unë me Tabakët, kam pasur shoqëri, bile me njërin prej tyre, kam pasur shoqëri dhe flisnim me pseudonime se, kemi lënë një muhabet përgjysëm dhe ti, nuk do t’i paraqitesh me emër, por me pseudonimin “Çakmaku” dhe ai do të besoj…., para se të internohesha, kasetat e magnetofonit që kisha, me këngë të jashtme, ja dhashë nuses sime, A.S., dhe e porosita që, kur të vinë shokët, t’ua japë. Këtu në Kurbnesh, kam një ndërlidhës, shofer, të quajtur Martin Lleshi, me makinë e MR 70-74, me anë të të cilit, ndërlidhem me djalin e tezes. Në Kurbnesh, ka ardhur edhe tezja që, pruri ilaçet e nënës dhe për këtë, laj thaj, morën masa, duke e shkarkuar nga përgjegjësia”. Më vonë, Agroni, po këtij denoncuesi, i thotë: “Me qenë se, më erdhi Arjani (djali i vogël i Elenës), dhe ty të ndjekin se je i internuar, dhe leje nuk të japin, letrën për Tiranë, po ja jap atij. Arjani nga Tirana, më solli një top, që ja kishte dhënë Muhedin Targaj, i cili i kishte thënë; kur të prishet, ma bjer për ta ndërruar.
- Agron Hajdar Aranitasi, aktualisht i internuar në Fushë-Arrëz të rrethit të Pukës, ish-dhëndri i armikut Kadri Hazbiu.
Nga të dhënat e deritanishme, del se Agroni, është në pozita armiqësore, mbante lidhje me ish-gruan e tij, nëpërmjet një shoferi, që i çon dhe i merr në Rrëshen fëmijët. Në një rast, i ka dërguar ish-gruas së tij, Mimoza Hazbiut, 5000 lekë, duke thënë se, i kishin lekë të depozituara. Agroni i ka thënë një kolegu të tij, në kohën kur është larguar nga Radio-Televizioni: “…Unë po largohem, kështu e pësojnë ata që punojnë me ndershmëri”. Gjithashtu, në bisedë me B.p., “Studenti” i ka thënë: “….Unë do të iki dhe nuk do të kthehem më, kështu është kur punon tërë jetën dhe në fund, vjen një ditë dhe ta fusin”. Po ky bashkëpunëtor, ka raportuar se Agroni, para se të largohej nga Radio-Televizioni, ka marrë një rrjetë me libra, i ka çuar në shtëpi, ka grisur disa kontrata me firma të huaja. Nga një e dhënë e bashkëpunëtorit “Radisti”, del se, Agroni i ka thënë: “Sa njoh unë Parisin, nuk njoh Fushë-Arrëzin”.
- S.S., me banim dhe punë në Tiranë, ish-e fejuara e Agron Hazbiut.
Nga të dhënat e bashkëpunëtorit “Pëllumbi”, del se, Agron Hazbiu, e ka porositur këtë, që kur të shkoj në Tiranë, të interesohet për qëndrimin e A., nëpërmjet shokëve të tij, ta takojë atë dhe t’i bëj shumë të fala nga ai, konkretisht, i thotë: “…Unë nuk jam i ndarë, prej saj, por këtë e kam bërë që ajo, të mos vuajë si unë në internim, bile ajo, desh të vinte me mua, pa marrë parasysh asgjë, por unë nuk desha. Kjo e dhënë, vërtetohet me T.O., të organizuar ndërmjet bashkëpunëtorit dhe A.S., ku kjo e fundit, tregohet shumë e gatshme, për ta takuar dhe biseduar me këtë B.p., dhe i thotë se; nuk janë kushtet për të qëndruar më shumë në bisedë, i bëni shumë të fala Agronit. Këto marrëdhënieje të saj me Agron Hazbiun, vërtetohen edhe nga denoncimi i qytetarit, A.M. Nga një shënim, del se, kur armiku Kadri Hazbiu, u kritikua nga Partia dhe u shkarkua nga funksionet, A.S., në punë ka qenë e tronditur dhe qante, ndërsa ditën tjetër, ka qenë e qetë dhe pa asnjë emocion të jashtëm, si zakonisht. Nga ana e jonë, janë marrë të gjitha masat, për zbulimin në thellësi e gjerësi të veprimtarisë armiqësore të këtyre elementëve dhe për çdo gjë do të dali, do t’ju informojmë.
Oficeri i Drejtimit
Zenel Alija
Dakord
Kryetari i Degës së VIII-të
Shkëlzen Bajraktari
DOKUMENTI SEKRET I PËRPILUAR NGA OFICERI I DREJTIMIT ZENEL ALIJA DHE I MIRATUAR NGA ZV/KRYETARI I DEGËS SË VIII-TË, NË MINISTRINË E BRENDSHME, NAZMI DOMI, PËR DETYRAT QË DO NDIQESHIN NGA NGA PUNËTORI OPERATIV ILIR MARTINI, I DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME DIBËR, PËR PARANDALIMIN E ARRATISJES SË AGRON HAZBIUT
S E K R E T
EKZEMPLAR NR.1
Rrëshen, më 22.12.1987
DISA DETYRA TË PROBLEMIT “DHELPRA” QË DO TË NDIQEN NGA PUNËTORI OPERATIV ILIR MARTINI TË DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME DIBËR, QË MBULON ZONËN E LURËS
Gjatë muajve dhjetor 1987, në bashkëpunim me Degët e Punëve të Brendshme Mirditë dhe Dibër, u shkua në Lurë për forcimin e masave për parandalimin në çdo kohë të arratisjes së disa lidhjeve te elementit antiparti që janë me masë internimi në qytetin e Kurbneshit dhe u përcaktuan këto masa:
1.Të shkohet në Kurbnesh, për të njohur objektet e përpunimit, lidhjet e elementit antiparti dhe me tendencë arratisje, veçanërisht, Agron e Petrit Hazbiu, dhe Nezir Dautin. Kjo të bëhet edhe me PPS, Medi Krosi, meqenëse të sipërmit janë të internuar.
2.Të shohim me Degën e Punëve të Brendshme Mirditë, mundësinë e nxjerrjes së ndonjë ekzemplari fotografie, të tyre, me qëllim që t’ua japim për njohje rrjetit sekret informativ dhe ndonjë patrioti.
3. Në Krej Lurë, e cila është rruga më e përshtatshme, më e shkurtër, dhe më e sigurt për ata, të marrim këto masa:
- Do të porositet B.p. “Mali”, që në rast se do të shoh lëvizje të këtyre në këtë fshat, dhe në fshatin Vlashaj, të njoftojë menjëherë Punëtorin Operativ dhe t’i marri në ndjekje.
b. Të porositet patriot Murat V., që për çdo lëvizje të dyshimtë, të të internuarve në këtë zonë, të njoftojë Punëtorët Operativ, Ilir Martinin dhe Nuri Manokun, PPS, Halit V., në Kurbnesh, ose Medi K., në Lurë dhe në të njëjtën kohë t’i marrë në ndjekje.
c. Sapo kalon Qafën e Mërkurthit, të porositet Patrioti Jak Rr., te stallat e para të tij.
ç) Në fshatin Vlashaj, të porositen patriotët Kros dhe Bib M.
Në fshatin Arrë-Mollë, të porositen B.p. “Algina”, (Rezident), dhe drejtorin e shkollës Hamit A. Gjur-Reç, t’i jepet detyrë B.p. “Bora”, dhe Halim P., përgjegjës i depos së armatimit, komandantit të truprojës. Në Zall-Reç, te Ura e Dodës, të porositen tre roje (Xhemal T., Mirsin U., dhe roja zëvendësues, Destan T.). Zall-Reç, te Ura e Telit, katër rojet e depos së armatimit. Në Drojë-Reç, shitësi i dyqanit, Mus T., dhe bashkëpunëtori “Valbona”.
Në krahun e Lurës: Roja i Stabilimentit të Drurit, Ahmet V., (afër mensës së Ndërmarrjes së Furnizimit të Punëtorëve). Te Hotel Turizmi, B.p. “Liqeni”, dhe patrioti Esat B. Në fshatin Borje-Lurë, për mësues është në Fushë-Lurë, rezidenti “Liqeni i Zi”, agjenti “Munella”, në Borje-Lurë.
d) Në Fushë-Lurë, Haziz M., teknik pyjesh, në Gur-Lurë, Kujim D. Të porositen shitës, rojtarë pyjesh, edhe ndonjë shofer, fillrojtës, shpërndarësh gazetash, sidomos i Kurbneshit, që merr shtypin përditë dhe e sjellë në Lurë, të cilët janë me përbërje të mirë.
Oficeri i Drejtimit
Zenel Alija
Zv/Kryetari i Degës VIII-të
Nazmi Domi
DOKUMENTI SEKRET ME DEKLARATËN E SHOFERIT NGA TIRANA, ROBERT K., LIDHUR ME TAKIMIN QË KA PASUR ME PETRIT DHE AGRON HAZBIUN NË QYTETIN E KURBNESHIT DHE BISEDAT QË KANË BËRË MES TYRE
Deklaratë
Unë i quajturi, Robert K. K., i dt, lindjes 1.1.1953, lindur në Gjirokastër, me banim në lagjen nr. 1. Rruga “Labinotoi”, Pallati i Oficerëve, Shk. 6. Ap. 44, i paorganizuar, i martuar me dy fëmijë, në punë shofer në PTT Tiranë, i thirrur nga organet e Sigurimit të Shtetit, sot me datën 6.1.1988, kam për të sqaruar: “Në muajin tetor 1987, meqenëse makina ime, përdoret për taksi, kryesisht në zonat malore, me kërkesën e një qytetari, kam vajtur në Kurbnesh, për të shpënë një nuse. Konkretisht, kjo ka ndodhur më datën 18 tetor 1987. Rreth orës 11.30, unë mbërrita në Kurbnesh, dhe mbasi u larguan dasmorët, prita sa të hapej restoranti, për të ngrenë drekë. Në këtë kohë, unë pashë dy djemtë e armikut Kadri Hazbiu, të quajturit, Petrit dhe Agron Hazbiu. Në moment, unë pyeta disa persona që ishin aty pranë, nëse mund t’i takoj ose jo. Këta më thanë se; nuk ka asnjë të keqe dhe mund t’i takosh. Pas kësaj, unë u takova me Petritin dhe Agronin, me të cilët, kam biseduar për rreth 45 minuta dhe mandej shkova për të ngrënë bukë në restorant. Petriti dhe Agroni, fillimisht, thanë se, e kishin patur të vështirë, pasi në dimër, është vend i ftohët, por tani u ambientuan.
Si Agroni dhe Petriti, më pyetën për Agim B., ku është, si është, nëse është martuar dhe me cilën. Kur unë u thashë se Agimi është martuar me Z., të dy më thanë: – Mirë ka bërë pasi, kishte tetë vjet me të.- Nuk më pyetën më gjatë, nuk më dhanë ndonjë porosi për të, dhe as nuk i kam thënë Agimit, për takimin e mësipërm. Di të them, se Agimi, së bashku me mua dhe Petrit Hazbiun, kemi qenë në një klasë në shkollën 8-vjeçare. Di gjithashtu se, Agim B., dhe Petrit Hazbiu, janë kushërinj midis tyre, por nuk di ndonjë gjë për marrëdhëniet midis tyre. Më poshtë, Petriti më pyeti edhe për doktor, Skëni Xh., djalin e Stavri Xh., për të cilin më tha se; me punë, akoma atje është? Unë i thashë se, është në Shupal. Gjithashtu më pyetën edhe për vëllain e Skënderit, Ilirin, a është martuar apo jo, unë i thashë se është martuar.
Agroni, më pyeti edhe për një shofer të quajtur Lefter dhe për vëllain e tij, Berti, me të cilët, ne jemi rritur në një mëhallë. Pastaj Petriti dhe Agroni, më thanë se; a janë prishur shtëpitë atje, duke nënkuptuar ish-shtëpinë e tyre në Tiranë, dhe a ndërtohej, Petriti më tha, edhe për Muzeumin e shokut Enver, për të cilin më tha se, kish mësuar nga një shok i tij, inxhinier, që ishte bërë tip kulle dhe ka dalë i bukur.Gjatë vazhdimit të bisedës, më pyetën edhe për Ylli T., për të më thanë se, e kishin parë në televizor, se kishte qenë në Siri. Po kështu, Petriti më pyeti për vajzën e tij, se si është, e kam pare, ose jo, a ka veshur përparëse, pasi i kam blerë një të tillë, por nuk kam me cilin t’ja dërgoj. Në të njëjtën kohë, Petriti më pyeti, për ish-gruan e tij, nëse e kisha parë dhe si është. Petriti më tha gjithashtu se, Agroni në fillim, nuk qëndronte mirë, zihej me shokët, por tani është shtruar, kohët e fundit, ishte pak i sëmurë, por tani, është më mirë. Më kujtohet, se Agroni më pyeti, edhe për Muhedin Targajn, nëse e kishte lënë sportin, ose jo. Unë i thashë se; më duket se e ka lënë.
Në vazhdim, Agroni më tha se, ishte keq për një top, dhe thuaj Mujos, po qe se, ka mundësi, mos më gjen ndonjë top. Agroni më pyeti edhe për Shpëtim Braho Gozhitën, i cili punon në Llokacion, si është dhe nëse është martuar ose jo. Lidhur me këtë takim, me djemtë e armikut Kadri Hazbiu, kur u ktheva në shtëpi, unë i kam thënë njerëzve të mi në shtëpi, i penduar për këtë veprim dhe babai më qortoi, se kisha bërë shumë gabim. Përveç sa sipër, afërsisht para një muaji, te karburanti, takova Muhedin Targaj, të cilit i thashë se, isha takuar me Agron Hazbiun, i cili më tha, të falat për ty dhe më tha, po pate mundësi, për të gjetur një top. Muhedini, nuk reagoi fare, përsa sipër. Duke analizuar këtë veprim timin të mësipërm, e ndjej veten thellësisht të penduar, pasi veprimi im, është një kundërvënie e hapur, e masave që ka marrë Partia, ndaj armikut, Kadri Hazbiut dhe pjesëtarëve të familjes, për sa i kërkoj ndjesë dhe i siguroj, se ky veprim, është bërë, sa për mendjelehtësinë time dhe për miopinë politike. Në të njëjtën kohë, e them me përgjegjësi se, në prezencën time, Agron dhe Petrit Hazbiu, jo vetëm që nuk kanë hedhur asnjë mendim që, të hyjë në opozicion me vijën e Partisë, por kanë qenë thjesht, biseda që përshkrova në deklaratën e mësipërme.Në rast se, do të vërtetohet, e kundërta e kësaj deklarate, ndaj meje, le të zbatohet me ashpërsi, ligjet e diktaturës së proletariatit. Memorie.al
Tiranën, më 6.1.1988 Deklaruesi
Punëtori Operativ Robert K.
Vlash Rama