Prej kohësh, punonjës dhe drejtues sektorësh kanë dëshmuar se janë të vënë nën presion për mbledhje dhe deklarime votash, në të kundërt do t’u duhet të bënin gati dorëheqjen dhe ta linin atë të gatshme në zyrat e eprorëve.
Mirëpo, asnjë prej tyre nuk ka shkuar të denoncojë rastet e për pasojë historitë kanë mbetur të pazbuluara, ndërsa ditën e djeshme, një burrë, punonjës i komunales, është dhunuar barbarisht pasi ka refuzuar të plotësojë një formular, në të cilin do të deklaronte votën për të gjithë pjesëtarët e familjes së tij. Sipas tij, formulari i është vënë në dispozicion nga eprori i tij, që pas refuzimit, është bërë edhe dhunuesi i tij. Burri, i cili ka përfunduar me plagë në spital dhe për të cilin ka reaguar edhe Policia e Fierit, ka dalë edhe në mediat lokale duke dëshmuar hapur rastin flagrant, atë për të cilin po flitet prej të paktën 2 muajsh.
NGJARJA
Një punonjës i Ndërmarrjes Komunale në Bashkinë e Patosit, denoncoi eprorin e tij për dhunë brenda institucionit për shkak të refuzimit për të mbledhur vota për Partinë Socialiste.
Bato Dalipaj fillimisht ia tregoi ngjarjen kandidates së koalicionit “Bashkë Fitojmë”, e më pas ka denoncuar në Polici eprorin e tij, Petrit Pëllumbi, për ushtrim dhune ndaj tij. Kjo e fundit tha se ka nisur hetimet për rastin.
Qytetari i identifikuar si Bato Dalipaj, punonjës i Ndërmarrjes Komunale të Bashkisë së Patosit, thotë se u dhunua nga shefi i tij pasi nuk pranoi të firmosë një formular ku duhet të garantonte 10 vota për Partinë Socialiste.
“Më thirrën lart në zyrë dhe më ofruan një formular për të plotësuar për ta firmosur, të shkruaja pjesëtarët e familjes dhe nuk e pranova. I thashë jo. Formulari ishte për votimet. Mora rrugën dhe ika, më erdhi nga pas dhe më gjuajti, më shtriu përtokë. Më goditi Petrit Pëllumbi. Më ndihmuan shokët atje dhe pastaj më çuan në spital. Petriti është përgjegjës që ndan punën në Komunalen në Patos. Unë jam katërorarësh deri në qershor dhe mbaron, një vit kontratë”, denoncoi Bato Dalipaj.
Policia bëri të ditur në një reagim për ngjarjen se rreth orës 16:10 të së martës, 55- vjeçari, punonjës i Ndërmarrjes së Komunales në Bashkinë Patos, është paraqitur në Komisariat ku ka bërë kallëzim, duke pretenduar se në ambientet e punës, eprori i tij, Petrit Pëllumbi, ka ushtruar dhunë fizike ndaj tij, për shkak nuk ka pranuar të plotësojë formularin. Policia në njoftimin për rastin tha se “rreth orës 16:10, shtetasi B. D., 55 vjeç (punonjës i Ndërmarrjes së Komunales, Bashkia Patos), është paraqitur në Komisariatin e Policisë Fier, për të bërë kallëzim, duke pretenduar se në ambientet e punës, eprori i tij, shtetasi P. P. ka ushtruar dhunë fizike ndaj tij, për shkak nuk ka pranuar të plotësojë një formular. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier kanë njoftuar menjëherë Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, dhe në prani të oficerëve të Policisë Gjyqësore, shtetasit B. D. po i merret dëshmia në lidhje me rrethanat e ngjarjes, si dhe po kryhen të gjitha veprimet procedurale”. syri.net