Letërsia shqipe si një njësi unike nacionale, injoron çdo provokim
Antologjia e poezisë moderne shqiptare ‘Veshun me diell, mbathun me hanë’, e përgatitur nga poeti i njohur Rudolf Marku, është antologjia 378-të poetike e botuar gjatë 33 vjetëve të fundit.(Burimi i kësaj të dhëne është Biblioteka Kombëtare e Tiranës). Në këtë kuptim, edhe kjo antologji e përgatitur nga Rudolfi nuk do të kishte ndonjë interes të madh (si edhe të parat), nëse nuk do të kishim parasysh disa koincidenca shumë provokuese për kulturën dhe letërsinë shqiptare të ndodhura në Tiranë gjatë muajve të fundit.
Së pari në promovimin e kësaj antologjie, ditë më parë në Muzeun Hstorik Kombëtar nga një drejtori e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, e quajtur Drejtoria e Librit dhe Leximit.
Së dyti: Në shpeshtinë e vepritarive që sponsorizohen nga Ministria e Kulturës apo institucionet e saj të varësisë që promovojnë rikthimin e politikave izolacioniste, përjashtuese ndaj letërsisë shqiptare që shkruhet në hapësirat shqiptare, siç ishte në dhjetorin e kaluar të një fotoekspozite që ndiqte të njëjtat kritere përjashtuese si edhe Rudofli ndaj më shumë së gjysmës së shkrimtarëve shqiptarë që jetojnë dhe shkruajnë jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë.
Së treti: Sipas partnerëve tanë strategjikë perëndimorë, në disa qarqe të vetmuara por me ndikim të Tiranë po ringjallet një frymë përçarëse, antishqiptare si një sponsorizim serbo-rus, që promovon distancimin e Tiranës nga hapësirat shqiptare. Pra, nuk jam duke thënë se Rudofli është i ndikuar nga kjo influencë, por kjo frymë ndjehet edhe në disa media të Tiranës. Vetë politikat e qeverisë shqiptare kanë qenë shpesh të tilla me retorikën distancuese ndaj Prishtinës, me pengesat doganore, fiskale, ato të qarkullimit etj, që i ka vendosë Prishtinës, ndërkohë që ka një servilizëm deri në neveri ndaj Beogradit.
Së katërti: Përgatitja e një antologjie nga një njeri me vlera kulturore dhe emër letrar si Rudolf Marku nuk mund të injorohet apo të anshkalohet. R.Marku ka qenë për disa vjet gazetar në “Drita”, ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, është përkthyes dhe prej 50 vjetësh kontribuon në letërsinë shqipe dhe publicistikën shqiptare. Këto atribute bëjnë, mendoj unë, që pretendimet e lexuesve shqiptarë të jenë të tjera nga ngushtësia e antologjisë së tij.
Fakti që ai mbrohet duke thënë se është një libër i bërë për qejf, apo një produkt individual që nuk ka synuar përfshirjen e autorëve jashtë kufijve shtetërorë, për shkak të mosnjohjes sa duhet të tyre apo të mungesës së kapaciteteve, nuk e mbron atë si njeri publik nga pasojat që ka sjellë.
Së pesti: Në zellin fatkeq të disa shkrimtarucëve në Tiranë që vlerësojnë si ngjarje edhe fotoekspozita gjysmake dhe antologji të tipit të Koço Bihikut, vetëm pse dikush i ka përfshirë me një poezi apo me një foto, duke shkelur me këmbë kolegët e tyre në Prishtinë, duke i përjashtuar ata që janë në majë të poezisë shqipe dhe asaj Ballkanike prej më shumë se 50 vjetësh, është edhe më e rëndë.
Ishte shumë zhgënjyese paraqitja në promovimin e antologjisë, të disa poetëve të njohur si Besnik Mustafaj, Natasha Lako, Mimoza Ahmeti, Sadik Bejko, Flutura Açka apo Primo Shllaku, që, ndërsa ngritën këtë libër në qiell, nuk thanë asnjë fjalë për këtë fyerje që u bëhej kolegëve të tyre të shquar jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë. Theksoj faktin se Prishtina, edhe në kushte pushtimi, i ka botuar shkrimtarët dhe poetët e Tiranës me shumë dashuri vëllazërore dhe teknologji të lartë për kohën, gjatë gati 40 vjeteve të izolimit të Shqipërisë komuniste.
Së gjashti: Veprimtaritë provokuese ndaj kulturës shqiptare, nga Ministria e Kulturës apo të sponsorizuara prej saj, po tregojnë shkaqet e verteta se pse nuk shkruhet Historia e Letërsisë Shqiptare, edhe pse prej 33 vjetësh kanë rënë kriteret ideologjike që e pengonin hartimin e një teksti akademik që e sheh letërsinë shqiptare si një njësi unike kombëtare.
Një Histori e Re e Letërsisë Shqiptare, natyrisht që do të përjashtonte ata që kanë hyrë në historinë e prof. Bihikut, bazuar në kritere idelogjike, apo sposorizime të tjera të dyshimta të natyrës së Sigurimit, si dhe do të sillte aty ku e meritojnë Ali Podrimjen, Azem Shkrelin, Din Mehmetin etj.
Historia e Letërsisë Shqipe e hartuar nga Koço Bihiku (maket 1978), përjashtonte të gjithë shkrimtarët shqiptarë që shkruanin në Kosovë dhe Ish-Jugosllavi, përfshirë edhe ata të diapsorës, me kriterin se nuk ishte letërsi e realizmit socialist. Rudofli nuk ka shpejguar se nga çfarë kriteri dhe metodologjie të natyrës estetike, e ka bërë antologjinë e tij duke përjashtuar gjysmën e elitës poetike kombëtare, ndërkohë që Koçoja e ka bërë këtë shpejgim!
Në fakt, Rudolfi thotë se kriteri mbi të cilën ka seleksionuar emrat në antologjinë e tij ka qenë ai i njohjes personale, i miqësisë individuale dhe jo i ndonjë kriteri estetik apo letrar, siç do të duhej në këtë rast. Në intervistën e dhënë televizionit ABC të Tiranës, i pyetur për përjashtimin e poetëve të shquar shqiptarë jashtë kufijve administriv të vendit, ai deklaron: “Synimi im ka qenë të bëj një antologji për poezinë që unë e njoh ma mirë dhe poezia që e njoh ma mirë është poezia që shkruhet brenda territorit, që shkruhet brenda territorit të shtetit shqiptar. Sepse këtë poezi e njoh mirë, sepse i njoh këta autorë qysh nga krijimet e para deri tek krijimet e fundit.”
Kjo i shpjegon të gjitha.
Për të shmangur manipulimin e opinionit, sidomos të të rinjve dhe studentëve nga nisma të tilla private, është emergjente hartimi i tekstit të Historisë së Letërsisë Shqiptare, në një nivel akademik që të ketë konsensusin më të gjerë të mundshëm.
Kjo Histori do të shkruhet shumë shpejt bazuar në metodologjinë më të përshtatshme, bazuar në kritere estetike, letrare e shkencore dhe jo bazuar në frymëzime klanore, interesa mediokre dhe kritere përçarëse që përcaktohen në Beograd apo Athinë. Çdo përpjekje për të ndarë, copëzuar dhe fragmentuar letërsinë shqiptare, apo për të rikthyer fenomenin e “qerthujve letarë”, të tejkaluar në Kosovë pas vitit 1968 do të dështojë. Po jap më poshtë një përshkrim të shkurtër të përpjekjeve të forta të shkrimtarëve shqiptarë në Kosovë për të integruar letërsinë e tyre në trungun mëmë, edhe pse të përjashtuar dhe distancuar nga Tirana e kohës gjatë viteve 1945-1990, por edhe për të treguar sesa fyhen ata nga veprime të papërgjegjshme të klaneve të vjetra dhe të reja, letrare të Tiranë
TË SHMANGIM RREZIKUN E RIKTHIMIT TË FENONEMIT QERTHULLIT LETRAR NË LETËRSINË SHQIPTARE. LETËRISA SHQIPTARE NË KOSOVË DHE TROJE PAS LUFTËS SË DYTË, LETËRSIA E NJË KOMBI TË NDARË.
Zhvillimet politike në Shqipëri të pas Luftës së Dytë Botërore, sidomos pas prishjes së marrëdhënieve me ish-Jugosllavinë, patën dukshëm ndikimet e tyre edhe dezintegrimin e letërsisë shqiptare. Izolimi i Shqipërisë nga bota, përshirë edhe nga fqinjët jugosllav, ku jetonin rreth 3 milion shqiptarë etnikë, e futi letërisnë në zhvillime të izoluara apo siç e quajnë disa studiues në “Qerthuj letrarë.” Tirana, për arsye ideologjike, ia mohoi vetës të drejtën për të qenë një qendër e vërtetë integruese dhe promovuese e letërsisë kombëtare që shkruhej jashtë vendit stalinist. Kështu deri në fillim të vitit 1970 panorama e letërsisë shqipe është e ndarë në qerthuj letrarë. Letërsia që zhvillohej në Republikën e Shqipërisë, letërsia shqiptare që zhvillohej në Kosovë dhe hapësirat etnike shqiptare në ish-Jugollavi dhe letërsia e diasporës së vjetër dhe të re.
Duke filluar nga viti 1970 udhëheqja politike e Shqipërisë bëri një hapje të druajtur ndaj letërsisë që shkruhej në Kosovë. Në Prishtinë prej vitit 1968 institucionet shkollore, përfshirë edhe ato universitare si dhe mediat kishin pranuar standardin e gjuhës letrare shqipe e cila do të kodifikohej në Tiranë në Kongresin e Drejtshkrimit të mbajtur në nëntor të vitit 1972.
Kritika letrare në Kosovë e udhëhequr kryesisht nga R.Qosja dhe I. Rugova, kërkuan me insistim që letërsia shqiptare të fillonte integrimin me letërsinë kombëtare të trungut amë që shkruhej në Shqipëri, duke çelur kështu fazën e vetintegrimit të saj në njësinë kombëtare letrare.
Botimi në Tiranë i shumë poetëve dhe shkrimtarëve shqiptarë nga Kosova, i shërbeu natyrshëm njohjes por edhe integrimit kombëtar të letërsisë shqipe, sido që nuk arriti ta nxirrte atë nga gjendja e qerthullit letrar, pasi Tirana zyrtare hezitonte ta pranonte letërsinë shqipe që shkruhej nga autorët shqiptarë atje si letërsia e realizmit socialist.
Kjo vërehet edhe në tekstin e Historisë së Letërsisë Shqipe të Realizmit Socialist (maket i vitit 1978) me kryeredaktor prof. Koço Buhiku.
Po kështu mbeti jashtë tekstit të kësaj historie letërsia e diasporës. Kështu Martin Camaj, Ernest Koliqi, Arshi Pipa apo arbëreshi Zef Skiroi, nuk u përfshinë asnjëherë në tekstet e historisë së letërsisë shqiptare.
Vetëm pas vitit 1990, me heqjen e barrierave ideologjike letërsia shqiptare filloi të integrohet si një letërsi e një kombi të ndarë, por që synonte bashkimin kombëtar.
Megjithatë mungesa e një historie të letërsisë shqipe nuk e ka ndihmuar procesin e integrimit letrar, kulturor dhe kombëtar.
Dekadat e fundit janë kryer shumë studime individuale të një niveli të lartë, të cilat e shohin letërsinë kombëtare si një njësi të tërë, por ato nuk e mbushin boshllëkun e një teksti bazë që do t’u shërbente studentëve dhe mësuesëve të letërsisë dhe po aq edhe mediave dhe kritikës letrare.
ATNOLOGJIA E POEZISË MODERNE SHQIPE, KU FILLON DHE KU MBARON MODERNITETI ?
Rudolf Marku e quan librin e përgatitur prej tij “Antologjia e poezisë moderne shqiptare ‘Veshun me diell, mbathun me hanë’, duke filluar me të drejtë me poetët tanë humanistë. Është krejt e qartë se poezia shqipe nuk fillon as me bejtexhinjtë dhe as me Namimin, pasi do të mohonim disa shekuj të poezisë ekslente shqiptare, por për termin modernitet dhe “modernizim” ka marrë debate edhe mes studiuesëve tanë të njohur.
Sipas studiuesit S. Hamiti: “Më 1900 vdes Naim Frashëri. Po këtë vit Fishta boton shkrimet e para. Pra me mbarimin e shek XIX mbyllet letërsia e Naimit, dhe një periudhë e letërsisë shqiptare. Këtu është një prerje ndërmjet letërsisë së Naimit (romantike) dhe letërsisë që nis me brezin e 1900-shit, ku hyjnë Konica, Fishta, Çajupi, Asdreni, Noli, M.Frashëri me një letërsi joromantike. Të parën e karakterizon ideja kombëtare, kurse të dytën ideja shoqërore, apo ideja njerëzore. Kjo e dyta është periudha e letërsisë moderne shqiptare, që do të mbizotërojë katër dhjetëvjeçarët e parë të shek. XX.”[1]
MODERNIZMI, AVANGARDA DHE POSTMODERNIZMI LETRAR I SHEKULLIT TË NJËZETË
Modernizmi u shfaq në trajta të ndryshme estetike, nacionale e ideore në fund të shekullit të 19-të deri nga mesi i shekullit të njëzetë, apo siç shkruan prof. Agron Tufa “nga impresionizmi gjer të romani i ri dhe teatri absurd.” Sipas Tufës “Si kufi i poshtëm kronologjik i modernizmit rezulton kultura “realiste“ dhe pozitiviste e shekullit XIX, ndërsa si kufi i epërm – postmodernizmi që nis me formësimin në vitet 1950- 1960.”[2]
SIMBOLISTËT FRANCEZË të fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë (1886) me përfaqësues kryesore poetët Malarme, Verlen, Rembo mbahen si pararendës të modernizmit, apo si rryma e parë e modernizimit. Pas Francës simbolimi u përhap edhe në Gjermani, Rusi etj, me karakteristikat e veta përkatëse. Ata sfiduan romantizmin dhe realizimin e shekullit XIX. Për simbolistët francezë ishin parësore “jo parimet filozofike, por ato estetike”, duke bërë ndryshim me simbolistët e tjerë gjermanë dhe rusë që u shfaqën më vonë.
Termi modernizëm, është marrë si një zhvillim i ri që identifikon zhvillimet letrare dhe artistike të fillimit të shekullit të njëzetë, duke përdorur mjete të reja shprehëse në arte dhe në letërsi.
Sipas prof. A.Tufës “Arte tipike moderniste janë simbolizmi, ekspresionizmi dhe akeizmi (rus). Arte tipike avangardiste janë futurizmi, surrealizmi, dadaizmi. Dallimi kryesor ndërmjet modernizmit dhe avangardës qëndron në faktin se të dy këto drejtime përpiqen të krijojnë diçka parimisht të re, porse modernizmi e sjell risinë vetëm në sferën e formës artistike (nëse flasim për termat e semiotikës), në sferën e sintaksës, pa e prekur sferën e pragmatikës. Avangarda i prek të tria këto sfera, duke i mëshuar së tepërmi pragmatikës.”[3]
Morley, Catherine (March 1, 2012). Modern American Literature. EDINBURGH University Press. p. 4. ISBN 978-0-7486-2506-2. Retrieved April 20, 2013
Pound, Ezra, Make it Neë, Essays, London, 1935
POEZIA SHQIPE E VITEVE ’70-TË NË KOSOVË DHE NDIKIMI I SAJ NË POEZINË E KËTIJ BREZI POETËSH NË SHQIPËRI
Siç e thamë më lart, poeti Rudolf Marku, njëkohësisht përgatitësi i “Antologjisë së poezisë shqipe”, të botuar ditë më parë në Tiranë, u përgjigjet kritikave të shumta të marra nga poetë, studiues të letërsisë dhe akademikë për lënjen jashtë këtij libri të gjysmës së poetëve shqiptarë që jetojnë janë kufijve të Shqipërisë londineze me faktin që ai, përpos të tjerave, ka përfshirë ata poetë që i ka njohur ma mirë. Gjatë një interviste të marrë nga gazetarja Leontina Nika për televizionin ABC të Tiranës, ai jep shpjegimet e tij për këtë përjashtim të pajustifikueshëm në këtë mënyrë: “Kjo pikëpamje njëherë … antologjia secili e krijon sipas qefit të vet, sipas shijes së vet, unë nuk kam pasë synim me i futë autorët nga Kosova, ka poetë shumë të mirë nga Kosova, ata janë poetë shqiptarë jo kosovarë, ka poetë shumë të mirë Mali i Zi, ndoshta unë nuk e njoh shumë mirë krijimtarinë e shqiptarëve në Mal të Zi. Ka poetë shumë të mirë nga Maqedonia të cilët i respektoj, por nuk ka qënë qëllimi për t’i futë të tanë në një antologji. Synimi im ka qënë të bëj një antologji për poezinë që unë e njoh ma mirë dhe poezinë që e njoh ma mirë është poezia që shkruhet brenda territorit, që shkruhet brenda territorit të shtetit shqiptar.Sepse këtë poezi e njoh mirë, sepse i njoh këta autorë qysh nga krijimet e para deri tek krijimet e fundit.” Por e verteta është se Rudolfi duke qënë redaktor pranë gazetës “Drita”, ku poetët shqiptarë nga Kosova dhe trojet kishin filluar të botoheshin prej vitit 1970 me cikle, libra dhe antologji të përbashkëta, nuk është se nuk e ka njohur Podrimjen, Shkrelin, D. Mehmetin e të tjerë kolosë të poezisë shqipe.
Kontaktet e poezisë shqipe që shkruhej në Kosovë, me lexuesit në Shqipëri, për shkaqe të karakterit politik, filluan vonë.
Botimet e para në shtypin letrar të Tiranës përkojnë me vitin 1970.
Sipas studiuesit Agim Vinca, “Duke filluar nga viti 1966 e këndej, letërsia shqipe që krijohet në Jugosllavi hyn në një fazë të re dhe të panjohur më parë. Në këtë kohë vecenarisht nga viti 1968 e këndej, nis procesi i integrimit të saj me letërsinë amë, përkatësisht procesi vetëdijësimit të saj për përkatësinë unike kombëtare; vetëdije kjo që artikulohet së pari në shkrimet kritike, eseistike dhe historiko-letrare të Rexhep Qoses.”[4]
Kjo vetëdije forcohet në vitet 1968-1972 me unifikimin e normes letrare të gjuhës shqipe dhe përdorimit të saj nga shkrimtarët shqiptarë në Shqipëri, Kosovë dhe troje.
Pavarësisht faktorëve të ndryshëm pengues dhe zhvillimeve të vecanta shoqërore e politike, në Shqipëri, Kosovë dhe rajon, poezia shqipe e viteve ’70 në tërësi njeh një bum të fortë.
Studiuesi Bashkim Kucuku duke trajtuar këtë fenomen thekson se, “si në asnjë periudhë tjetër ajo është shkruar në krejt hapsirën gjuhësore dhe kulturore shqiptare: në shtetin amë, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, si dhe në disa vatra të dipasporës(Itali, Gjermani, SHBA).[5]
POEZIA SHQIPE NË KOSOVË, NJË HISTORI E SHKURTËR
Poezia shqipe në Kosovë gjatë gjysmës së dytë të shekullit të njezetë njohu një zhvillim mbresëlënës. Babait të poezisë moderne kosovare Esad Mekuli (1916-1993), i cili filloi të shkruante poezi të angazhuara qysh në mesin e viteve 1930 do t’i shtoheshin një varg poetësh të shquar. Pas Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët në ish-Jugosllavi, sido që të rënë nën një robëri të re, fituan të drejtën formale të shkollave dhe të shtypit në gjuhën shqipe, e drejtë kjo që u ishte mohuar si gjatë pushtimit disashekullor osman, ashtu edhe gjatë mbretërisë serbe.
Rënja më 1966 e ish-shefit famëkeq të policisë sekrete serbe A. Rakovic dhe bashkë me të edhe të politikave të tij genocidiste, u dha hapsirë shqiptarëve për të kërkuar të drejtat e tyre kombëtare dhe kuturore. Pas demontrstave të vitit 1968 shqiptarët fituan të drejtën e mbajtjes së Flamurit Kombëtar dhe një vit më vonë të hapjes së Universitetit të Prishtinës. Sic dihet kushtetuta e vitit 1974 e avancoi statusin juridik të Kosovës në Federatën Jugollave, duke i sanksianuar një autonomi dhe vetëqverisje me të madhe, duke e bërë atë element konstituiv në federatë.
Nga pikëpamja letrare“Shtytje të ndjeshme zhvillimit të poezisë në fillim të viteve pesëdhjetë i dhanë dy përmbledhjet poetike të Martin Camajt(1925-1992).[6]
Siç dihet vëllimet poetike të Camajt: “Një fyell ndër male”(Prishtinë 1953) dhe “Kanga e vërrinit”, bashkë me vëllimin me poezi “Për ty” (Prishtinë 1955) të Mekulit, do të krijonin një traditë që do të frymëzonte brezat e ardhshëm të poetëve shqiptarë në Kosovë.
Vetë Mekuli me themelimin e revistës letrare “Jeta e re”(Prishtinë 1949), do të inkurajonte poetët dhe shkrimtarët e rinj dhe afirmonte ata me një përkujdese të madhe.
Robert Elsie, duke komentuar vecoritë poetike të Mekulit vlerëson se “ ishte poet i angazhuar me ndërgjegje shoqërore , revolta e të ciklit për padrejtësinë, dhunën gjenocidin dhe shtypjen krahasohet me atë të poezisë revolucionare të mesianikut Migjeni (1911-1938) nga Shkodra.”[7]
Një grup tjetër i poetësh që do të bëheshin të njohur më vonë do të dilnin në skenë në fund të viteve 1950 dhe fillim të viteve 1960 me Enver Gjergjekun, Fahredin Gungën, Besim Bokshi Din Mehmetin , Adem Gajtanin, Azem Shkrelin, Rrahman Dedjen, Ali Podrimjen etj.
Në fund të viteve 1960 dhe fillim të vitëve ’70-të, do të konkuronin brezi i parë i poetëve me Esad Mekulin, Mark Krasniqin, etj, brezi i mesëm me Shkrelin, Podrimjen, Din Mehmetin etj, por edhe brezi më i ri me Beqir Musliun, Musa Ramadanin, Teki Dervishin, Muahmet kërveshi, Sabri Hamitin, Qerim Ujkani, Mirko Gashin, Agim Vincën, Nexhat Halimin, Edi Shkukriun, Kadrush Radogoshi, etj.
Në fillim të viteve tetëdhjetë një numër poetësh të rinj do të sillinin në poezinë shqipe të Kosovës individualitetin e tyre krijues me larmishmëri stili dhe motivesh të reja. Poetët që spikasin në këtë periudhë janë: Milazim Krasniqi, Ramadan Musliu, Basri Çapriqi, Ibrahim Berisha, Abdullah Konushevci, Naim Kelmendi, Fatmir Sulejmani, Salajdin Salihu, Lulzim Haziri, Mustafë Xhemajli, Linditë Ahmeti, Anton Berishaj, Lindita Aliu (Tahiri), Kujtim Shala, Vehbi Miftari etj.,
FAKTORËT LETRARË DHE JASHTËLETRARË QË NDIKUAN POEZINË HERMETIKE TË KOSOVËS
Megjithëse në mungesë të lirisë kombëtare, për rrethana tashmë të njohura, pranohet nga e gjithë kritika dhe studiuesit se poetët shqiptarë të Kosovës patën më shumë kontakte me botën kulturore, në krahasim me shkrimtarët shqiptarë në Shqipëri që jetonin në një shoqëri tërësisht të mbyllur dhe të vetizoluar.
Jeta politike në Kosovë pati vecoritë e saj që kishin të bënin edhe me socializmin më libral jogosllav që zuri fill qysh prej prej shkëpujtes së ish-Federtaës Jogosllave nga Bashkimi Sovjetik, stalinist dhe afrimit të tij me perëndimin. Sipas studiuesit Mensur Raifi ky ndryshim i madh politik do të kishte ndikime edhe në letërsinë e kohës pasi “krijohet baza politike dhe sociale e orientimeve artistike të kundërta me ato të realizmit socialist; nuk kalojnë as katër vjet dhe mbahet Kongresi III i Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë dhe dy vjet më vonë, me fjalimet e Mirosllav Kërlezhës , marrin hov zhvillime të reja kulturore dhe merr fund një fazë e lajthitjeve të vjetra dhe e ndalesave të ngurta në fushën e estetikës.[8]
Shkrimtarët shqiptarë në Kosovë e shfrytëzuan atë autonomi dhe liri estetike, për të avancuar arritjet e tyre letrare.
Më vonë ngjarjet në Cekosllovaki dhe frika nga kërcënimi rus, solli përmirësimin gradual të maredhënjeve të Tiranës me Beogradin, gjë e cila do të reflektohej edhe në zhvillimet më paqësore në Kosovë dhe shënimin e disa arritjeve të shqiptarëve sic është edhe hapja e Univeritetit të Prishtinës më 1969 “…institucioni i parë i arsimit të lartë në gjuhën shqipe”[9], por edhe shtimi i botimeve në gjuhën shqipe, etj.
Poetët kosvarë filluan të shkruajnë poezi me një figuracion të errët dhe me nënkuptime të forta duke i fshehur dhe kamufluar mesazhet e verteta të tyre për liri, duke përdorur metaforën, simbolin, alegorinë dhe cdo mjet tjetër letrar që mund të lejonte censura serbe.
Kjo vihet re në poezinë e Azem Shkrelit “Zjarrmia”
Tash sa kohë
Po don të gdhijë
E s’po mundet…[10]
Studiuesi Agim Vinca duke analizuar këtë fenomen thotë se “simboli është një mjet i shpeshtë dhe i rëndësishëm figurativ i asaj pjesë të poezisë që ndjek përvojën e poezisë simboliste e neosimboliste, por edhe të asaj surrealiste dhe ekspresioniste.(Disa nga poetët e gjeneratës së mesme dhe të re: F. Gunga, A. Podrimja, Q. Ujkani, Rr. Dedaj, Mirko Gashi, Beqir Musliu, Musa Ramadani, Nexhat Halimi, Shaip Beqiri, Ramadan Musliu, Muhamet Kërveshi, Azem Shkreli, Adem Gajtini, Din Mehmeti, Besim Bokshi etj.).[11]
Ali Podrimja në poezinë e tij: “ Unë biri yt” shpreh nëntekste të fuqishme
Unë, biri yt, Kosovë, t’i njoh deshirat e
heshtuna
T’i njoh ëndërrt e tua, errat e fjetura në
shekuj
Unë, biri yt, Kosovë, t’i njoh vuajtjet, gëzimet,
vdekjet,
T’i njoh lindjet e bardha , caqet e tua te
kallura;
Unë, biri yt, Kosovë, ta di gjakun që të
vlon në gji,
Dallgën kur të rreh netëve t’pa gjumë
E të shperthejë do si vullkan.
Unë, biri yt, Kosovë, ma mirë se kushdo tjetër
Të njoh Kosovë.[12]
Ngjarjet e vitit 1968 kishin dhënë rezultate. Në këtë përfundim arrinë edhe studiuesja e ceshtjeve shqiptare Miranda Vickers në librin e saj “Shqiptarët një histori moderne.[13]
Viti 1968 dhe protestat e njohura, do t’i jepnin mundësi shqiptarëve në Kososovë që të përmirësonin statusin e tyre në Federatë gjë e cila do të sanksionohej me kushtetuten Jugosllavetë vitit 1974.
(vijon numrin e ardhshem)
[1] Sabri Hamiti: “Letërsia moderne shqiptare”, “Albas”, Tiranë, 2000, f. 12.
[2] Agron Tufa: “Letërsia dhe procesi letrar në shekullin XX”, f.21.
[3] Agron Tufa: “Letërsia dhe procesi letrar në shekullin XX”, f.22-23.
[4]Agim Vinca: “Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe.(1945-1980), Enti Botues i Mjeteve dhe Teksteve Mësimore(Ribotim, Prishtinë 1997.
[5] Bashkim Kucuku. Parathënje e “Antologjisë së poezisë shqipe bashkëkohore”, Onufri, tiranë, 2008, f.5.
[6] Robert Elsie: “Histori e letersisë shqiptare,” f.449.
[7] Robert Elsie. “Histori e letersisë shqiptare,” f. 448-449.
[8] Mensur Raifi: “Mozaik letrar”, Pejë, 1998, f.23.
[9] Robert Elsie. “Histori e letersisë shqiptare,” f.439.
[10] Azem Shkreli. “Nëntori” 1972, Nr. 9, f. 158.
[11] Agim Vinca:“Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe”,(1945-1980).