Klisman Kadiu, këshilltar politik i zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimi i është kundërpërgjigjur deklaratës së zëdhënësit të Bashkimit Evropian se Kosova ka vepruar në kundërshtim me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Kadiu në një postim në Facebook të enjten ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të liruar nga detyra ekipin menaxhues që ditë më parë prezantoi një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, nuk është në kundërshtim me marrëveshjen.
“Nga deklarata e zëdhënësit të BE-së, vihet re se ka minimum të njohurisë për atë që po zhvillohet në procesin e dialogut, por maksimum gatishmëri në nxjerrjen e deklaratave kundër Kosovës”, shkroi Kadiu
Ai tutje tha se zëdhënësi Peter Stano duhet ta ketë “gatishmërinë e njëjtë, kur ka shkelje aktuale të marrëveshjes’, duke përmendur votën kundër të Serbisë në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Ekipi menaxhues e ka patur vetëm një mision apo detyrë, i cili ka qenë përgatitja dhe prezantimi i draftit të statutit. Pas këtij prezantimi, nuk ka më asnjë rol sepse diskutimi tashmë është politik”, shkroi ai.
Më herët gjatë ditës, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano tha se roli i ekipit menaxhues për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë përfundon vetëm kur ai statut të miratohet.