“Lettres champenoises” kanë botuar, më 1820, në faqet n°226 – 228, një shkrim mbi Ali Pashë Tepelenën (Janinën), të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Pashai i famshëm i Janinës
Pas Mbretëreshës së Anglisë, personazhi që zë më shumë vëmendjen e publikut është pashai i famshëm i Janinës, i cili ka hedhur zgjedhën dhe është bërë i pavarur nga Porta.
Nëse despotizmi bëhet burrë, me siguri që ai dë të përhapet në botë nëpërmjet Aliut. Thuhet se thesaret e tij, të cilat qëndrojnë në pasazhe të mëdha nëntokësore dhe që mund të krahasohen me ato të Abulkasemit, në “Një mijë e një net”, arrijnë në dyqind milionë.
Kjo shumë e madhe është fryt i plaçkitjeve, grabitjeve dhe mizorive të tij. Kushdo që gjendej në sundimin e saj, nëse dyshohej se ishte i pasur, vihej menjëherë në shënjestrën e tij; e cila ishte e barazvlefshme me një dënim me vdekje. Atij i ka ndodhur të rrafshojë fshatra të tërë për t’u marrë atë që kishin.
Ai komunikonte shpesh me Bonapartin, sepse kishte dëgjuar se ai ishte një njeri që e kuptonte despotizmin në mënyrë të admirueshme; madje pretendohet se ai fshehurazi ishte xheloz. Ai foli për këtë një ditë me Z. de Pouqueville dhe e pyeti se çfarë dobie kishte për të një organ legjislativ :
— Për të bërë ligje, u përgjigj Z. de Poucqueville.
— Çfarë, ligje! Pra, ekzistojnë gjëra të tjera përtej vullneteve të tij?
— Pa dyshim, madje ka edhe disa anëtarë të këtij organi legjislativ që kanë guxuar t’i thonë të vërtetën, dhe Z. de Poucqueville përmendi emrat e Z. Laîné dhe Z. Raynouard.
— Dhe çfarë u bë me ta?
— Ata jetojnë.
— Ata jetojnë!!! Ky është Bonaparti juaj! mos më flisni më për këtë.
Ali Pasha është mbi gjashtëdhjetë vjeç; e mundon përdhesi, i cili e pengon të hipë në kalë.
Porta po bën përgatitje të jashtëzakonshme kundër tij dhe po përgatitet për ta sulmuar nga toka dhe nga deti.Këto përgatitje e shqetësojnë shumë; dhe duket se kjo luftë do t’i japë fund si pushtetit, ashtu edhe mizorive të tij.