“BAR” I PUTHJES SE PARE
Dhe zura vend në tavolinën,
Atje në qoshe, paksa e futur.
Ku si flutura kujtimet erdhën,
Aty ku hera parë jemi puthur.
Eh, ëmbëlsin e asaj puthje!
Më kot dua ta sjell në mënd.
Ditë, javë e vite ikën tutje,
Askush se zuri vendin tënd.
Ndaj qaj me shpirt të coptuar.
Mbi tavolinë lotët bien pik-pik.
Shok më bëhet lypsi në trotuar.
“Ç’ke?-thotë-Robo mos u mërzit”.
As vetë se di, vesht nuk e mora.
Eh! Lotët më mbetën të pa tharë
Cigarja më kishte rënë nga dora
At’ditë te “Bar” i puthjes së parë.
“MULLIRI I VJETER”
Ja ku është aty “Mulliri i vjetër”,
I shtrenjti, i këndshmi bari ynë.
S’mund të ishte në vend tjetër
Kujtimet, puthjet të gjitha brymë.
Këtu vije mëngjezeve engjëllore
Vjollcë e spërkatur nga vesa e agut.
Bar i ëndrrave të shenjta hyjnore,
Ç’ke shpirt, pse rri ngrirë tej pragut?
Nuk më sheh? Me gotën jam në dorë
Te tavolina jonë në qoshen e kuvlis.
Të kujtohet, ti the: “Sot nga kjo orë.
Kjo do të jetë foleja jonë e dashurisë”.
VJOLLCAT E BARDHA
Lule të brishta, të magjishme
Si emrin ashtu edhe ngjyrën
Të ju prek, oh sa e dhimbshme!
Si bardhësi e shpirtit fytyrën.
T’ju këpus, t’ju marr ndër duar
Oh do të fishkeni! Mos o njeri!
I them vetes, keqas fort dyzuar.
Vjollcat e bardha burojnë mirësi.
E në çast m’u bë se ndjeva si vaj
Zën e lehtë të Vjollcës së Gëtes 1)
“…po vdes. Po vdes nga këmba e saj”2)
Ndaj u shtanga, jo jo i thashë vetes.
1)- “Vjollca” poezi e njohur nga poeti gjerman Johan Vilfgand Gëte
2)- Vargu i fundit nga poezia në fjalë
NE BAR “ROVENA”
Rastësisht para bar “Rovena” u ndodha,
S’kisha ndër mend të hyja sonte këtu,
Por, me që qëlloi, një sy brënda hodha,
Kërkundi nuk i ndesha të kaltërtit e tu.
Heshtja mbretëronte në të ëmblën tavolinë,
Asgjë mbi të, veçmas tavllës pa cigare,
Aty, ku në iriset e syve thellonim dashurinë,
Tani, qetësi, pa gota, filxhanë, fjalë fare…..
Bar “Rovena”