NE PRITJE….
Sot
Tërë ditën jam në pritje
Do më vizitojnë shumë miq
Që me mallin e kohës së ikur
Fortë do i përqafoj
Ata
Moti nuk i kam parë
Edhe pse gjithnjë më rrinë varur
Në bebëzat e syve
Si shkrumb i mbetur moteve
Sot
Jam në pritje të takimeve të reja
Të përhajreve të viteve të përcëlluara
Të ngushticës së oxhaqeve
Të nxira nëpër motet
Edhe zerzeleve të rritës sime
Dera po troket lehtë edhe gëzueshëm
Hyni
U them trokitjeve të ngroha
Më djegin përqafimet
E lagën parmakët e heshtur
Po pse t’i numëroj vitet në lodhje
Këta barinj të shpirtit
Që ruajnë bukurinë time
Sa interesant
Heshtja që rri në pritjen e gëzuar
Si tingëllimë e bukur……
DALLGË TË VETMUARA
Më vijnë shushurima të lehta,
Si zhurmë gjethesh n ‘erë
Hyjnë pa trokitje në dhomën e mendimeve
Nguliten në merimangat e pyllnajës
Buzëqeshja e hidhur i zbukuron këndet
Pa trazime me krisma anash
Ledhatojnë vetminë time hijeve të mjegullta
Sa më janë ënjt sytë e pafjetur moti
Mes ngrirjes e shkrirjes është tharë ashti
Ndiej fishkëllima këngësh të moçme
Do tela në dridhje vajesh valëviten
Duke i kënduar durimit të bardhë
Floska malli përkunden rrasave të gurta
Diçka si tym digjej në brendi,
Në heshtje
E pi lotin si piklat e shiu etshëm
Buzëqeshja tretet qiellnajës
Rrugëve të jetës mistike…..
PIKLA NGA QIELLI….
Një re e zezë n ‘hapësirë
Sillet në boshtin e rrëmujave
Konfrontohet sferave trishtueshëm
Udhëtimeve të asteroideve në galaktikë
Në planetin toke dridhet frika
Pikla nga qielli vijnë, re të zeza…
Kundërmojnë mbetjet mëngjeseve
Frika humbë rrugën merdianeve
Fjalëboshet i mëshef hëna
N ‘horizont shëtisin mjegullat
Në boshtin e vet të rrëmujave
Rrezet e diellit ndriçojnë ëndrrat
Ripërtërihet buzëqeshja e vrarë
Pikla nga qielli vijnë pandarë…..
Gjakovë,
Mars,2023