Shqipëria ka hyrë prej 14 prillit zyrtarisht në muajin e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 14 Majit, me qeverinë dhe opozitën që janë dislokuar në terren me të gjithë arsenalin e tyre, për të përmbushur misionin e fitores në 61 bashki të vendit.
Por në këtë fushatë ajo ç’ka ka rënë në sy është shkelja me “të dyja këmbët” e Kodit Zgjedhor nga kryebashkiakët socialistë, të cilët kanë tenderuar miliona euro për asfalt elektoral dhe vepra të tjera infrastrukturore në këmbim të mbështetjes nga klientët biznesmenë në terren dhe “rrëmbimit” të votës.
Si shembull, kanë ndjekur as më shumë e as më pak por kryetarin e tyre, njëherësh kryeministër, i cili nga Tirana nisi aksionin “blerja e votës” që në mars me urdhrin për shpërndarjen e lëmoshës 5 mijë lekë të reja për pensionistët dhe lëvrimin e fondeve për rritje pagash në disa sektorë të administratës dhe punonjësve të shtetit.
Të tjera forma që janë hasur, lidhen me shpërndarjen e dhjetëra mijëra eurove nga bashkitë socialiste si grante për të prekurit nga tërmeti i vitit 2019, ku kryesojnë listën Durrësi, Kruja, Vora apo Kamza.
Nuk përjashtohet nga makineria elektorale e Edi Ramës as nisja e përzgjedhjes së librave falas për nxënësit para datës së zgjedhjeve, apo shpërndarja e milionave të radhës si subvencione për naftën falas në kuadër të programit IPARD III, për të cilën ministrja e Bujqësisë Frida Krifca njoftoi se të hënën e ardhshme mbi 2000 fermerë do të tërheqin rreth 146 milionë euro.
Sikur të mos mjaftonin këto makinacione para zgjedhjeve, në këtë betejë, kryeministri ka shfrytëzuar edhe Këshillin Kombëtar të Territorit, duke shpërndarë disa leje ndërtimi në kulmin e fushatës elektorale.
Ajo çka bie në sy në 40 vendimet e mbledhjes së fundit të KKT-së, që është mbajtur të martën e 25 prillit, është se me firmën e Ramës i jepet “OK” ndërtimit të shtatë kullave të reja në Tiranë.
Betonizimi i kryeqytetit, i cili është shtruar si problem real i qytetarëve në këtë fushatë zgjedhore, duket se do të vijojë pa ndalur me “bekimin” e Ramës, i cili i shton 1.8 milionë m2 lejesh ndërtimi të Veliajt në Tiranë edhe 7 ndërtime të reja. syri.net