LETËR ERËS
-triptik-
E dashur Era!
Këtë letër nuk po ta dërgoj me postë,
Po me pëllumbat e lagjes
që ti i le jetimë!
Ata janë më tepër se Kristofor Kolombë,
Në mos ardhshin te gjallë,
të vdekur do të arrijnë!
Me gu-gu-të e tyre ata do të të kapin,
Sado që të jesh e veshur me mister!
Se të njohin nga mënyra si e lëviz ti ajrin,
Si e krijon flladin në momentin kur ec!
Se të njohin nga shenjat
që të kanë lënë,
Kur të uleshin mbi supe e seç shkruanin!
Unë gjuhës së pëllumbave nuk i njoh
asnjë gërmë,
Po them që me siguri
dashuri ato mbanin!
2-
E dashur Era!
Tulipanët në oborr kanë nisur të thahen!
Ata lulëzonin veç nga duart e tua!
Kanarina që bleve (a e mban mend!?)
Vdiq pas tre ditësh që ti ishe larguar!
Brenda kafazit bosh, tani banon trishtimi!
(Ai nuk besoj se do të ketë vdekje!)
Uji që pinte kanarina ka ngrirë,
Si një lot i madh atje mbi qelqe!
Ike aq larg, moj Era, në fund të botës,
Adresën ku rri, nuk e dimë ende,
Po cili pëllumb nga ata të Korçës,
Strehëzën tënde të re nuk do ta gjente!
3-
E dashur Era!
Ku t’i gjejmë tani tingujt e sandaleve të tua,
Që kishin, në vend të rripave, meridianë!?
Kur ecnin ato, bota e ndalonte rrotullimin,
(Rrotullohej rreth teje moj vajzë!)
Ti i bëje edhe pleqtë që t’ju ftohej kafja,
Se të ndiqnin ty me sy vjedhëtarë !
Ç’na torturoje moj Era, kur vinte mbrëmja,
Na ktheje të gjithëve në mëkatarë!
Edhe atje ku ke shkuar, po kështu do të ndodhë,
Do të ketë të tjerë
që do t’ju ftohen kafet!
Se ti je ajo Era që ke lindur në Korçë,
Që i ke të bukura edhe mëkatet!
SYTË E SAJ
Ti më dhe sytë e tu të mëdhenj
me ta gjithë botën kam pushtuar,
nuk më duhen syzet, do t’i hedh
qelqe që më thyhen nëpër duar!
Nuk të dua më shumë se kaq të bukur,
sytë e tu dhe bota janë në harmoni,
brenda meje, ti atje rri e strukur
Pret të bësh me mua dashuri!
Të tillë sy s’mund të ketë të tjerë,
Shoh njerëz të verbwr o njeri,
Por nuk dua bota të përmbyset
e bukura me sytë që më dhe ti!
PIKËRISHT TANI
Eglës, pjesës sime më të mirë
Pikërisht tani
Ti më do më shumë
Pikërisht tani!
Kur hapat ecin zvarrë
Dhe s’i ndaloj dot unë
Pikërisht tani!
Pikërisht tani
Kur më duhesh më shumë
Pikërisht tani!
Kur bie të fle
Por nuk kam më gjumë
Pikërisht tani!
Pikërisht tani
Kur dorën ta kam zgjatur
Pikërisht tani!
Pas dorës tënde
Që ta mbaja kapur
Siç ma mbaje dhe ti!
Pikërisht tani
Kur pranë këtij mali
më pëlqen të rri,
Pikërisht tani!
Kur dora po më dridhet
Dhe dorë tjetër s’kam,
S’ma jep dot as ti!
Pikërisht tani
Kur pranë këtij zjarri
Ngrohesh edhe ti,
Pikërisht tani!
MACJA E EGËR
Dua të të dua prapë,
po s’mundem!
Ti je kthyer e gjitha në një tjetër!
Nëpër hone humnerash
do pranoj të puthem,
Por jo më me ty, macja ime e egër!
Dhe në se rrëzohem
vetë do të ngrihem,
S’i lutem askujt,
ty-aq më tepër!
Varka ime ecën,
drejt deteve më shpie,
Por jo më me ty,
macja ime e egër!
Unë edhe mund të mbytem,
atje, në ata dete,
Mund të ndodhë sot,
mund të ndodhë nesër!
Do të jem pastaj
një dallgë më vete,
Por jo më me ty,
macja ime e egër!
Do të t’i marr ditët
që jetuam bashkë,
Do t’i fsheh, që kurrë,
mos t’i gjejë një tjetër!
Por në dashuri
nëse bie prapë,
Veç me ty do bie,
macja ime e egër!
QYTETI I DASHURISË
E dua këtë qytet verbërisht
Rrethuar i gjithi me kodra!
njëra prej tyre është imja, natyrisht,
Aty ka lindur bota!
Unë jam i vogli ndër të mëdhenjtë,
Për rrugë të gjatë jam nisur,
Unë jam i madhi ndër të vegjlit,
nga kodra asnjëher i braktisur!
Këtu dashurohen dhe mosha e tretë,
Veç t’i shohësh kur përqafohen ata!
Dimrin e tyre e shkrijnë djemtë,
Dhe vajzat që askush s’i ka!
Dua të vdes në pëllëmbën e tij,
Dhe, dita që vjen quhet: Nesër
Te ky park i mbushur me dashuri
me ketra dhe me vjeshtë!
KUR TEPËRON DASHURIA
Ku e gjen gjithë këtë dashuri,
E shpërndan tek të gjithë e prapë të mbetet!?
Dhe mbetja brenda teje rri,
Siç rrinë në pemë rrënjët e jo gjethet!
Çdo gjë e bukur është kthyer në” ti”,
Që vetëm jep e asnjëherë nuk merr!
Ndaj është e çuditshme kjo dashuri,
Që vetëm rrjedh e asnjëherë nuk shterr!
Po kur do më lësh të hyj atje brenda,
Apo s’duhet ta dijë asnjë,
se është sekret!
Mundohem të gjej atë shteg
për tek zemra,
Ku të qesh, të qaj, të shtrihem, të vdes!
VJESHTA ERA DHE UNË
Erdhi një erë, erdhi,
Vallzoi me gjethet e kuqeremta.
Njerëzit kishin frikë të shkelnin
Mbi qilimin e miqve që solli vjeshta
Erdhi një vjeshtë, erdhi,
Kur dorën më kishin zgjatur të gjitha pemët
Portokalli më thoshte merr një portokall,
Shega më lutej, merr një shegë!
Erdhi një vjeshtë. Erdhi.
Një kokër molle më ra në kokë,
Po unë s’jam Pirua i Epirit
(Ai vdiq nga një tullë jo nga një mollë).
PËR TY E DASHUR
Hyra brenda një dite
Dhe kur ika ia vodha mëngjesin,
ia vodha gjysmën e diellit
Për ty e dashur!
Trëndafilët e kuq këputa nëpër oborre,
Ata sapo kishin çelur
Ia vodha aromën që e kishin aq të veçntë,
Për ty e dashur!
Dëborës që erdhi mbrëmë
dhe e vunë të flerë me mua
ia vodha argjendin,
(askujt për këtë s’I kam treguar!)
Për ty e dashur!
Shiut që bie me gjëmime,
dhe i përzier me breshër
Ia vodha ylberin ta kem
dhe për sot edhe për nesër
Për ty e dashur!
Përqafimet jua rrembeva
dhe I ktheva në puthje
nëse diku kam gabuar
unë nuk e quaj humbje.
Vetem për ty e dashur!
DY BOTËT
I numërova një nga një, të gjithë,
Dhe më dolën të vdekur më shumë,
Ata vërtet të dënuar janë,
Po shtëpizat i kanë me mermer dhe gurë!
Më shumë se gjysma e kësaj bote rri shtrirë
E gjitha kjo ngjan me filma surealë,
Megjithatë unë e di se ç’bëhet
Me ata, të vdekurit e gjalle!
Kjo botë erdhi dhe do të ikë,
Pa i pyetur fare krijuesit e saj,
Është një rrugë ku ec pa frikë,
Më lini të qaj!
PERËNDIA E HESHTJES
kushtuar Petrika Rizës
Vonë miku im, tepër vonë
u nis drejt teje ky “Mjeshtër i madh”,
ti ke qenë gjithmonë Perëndia e heshtjes
dhe bashkë me të ke shkuar larg!
Dhe ke një dashuri të çuditshme për skenën
ajo të rriti të bëri të madh
ti hape dyer që ishin plot me njerëz
dhe gjete aty shpirtin korçar.
Vonë, tepër vonë të erdhi ky Mjeshteri madh
gersa arritën më në fund ta kuptonin,
Petrika Riza do të thotë Art
Këtë e thonë sytë që shikonin
Petrika Riza hyn ndër ata
që edhe kur te ike do te mbetet,
këtë e thotë pa frikë arti i maddh,
që na i jep ne dhe s’e mban për vete!