Pas dy masakrave në Serbi, që tronditën opinionin publik, një nga mediat më të njohura kroate, INDEX, publikoi editorialin e mëposhtëm
Serbia përjetoi dy masakra në më pak se tri ditë. Fillimisht të martën, 13-vjeçari Kosta Keçmanoviç vrau tetë fëmijë dhe një roje në një shkollë në Vraçar, ndërsa mbrëmë 21-vjeçari Urosh Blazeviç vrau 8 persona dhe plagosi 14 të tjerë pranë Mladenovacit në Serbi.
Pas të dyja ngjarjeve, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç doli në konferenca dramatike të jashtëzakonshme për shtyp. Në demokracitë normale, pra në shoqëritë e organizuara, vendet e punës delegohen, ka departamente dhe persona përgjegjës për to.
Në diktatura dhe despotizma, presidenti është ai që pyetet për gjithçka. Mirëpo në Serbi nuk bëhet më fjalë që presidenti të pyetet për gjithçka dhe të komentojë gjithçka, por edhe mënyra se si e bën këtë, është jashtëzakonisht problematike.
Në konferencën për shtyp të medias një natë më parë, ai paraqiti informacione që nuk lejohet t’i publikojë. Ai tha se çfarë i kishte thënë i mituri policisë, tregoi të dhëna personale për familjen e djalit, deklaroi se sa fitojnë, shtoi se ka një motër dhe kështu e vendosi veten në qendër të ngjarjes, e cila është skandaloze në vetvete.
Vuçiç dhunoi ligjin për mbrojtjen e të dhënave dhe të drejtave të pacientëve kur lexoi raportin mjekësor të djaloshit me detaje.
“Këta njerëz janë të pasur, si shumica e prindërve në këtë shkollë. Ata nuk kanë të ardhura më pak se 300 mijë dinarë (më shumë se 2550 euro). Në çdo kuptim, ata janë kremi i kremit, një mjek shembullor dhe një profesoreshë, baba dhe nënë,” tha Vuçiç.
Në këtë mënyrë Vuçiç, siç ndodh në shoqëritë despotike, u përpoq ta paraqesë veten si personi më i informuar në shoqëri. Por nuk u ndal me kaq, mes të tjerash, në rolin e shpëtimtarit, ai ‘sugjeroi’ dhjetë masa që do miratohen pas masakrës në shkollë.
Këto janë masa kryesisht populiste, siç është moratoriumi për pronësinë dhe mbajtjen e armëve për dy vitet e ardhshme, rishikimi i të gjithë lejeve të lëshuara për mbajtjen e armëve, kontrolli i të gjitha poligoneve, sanksionet për mediat që portretizojnë dhunë brutale, prezantimi i testimeve për drogën çdo 6 muaj në shkollat e mesme… dhe ai propozoi që të reduktohet mosha e përgjegjësisë penale nga 14 në 12 vjeç.
Në demokraci normale, ekspertët merren me këto masa, ngrihen grupe pune dhe komisione, bëhen konsultime me publikun, jepen opinione nga ata që kanë dedikuar jetën për këto çështje. Në fund, duhet të jetë njëfarë parlamenti që merr vendimin, këto janë procedura që zgjasin, por kjo është mënyra se si i qasesh problemit nga të gjitha anët.
Por çfarë ndodhi në Serbi? Vetëm një ditë më vonë, qeveria miratoi masat e propozuara nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç. Kështu funksionojnë gjërat në diktaturë, por mesa duket edhe në Serbinë e Vuçiçit.
“Ajo që shohin njerëzit këtu është mish i prerë në copa. Koka e personit është ‘mjegulluar’ kështu që është e pamundur të dihet se kush është. Ne po e publikojmë këtë që të shihni se me çfarë monstrash kemi të bëjmë,” tha Vuciç në një konferencë për shtyp në korrik të vitit 2021, kur shfaqi një video të vrasjes së Vlastimir Millosheviçit në vitin 2017, por edhe pamje të krimeve të tjera.
Në konferencën e parmbrëmshme, një nga gazetarët e pyeti për këtë gjë.
“Oh, po shpresoja se do të kishte pak më shumë nderim, një zi formale, një trishtim të vërtetë,” tha Vuçiç, duke bërë kështu rolin e viktimës, pasi deklaroi gjëra që jo vetëm nuk duhej t’i dinte, por as t’i thoshte.
Përshtypja e çuditshme u përforcua sepse edhe në mes të fjalimit për masakrën e shkollës, ai nisi të fliste për Kosovën. Akoma më e çuditshme, në fund të deklaratës për mediat, Vuçiçi kaloi nga masakra në shkollën fillore te historia e ‘një burri me organ gjenital mashkullor që po i jepte gji një foshnje’.
“Ju keni një poster ku një burrë me organ gjenital mashkullore dhe mjekër ushqen me gji një foshnje dhe duhet të besojmë se ky është kulmi i demokracisë,” tha ai.
Ai vuri në dukje se nuk ka asgjë kundër orientimeve të ndryshme seksuale dhe shtoi justifikimin e zakonshëm se miku i tij më i mirë është një mysliman serbokroat dhe se një gej është në postin e kryeministrit.
Sigurisht, ai synonte të zhvendoste fajin për masakrën, siç kishte bërë një ministër i tij disa orë më parë, te vlerat perëndimore, të cilat mesa duket kanë helmuar vlerat serbe dhe ortodokse.
Në të njëjtën kohë, ai nuk shpjegoi se përse serbët janë populli më i armatosur në Europë dhe nëse janë vlerat perëndimore, apo krimineli i luftës Vojislav Sheshel dhe krimineli i dënuar Kristijan Goluboviç që shfaqen rregullisht në media si analistë dhe komentojnë ngjarjet sociale.
A janë vlerat perëndimore apo ‘ajka e demokracisë’ e Vuçiçit, që publikon intervistë me përdhunuesin seria Igor Millosheviç, siç ka bërë tabloidi Informer, i afërt me Vuçiçin vetë? Vuçiç është një mik i ngushtë me bosin e Informer, Dragan Vuçiçeviç.
Në një pikë, Informet e pyeti përdhunuesin serial se çfarë duhet të bëjnë gratë nëse u afrohet me qëllimin për t’i përdhunuar. Përdhunuesi u përgjigj se ‘në atë moment ato pranojnë për gjithçka’ dhe e shohin atë ‘si një burrë ose si dashnor’.
Sot ishte një episod i ri në shfaqjen reale të Vuçiç, dedikuar masakrës së re, që u krye mbrëmë nga Urosh Braziç, i cili vrau tetë persona dhe plagosi 14 të tjerë.
Këtë herë ai u shfaq me ministrat, duke paraqitur sërish detaje të hetimit. Sot, ai iu drejtua direkt autorit me këto fjalë: “Në Serbi ti ke gjetur Hitlerin tënd, o llum që i shkaktove kaq fatkeqësi këtij kombi, ndaj e gjete veten duke përçmuar dhe vrarë popullin tonë o përbindësh”.
Ai tha se ‘as ai përbindëshi i vogël dhe as ai përbindëshi më pak i madh nuk do ta shohin dritën e diellit’. Në një moment e shpalli sulmi si një akt terrorist, por la të hapur mundësinë që të ishte një komplot, duke shtuar se ai është president, ndaj duhet të jetë racional. Avokatët serbë shpjeguan më vonë se klasifikimi i veprës penale nuk është punë e presidentit dhe se masakra e djeshme nuk ishte akt terrorist.
Ai foli për masat e planifikuara dhe njoftoi me pompozitet se brenda një viti, çdo shkollë në Serbi do të ketë nga një polic. “Askush nuk do jetë në gjendje të godasë dikë dy ose tre herë më, sepse gjithmonë do të ketë mbrojtje,” tha ai.
Madje ai përmendi edhe dënimin me vdekje, duke thënë se i ka sugjeruar kryeministres që të kthehet. Ai tha se ajo dhe qeveria janë kundër, gjë që ai, supozoj si legalist, e respekton.
Megjithatë, ai tregon pak ndjenja për procedurat demokratike dhe funksionimin e ligjit, kur me stilin e Kim Jong-un, thotë se qeveria do të urdhërojë Ministrinë e Brendshme të përgatisë ndryshime urgjente në ligjin për armët dhe municionet, çka do të shtrëngonte kushtet për mbajtjen e armëve.
“Të gjithë ata që kanë armë, nuk e kam fjalën për armët e gjuetisë, do t’i nënshtrohen auditivi dhe nuk do të jenë më shumë se 30-40 mijë të tillë që do të mbajnë armë, do të dyfishojmë edhe dënimet. Kjo nuk do të mjaftojë, për ato pak armë që do mbeten, do të sigurohen ekzaminime gjashtëmujore me test të detyrueshëm për substancat psikoaktive.Urdhërohet Ministria e Brendshme që të dërgojë ftesë publike për të gjithë ata që posedojnë armë pa leje, brenda një muaji t’i dorëzojnë pa pasoja. Nëse nuk i dorëzojnë dhe i gjejmë, pasojat do jenë të rënda,” tha ai.
Kur njerëzit dalin në publik me detaje të çmendura, tundin një listë të fëmijëve që duhet të ishin vrarë, deklarojnë planet e një vrasësi të mitur, paraqesin të dhëna dhe numërojnë ‘kati i parë, kati i dytë’, dhe kur i qaset një problemi kaq të dhimbshëm sikur të ishte një ‘reality show’, kjo nuk është një situatë që nënkupton seriozitet dhe devotshmëri dhe rezultati është një psikozë e plotë në shoqëri.
Vuçiç nuk gjeneron psikozë vetëm me deklarata të tilla kur i drejtohet vrasësve, jep detaje që nuk dihet t’i dijë, e lëre më t’i shqiptojë në konferenca për shtyp, insinuon komplet, sherre me gazetarët dhe vetëviktimizohet në ditën kur u vranë tetë fëmijë. Është maja e ajsbergut në një vend ku tabloidët dhe emisionet që festojnë kriminelët dhe dhunën janë një realitet i përditshëm.
Kur nuk ndodhin tragjedi të tilla, atëherë ka armiq të jashtëm, të cilët Vuçiç i gjen kudo. Qoftë në Amerikë, që ndër të tjera thotë në mënyrë perfide se favorizon Kosovën, qoftë në Kroaci, e cila është e preferuara e tij për ‘nxitje’ të publikut.
Çdo diktator ka nevojë për armiq të jashtëm dhe Vuçiç është një diktator.
Një Serbi e tillë është vepër e tij!
syri.net