Besnik Uku është një burrë në të 70-tat që jeton në Sauk, aty ku Bashkia nuk është zakonisht e pranishme. Megjithatë, prej 30 vitesh, ai është socialist i rreshtit, nga ata të bindurit, që i janë dhënë maksimalisht kësaj partie, me mish e me shpirt si me thënë. Sigurisht nuk futet tek grupi i përfituesve.
Në një takim të Belind Kelliçit në zonën e tij, ai pati kurajën të shkojë aty dhe të japë vlerësimin publik për projektin që kandidati i Opozitës ka, në veçanti, për transportin publik falas.
Me mikrofon dhe në prani të kamerës, ai deklaroi votën pro Kelliçit. Pa asnjë pishman, siç tha.
Këtë e lajmëroi kandidati në rrjetin e tij social, me mbulimin live që i bën aktiviteteve nga Faceboook-u i tij. Të njëjtën ditë, u shfaq dhe një video tjetër. Ajo mori më shumë vëmendje sigurisht, e më shumë like e share, se sa Besniku.
Ishte Rita Ora që lajmëronte nga një zyrë e saj e largët, mbështetjen për Erjonin.
Kryebashkiaku posh, po kompleton kështu klubin me celebrity, me njerëz që nuk kanë asnjë ndjeshmëri për Tiranën, për ajrin e ndotur, për trafikun, për faktin se 160 mijë banorë në qytet nuk kanë një shkollë e një çerdhe, dhe as për zullumin e madh që bëjnë drejtuesit e njerëzit më të besuar të Veliajt në Bashki. As nuk duan tja dinë fare.
Në rastin më të mirë, përkrahësit VIP të Veliajt, mund të jenë vizitorë në Tiranë, e nëse ka ndonjë që jeton këtu, patjetër është akomoduar mirë në atë pjesë të metropolit, e në ato bordero, çka e distancojnë me hallet dhe shqetësimet e vërteta të kësaj ane.
Besnik Uku është në këto zgjedhje më i rëndësishëm se Rita Ora, jo vetëm sepse voton me 14 maj, por sepse këto zgjedhje bëhen pikërisht për atë. Kjo nuk është një garë Eurovizioni, as spektakël, as në fund të fundit, zgjedhje politike. Është betejë vendore, për administrimin e qytetit, për modelin që duhet ndjekur. Atë që është aktualisht në fuqi, ku banorët, qytetarët, Tirana me gjithçka është në shërbim e në funksion të kryetarit, të karrierës e ambicies së tij, apo që të vijë në krye e kundërta, ku Kryetari e Bashkia, janë në funksion e në shërbim të njerëzve?
Në këtë sens, të famshmit që po bëjnë tifo për modelin e gabuar, janë kryesisht të pafajshëm, se ata nuk kanë shumë informacion, dhe nuk e dinë të vërtetën.
Por Besnik Uku e di mirë. Ai ka qene brenda radhëve të PS për 30 vite, dhe ka parë se sa shumë padrejtësi, represion, e armiqësi mund të burojë nga një i zgjedhur lokal, nga ekipi i tij, nga një Bashki.
Ndaj ai është treguesi i vërtetë, gjenuin, se çfarë ndodh sot në kryeqytetin tonë, e çfarë duhet të ndodhë me 14 Maj, që gjërat të shkojnë në normalitet, e të mos fluturojnë më tej në këtë marri të dëmshme.