U (ri)hap… pas mbylljes që pësoi bota prej pandemisë… sërish i madh Panairi i Librit në Leipzig…
Ka shkuar dhe libri shqip, shkrimtarë shqiptarë patjetër… Të rinj, me libra të reja…
Andreas Dushi, lexoj, janë dhe Ervin Nezha, Flogerta Krypi, Loer Kume… Andreasi mbase është shkrimtari më i ri në të gjithë Panairin, po ai ka tashmë 3 romane e plot shkrime të tjera, e duam shumë, po ai pothuajse është në moshën e djalit tonë, Atjonit… kur erdhëm të tre në këtë Panair, para 10 vjetësh, kujtojmë me Edën time. Na duket po ai prill i atëhershëm, gjermanik, i ftohtë, jo, ishte mars, më thotë Eda, e ç’rëndësi ka, kohët bashkohen, në sy kam ende atë lëbyrje drite, prej borës, që e shikonim pas asaj qelqnaje të madhe të ngrehinës pafund të Panairit, shinat ndjellëse të tramvajit dhe turmat e vizitorëve, të mrekullueshme… vinin dhe te stenda e Shqipërisë, interesoheshin për librat tanë e programin e takimeve.
Po sot ç’do kenë bërë në Panair? Ç’do këtë thënë Andreasi në takimin me zerat e rinj? Po kolegët e tij?
Kujtoj/më Atjonin, maturant atëhere, ende s’ishin botuar librat e tij, (…ah!…), dilte më herët nga hoteli, vinte vetëm me tramvaj në Panair, shkonte te stenda jonë,/ e Shqipërisë, e bënte gati, rregullonte librat, tryezat, lulet, pa ia kërkuar kush dhe kur vinim ne, grupi, ai ikte, stendave të tjera, takohej me Jeton Nezirin, shkrimtarin nga Kosova, i ri dukej dhe ai, i pëlqente biseda me të, pastaj dilte, mbante një flamur izraelit në dorë, e kishte marrë te stenda e tyre, shkonte në qendër të qytetit, zbulonte vende, ja, ku kishte qenë Gëte, ku kishte shkruar “Faustin”, birraritë, statujën e Bach-ut, katedralet hijerënda dhe pasditeve vonë merrte mamin, Edën, dhe e shëtiste, më merrnin dhe mua.
Dhe të nesërmet përsëritej rituali, takime të tjera e veprimtari të tjera, recitime në teatër, fjala ime, libra prapë, etj. Mê bashkohen imazhet e dy panaireve, imi dhe i Andreasit. Po ç’ka thënë ai sot? Tjetër dritë do këtë fjala e tij, e besoj, në pritje të saj, ndërkaq unë po sjell fjalën time të dikurshme, ka muzg, e di. U botua në disa media shqip, edhe jashtë Shqipërisë, le t’i ngjajë një stacioni tramvaji, pas të cilit shkohet në stacione të tjerë, më tej, më larg…
2013, LEIPZIG:
REALIZËM I DËNUAR
MES DY IKONAVE.
Panairi i Librit në Leipzig është ndër më të mëdhenjtë në Europë dhe vajtja atje i ngjante një ëndrre. Kjo ndjesi mbase përftohej prej borës që binte matanë xhamave, e fundit për këtë vit, se pranvera tashmë kishte ardhur dhe tulipanët vezullonin gjithandej. Ti e shikoje borën sikur të ishe jashtë mes saj, se kompleksi i panairit ishte i tejdukshëm, me qiellin sipër, shiheshin retë, avionët dhe anash pemët, shkallët, rruga, makinat që vraponin poshtë urave të tejdukshme që lidhnin pavionët njëri me tjetrin. Perandoria e librit, mendova. Stenda botuesish pafund, kafetë mes tyre, vende promovimesh e debatesh, dritë e begatë, mijëra njerëz, hynin dhe dilnin nga librat, turma të gëzuara, lexime nga vetë autorët, pjesë romanësh, poezish. U rrëqetha kur kujtova që unë isha dënuar për poezi me burg dhe nuk duhej të shkruaja më sipas ligjit të atëhershëm. Po, po, kjo e bënte që të më dukej ëndërr. Cili, burgu apo panairi? Po ç’do të thosha në takimin tim, për krijimtarinë në kohën e rrjeteve sociale? Kjo ishte tema. Rrjeta, socializëm, tela me gjemba, internim-internet. Jo, do të thosha ç’të më vinte për mbarë. Le t’i kem thënë dhe herë tjetër, do t’i kujtojmë, të paktën për aq kohë sa nuk janë ndëshkuar shkaktarët. Qoftë edhe moralisht. Dhe e gjeta se ç’do të doja të tregoja si fillim…
IKONA E PARË
E pashë në Korçë, para se të vija këtej, në muzeun e ikonave, kur sapo kishte nisur bora. Krishti. I hijshëm, i praruar me ar, me atë të kuqen e famshme, sa bizantine, po aq dhe autoktone. Në ballë të shenjtit vrimëza të dendura, që çuditërisht nuk ishin të përhapura në të gjithë drurin e ikonës. Pse? Të kenë vepruar agjentët atmosferikë kështu, brejtje e pamëshirshme insektesh? Apo punë djalli? A gjendet ndonjë shpjegim në internet? Jo, por nuk ka lidhje as me shkencën dhe as me fenë, por me diktaturën. Po, po, do ua them atë që më tha duke u skuqur ciceroni i muzeut. Në kohën kur Shqipëria u shpall me Kushtetutë si vendi i vetëm ateist në botë dhe i prishi tempujt e fesë duke i shndërruar në kinema, pallate sporti, magazina, reparte ushtarake, ndërsa shërbestarët e fesë i futi burgjeve, ajo ikonë kishte shërbyer si tabelë qitjeje, kur populli-ushtar i Shqipërisë stërvitej për të luftuar i vetëm kundër NATO-s dhe Traktatit të Varshavës dhe të fitonte njëkohësisht kundër dy superfuqive, Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe gjithë satelitëve të tyre, si rrjedhojë edhe kundër dy Gjermanive, asaj Perëndimore, inkuadruar në NATO dhe asaj Lindore, në Traktatin e Varshavës. Balli i Krishtit ishte plot me vrima plumbash si i të pushkatuarve… Njëherësh m’u bë se po shikoja një anti-ikonë, treguese e një përpjekjeje fatale që deshi të vriste të shenjtën që është brenda te njeriu, vetë njeriun, vetveten tonë kolektive.
VAZHDIMI
Pra, unë vij nga një vend (që ka qenë) i çmendur, që shumëçka e pati të tillë. Arti, traditat ishin përçudnuar duke ia kaluar çdo absurdi. Rinia ime kaloi në atë kohë, kur, pasi kishin dënuar Zotin, nuk e kishin për gjë të dënonin këdo, po aq kollaj pushkatonin, burgosnin e internonin intelektualë, krijues dhe lexues, libra dhe bashkë me to dhe ndërtesa bibliotekash, teatrot bashkë me dramat, personazhet e spektatorët. Natyrisht që diktaturës do t’i duheshin shkrimtarë, por që të ishin të sajët do t’i kultivonte ata ashtu si policinë politike apo burgjet, që të luftonte idetë kundër dhe kundërshtarët. Regjimet totalitare e racionojnë atë pak liri të keqe, ashtu si ushqimet e përditshme. Ndocave ua hiqnin fare dhe cave ua jepnin me tepri, të konvertuar dhe në privilegje dhe lavdi. Një grup e çonte në ferrin real brenda telave me gjemba, që të mos shkruanin kurrë dhe tjetrin grup në parajsën mashtruese me yje të përgjakur nga gjaku i të tjerëve. Që të sundonte e sigurt, diktaturës i duheshin frika dhe bindja e verbër. Fat që rrjetet sociale nuk ekzistonin në atë kohë, se keqpërdorimi i tyre nga shteti a të caktuarit e tij do të ishte fatal, oruellian. Por, ajo mendësi, ajo bjerrje kohe e absurd ndikon edhe sot, besoj, në rrjetet sociale, në komunikimin e njëanshëm dhe gjuhën. Prandaj dhe unë nuk i shmangem dot të flas për to…
DY KULTURA
Dy kultura ka në shoqëritë kapitaliste, thoshte përmbysësi Lenin, njëra kulturë ajo zyrtare dhe tjetra ajo e pakënaqura, popullorja, kundërshtarja. Por, sipas meje, kjo dukuri ishte e vërtetë për sistemet socialiste. Se aty pati dy letërsi, një e realizmit socialist, e Partisë në pushtet, në shërbim të saj dhe një tjetër e fshehtë, e heshtur, e nëndheshme, e copërluar, e baltërave dhe e burgjeve, që edhe vetë, mbase, nuk e dinte se ishte, që unë e quaj Realizëm i Dënuar. Realizëm i një realiteti të dënuar. Realizmi socialist nuk ishte realizëm, as social dhe studiues të ndryshëm shprehen se ka pak art në të, shumë propagandë e mashtrim, lëvdata diktaturës dhe diktatorit. Kur socrealizmi ishte përsipër, realizimi i dënuar ishte në terr, i pari sundonte me dhunë, i dyti përndiqej dhe zhdukej. Ato janë si dy kokët e shqiponjës të flamurit tonë, konstaton një gazetar italian, që shikojnë në drejtime të kundërta. Unë do të shtoja se kur njëra kokë hakërrohej lart dhe sqeponte kokën tjetër, koka tjetër fshihej mes pendëve të përgjakura. Mjaft krijime i shpëtuan kësaj morse dhe janë bërë pjesë e përhershme e letërsisë shqipe, kujtojmë romanet e Kadaresë, të njohur edhe në botë. Pra pati shkrimtarë që ditën t’i shfrytëzojnë kushtet dhe ndryshimet e tyre dhe arritën të krijojnë vepra jetëgjata, të cilat dikur u jepeshin që t’i përkthenin të burgosur pa emër dhe u ofroheshin për botim vendeve të zhvilluara perëndimore si alibi e krimit dhe maskë e realitetit, që ai të mos dukej aq mizor. Po maska në vetvete është mizori. Ajo ka rënë tashmë. Po ne zbulojmë tmerret e diktaturës edhe në letërsi. Shumëçka e gjejmë edhe në internet, statistikë të ftohtë. Por, a ka plagë virtuale?
Nuk e di a duhet të tregoj prapë, që diktatura, pasi prishi jetët, iu vërsul vdekjeve që të mos kishte prehje kurrkund. Dënoheshin dhe varret duke i shprishur ose duke mos bërë varre fare, fjala është për kundërshtarët. Shembujt janë të shumtë, nga më tragjikët. Por, pati qëndresë dhe kundërshtime duke përdorur si armë dhe vdekjet vetë. Kërkoni në internet për Holokaustin, Gulagët, Laogain etj., por informacionet mund të jenë në hebraisht apo rusisht, kinezçe, në gjuhët që nuk i dimë. Atëherë të përdorim “google translate”. A do t’i përkthejë dot? Fjala mos do njeriun e gjallë? A mund të tregojë diçka për:
PËRKTHYESIT
Për ata që kishin shqipëruar Homerin, Danten në vendin tim? Shumica kishin qenë burgjeve. I Shekspirit nuk u kthye kurrë nga Amerika. Po edhe librat e përkthyer nga letërsia botërore ndaloheshin herë pas here, p.sh. Remarku, Hemingueji, Shollohovi, Mopasani, Fojtvangeri etj. nxirreshin nga qarkullimi për arsye ideologjike dhe bashkë me libra të tjerë nga letërsia shqipe, të traditës ose të porsabotuar, çoheshin në fabrika për t’u ricikluar në letër. Ndodhte që punëtorët vidhnin ndonjë, unë ende ruaj libra të tillë në bibliotekën time. Edhe poeti qiellor shqiptar, liriku i mrekullueshëm Lasgush Poradeci, vendosi të mos shkruajë më. Ai thuri poemën e padëshiruar të heshtjes së vet dhe, për të mbijetuar, përkthente Gëten, Hajnen, Pushkinin, por edhe Majakovskin. Nga klasikët e vdekur lejohej të përfutej ndonjë gjë. Madje një hebre shqiptar, Robert Shvarc, guxoi dhe përktheu nga Brehti gjysmë i ndaluar “Marrshi i viçave”:
Dhe viçat pas daulles/ hedhin çapin/ lëkurën për daulle/ vetë e japin.
Interneti nuk përkthen dot kështu. Duhet ironia…
EDHE GJUHA
Edhe gjuha dënohej me të gjitha kuptimet. Do të tregoj prapë për Don Mark Hasin, dera sa të dalin përgjegjësit e krimit. Gjatë torturave atij ia nxorën gjuhën jashtë, ia shtrinë mbi një tryezë dhe i ngulën thikën përsipër. “Fol!”, i ulërinin. Kurse përtej mureve të burgut nuk lejohej të flisje. Ky akt kriminal sikur parandillte metaforikisht atë që do të ndodhte me gjuhën shqipe. Tharjen. Pra dhe tharjen e ligjërimit, bisedave, mendimeve. Në kundërshtim me arritjen e madhe të krijimit të një gjuhe letrare, do të ndodhte dhe sajimi sundues i një gjuhe të ftohtë diktatoriale, që sipas studiuesve, është dhe gjuha e dhunës dhe e dënimeve, gjuha e ndalimeve dhe e mungesave, e mbylljes. Nuk kishin ç’t’u bënin vetëm rënkimeve të vdekjes. E ç’t’ju them për gjuhën e rrjeteve sociale?! Jo se jam kundër tyre, e kuptoj rëndësinë… Me shpërbërjen e perandorisë komuniste dhe me rënien e diktaturave të saj, Shqipëria rizbuloi gjuhën tjetër, dhe atë të liturgjive, të rroposur, zëri i së cilës vinte nga nëntoka, të maleve… Koka tjetër e shqiponjës dilte nga pendët e përgjakura me klithma dhe ulej ajo e hakërryera, e panatyrshmja, e verbra.
RRJETET SOCIALE
Tashmë janë një forum mbizotërues universal që lidhin njerëzit dhe përcillet informacion i pafund. Janë krijuar komunitete virtuale që mundësojnë qasje në kohë reale, sinkronizim të komunikimit, të postimit dhe të ndarjes: foto, video, krijime origjinale, mundësi të shumta për veprimtari argëtuese. Megjithatë, mekanizmat e marrëdhënieve në lojërat e rrjeteve sociale janë më të ngjashme me ato të përshkruara në poemat epike sesa në romanet moderne, sipas studiuesve, që kanë analizuar, mes të tjerash, p.sh., “Iliadën”. Nga këto analiza ka dalë se ndërveprimet mes personazheve janë koherente me ato të verifikuara në rrjetet sociale. Marrëdhëniet mes karaktereve janë analizuar duke përdorur dy kritere: mirësjellje dhe armiqësi. “Besimtarët janë gjithnjë e më shumë të vetëdijshëm se ndërsa ‘Lajmi i Mirë’ (Bibla) është bërë i njohur edhe në botën dixhitale, ky mund të mungojë te shumë njerëz, për të cilët rrjetet sociale janë të rëndësishme”, theksoi Benedikti XVI. Rrjete sociale të të gjitha llojeve janë bërë pjesë integrale e jetës online, ku jo vetëm rinia, por çdo moshë, edhe fëmijët edhe të moshuarit, përfshihen në të dhe me qejf të madh shpalosin vetveten në infinit si një komunikim pa përfillur rreziqet e humbjes së privatësisë. Në profilet që jepen zbulohen shumë detaje vetjake dhe të dhëna të cilat mund të keqpërdoren lehtësisht dhe mund të dëmtojnë gjatë gjithë jetës, në kërkime apo ndërrime punësh. Ndikimi i tyre te të rinjtë ka arritur pothuajse në nivelin e varësisë. Si dosjet e Sigurimit të Shtetit në diktaturë, do të thosha. Në përgjithësi ato kanë tendencë t’i pasivizojnë përdoruesit, thonë sociologë të ndryshëm, prandaj rrjetet sociale do të mund të bëheshin përçues të kulturës dhe vlerave, nëse do të ketë oferta kualitative kulturore. Vërtet rrjetet sociale po e zvogëlojnë largësinë mes njerëzve që jetojnë larg njëri-tjetrit, ndërkaq po e rrisin largësinë mes atyre që jetojnë në afërsi, sepse ndodh të jesh pranë dikujt dhe mos ta takosh asnjëherë. Përdorimi i tepruar i rrjeteve sociale gjithnjë e më shumë po rrit njohjet virtuale mes njerëzve, i cili po jep ndihmesën në humbjen e komunikimit të drejtpërdrejtë, që është i pazëvendësueshëm. E gjitha kjo mund të ndikojë ose ka ndikuar negativisht në formimin e karakterit të të rinjve, në sjelljet jo të mira, mbylljet në vetvete dhe shfaqjet agresive. Pra krijojnë një lloj burgu tjetër, pa rrethime e tela me gjemba. Por, rrjetet sociale ndikojnë në sensibilizimet e gjera kolektive dhe nxisin reagime. Përmes Facebook-ut nisi edhe Pranvera Arabe, rrëzimi i qeverive. Nëse do të ishin këto, Muri i Berlinit do të binte më parë dhe bashkë me të dhe diktaturat. Në fund të fundit, rrjetet sociale janë organizma të shkencës dhe sado të arrira qofshin, janë ende larg formave të organizmit të gjallë. Më shumë ura lidhëse unë gjej mes Homerit dhe Xhojsit, që i ndajnë bashkë 3 mijë vjet, se sa mes letërsisë sot e rrjeteve sociale. Kështu mendoj. E di që rrjetet sociale tejkalojnë botues e censorë e panaire libri dhe të imponohen si një teprim i mrekullueshëm. Më shumë veprime në sekondë bën truri njerëzor. Mund t’ia kalojnë makineritë e sofistikuara, elektronike në mjaft aspekte, shpejtësia e të cilit të kujton trurin e çmendur. Por, mua më intereson tani çmenduria e krimit, shpejtësia me të cilin harrohet dhe plogështia si një mekanizëm i prishur, i dënimit të tij.
REALIZMI I DËNUAR
Realizmi i dënuar po sjell dëshmi nga ferri i vërtetë dhe vlera artistike të tjera dhe nuk kërkoi të përzërë vlerat e mëparshme, të krijuara me mund dhe me guxim, thjesht solli vetveten. Dolën vepra nga burgjet, erdhën nga balta e internimeve, i nxorën nga sirtarët e brejtur nga koha, të ngjashëm me drurin e ikonës që përmendëm më lart.
Shqipëria e pataksuar pa se paskësh pasur jo vetëm viktima, por dhe disidencë, edhe kundërshtarë, edhe martirë, edhe revolta, edhe kryengritje. Por, le të flasim për poezinë që gjejmë dhe në internet tani. Na trondit së thelli ajo që kanë shkruar poetët e pushkatuar, aq të rinj në moshë, Trifon Xhagjika e Vilson Blloshmi, e të varurit të fundit në perandorinë komuniste, e shokut tim të burgut, Havzi Nelaj dhe para tyre shkrimtarët klerikë si i krishteri Padër Anton Harapi apo bektashiani Ali Tomorri. Po kështu po tërheqin lexuesin romanet e ish-të burgosurit politik Astrit Delvina, një pjesë e të cilëve ende është në dosjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nuk e di a është dixhitalizuar. Por, ai ka vdekur që t’i kërkojë dhe në vendin tim të vdekurit harrohen shpejt. Letërsisë shqipe i erdhën veprat e të burgosurve politikë si ato madhoret të At Zef Pllumit, romanet e Pjetër Arbnorit, të Bashkim Shehut, të Fatos Lubonjës e të Amik Kasoruhos, bashkë me ta edhe emra të tjerë, si Tasi, Bungo, Gjoka, Mërlika, Prifti etj., apo At e bir, Radët, se në Shqipëri trashëgohej edhe dënimi. Dolën nga heshtja poezitë moderne të Zef Zorbës, komeditë e tim eti, Hekuran Zhiti, prej të cilit unë kisha lindur i dënuar, i dënuar para se të lindja, më pas ai shikohej akoma më keq prej të birit në burg si armik politik. Po kështu u kthyen nga azili politik sonetet e Arshi Pipës dhe studimet e Sami Repishtit, dy të burgosur politikë që patën fatin dhe u arratisën për në SHBA, po kështu u kthye vepra e shkrimtarit Martin Camaj, poet i nivelit europian, i arratisur dhe ky në Gjermani. Por bashkëpunëtori i tij, gjermani Hans-Joachim Lancksh, njohës i gjuhë shqipe, ka dhënë krijime nga tonat për lexuesin e vendit të tij, sidomos nga letërsia e burgjeve, kujtojmë Kasëm Trebeshinën, që ai e ka cilësuar si më të madhin e të panjohurve. Në Gjermani janë dhe nga brezat më të rinj, mes tyre dhe poetja e romancierja Lindita Arapi e poeti e përkthyesi Ferdinand Laholli, të dy nga qyteti ku kam banuar dhe unë, Lushnja, vend internimesh dhe i baltës, kryeqytet i dhimbjes, do të thosha. Dhe Ani Vilms boton romane gjermanisht. Edhe unë i nxora poezitë e mia nga burgu, një pjesë i kisha në kujtesë, i kisha bërë me mend në qeli. Në kamp, të burgosur të tjerë, miq të mi, më thanë që t’i mësonin dhe ata përmendësh, se s’i dihej, edhe mund të vritesha në minierë. E pse mos të shpëtonin ato poezi si dëshmi? Po të kishim atje ndonjë I-phone a E-book e t’i kishim hedhur në to krijimet tona, mbase do t’i kishin gjetur dhe do t’i thyenin gjithë egërsi. Truri i të burgosurit ka një përkryerje tjetër dhe kujtesë dhembjeje.
Unë besoj se letërsitë e mëdha, edhe mes teknikave më moderne e rrjeteve sociale, mbartin me vete kategoritë e hershme etike, si moralin dhe ndershmërinë intelektuale, të vërtetën, gjë që e thoshte diku dhe Franc Kafka, domosdoshmëri e gjithmontë për një kulturë. Në Shqipëri sot lëvrohet një letërsi e lidhur me të kaluarën, jo në kuptimin e tradicionales, e lirë, e shkrimtarëve të lirë, që nuk kanë frikë nga asgjë, por që duhet të kenë frikë nga ajo që shkruajnë, ngul këmbë. Ndërkaq, edhe indiferenca përreth mund të jetë një lloj forme e zbutur dënimi, edhe harresa, gjithsesi, edhe bjerrja e kohës nëpër lojërat elektronike… Aq sa e rëndësishme është liria, po aq rëndësi ka, do të thosha, mosshpërdorimi i saj. Të dyja prodhojnë vlera të reja. Realizmi i dënuar shqiptar, sipas meje, ka disa realitete, që nuk kanë më Mur Berlini mes tyre tani, por rrënojat e tij. Gjysma e saj zhvillohet në Republikën tjetër të shqiptarëve, në atë të Kosovës, si dhe në shtetet fqinje, Maqedoni e Mal të Zi, si dhe në diasporë, në Itali, Greqi, Francë, SHBA dhe Gjermani. I bashkon dhe interneti sot, e rrjetet sociale përhapin konsiderata e kritikë letrare. Por, kurrë nuk do të vijë dot ajo letërsi që nuk u la të bëhej, s’ka shkencë që ta sjellë, e të pushkatuarve dhe e atyre që vdiqën burgjeve, e të dënuarve apo dhe e atyre që do të donin të shkruanin ndryshe. Ajo do të mungojë përjetë. I ngjan një varreze masive brenda letërsisë së vendit tim. Nuk mund të fotografohet dot nga asnjë satelit. Mëkati është i përbindëshave, por dhe i atyre që i mbështetën, intelektualë të shumtë dhe shkrimtarë midis tyre, që pse ta fshehësh, pamjaftueshmërinë e talentit apo mbrashtinë e tij, narcizmin, zilitë agresive i vishnin me ideologji, luftë klase, denoncime dhe himne sistemit. Kam lexuar një të ri serb që besonte se pikërisht këtu e kishin zanafillën shkatërrimet dhe luftërat si ato që ndodhën së fundmi në Ballkan. Bashkohem me të.
Në Panairin e Leipzigut pashë se letërsia shqipe kërkohet dhe botohet edhe metropoleve të botës, si pjesë e saj, si letërsi europiane, si pjesë e saj, letërsi ballkanike, si pjesë e saj, pra letërsi e shqiptarëve, por dhe e cilitdo në botë, ku do të mjaftonte qoftë dhe një varg, një rresht, një emër që pasi ia arrijnë të dalin nga realiteti i dënuar, gjithsesi japin kumte, që në fund të fundit bindin se fryma njerëzore gjithandej është e pamposhtur.
IKONA TJETËR SI EPILOG:
Do të desha ta mbaroja fjalën time ashtu siç kisha dashur ta nisja, prapë me një ikonë. Po në atë muze në Korçë, ku është Krishti me vrima plumbash në ballin e shenjtë, gjendet dhe një tjetër ikonë, po aq e bukur dhe e rrallë, vetëm tri janë kështu në botë, shpjegon ciceroni. Shën Maria shtatëzanë, me barkun blu, të fryrë. Ajo pret të lindë… Shqipëria e kaloi kalvarin e vet dhe kohën e kryqit. Tani duhet të bëjë aktin e rilingjalljes. Me kulturën e saj. Rrjetet sociale duhet ta përhapin, por me kujdes që të mos grijnë shpirtin.