Nuk dimë në ishte një a ishin shumë,
nuk dimë as në ka ekzistuar
apo e kemi shpikur
për t’i dhënë një zot dhe një legjendë
poemave, që themele i kanë vënë
botës ku jetojmë.
Thellomat e zbrazëta të syve të tij
ndritin si dy diej
mbi ujërat, ishujt dhe plazhet
e Mesdheut
e prapë s’jemi krejt të sigurt nëse historitë
që ka kënduar
kanë rrënjë në ç’ka ngjarë
apo ishin fantazira
të imagjinatës së tij rrezëllore.
Unë e shoh
si një babaxhan fisnik
dhe habitës
gjithherë dëfryes i çdo moshe
me aventura përrallore
luftëtarësh dhe përbindëshash
të një epoke të pazakontë,
ku njerëzit dhe perënditë
endeshin e kapërtheheshin
me kuaj druri,
eliksire e magjira.
E shoh të shfaqet mes hijesh
e flakëshpërthimesh,
në fshatra me erëmim
vere e vaji
me gishtat në lirë,
shoqëruar nga shushurima e detit
e shkulmet e ujërave që vrulltas rikthehen.
E shoh gjithmonë pranë fytyrave,
që presin e presin…
Fantazia dhe fjalët e tij
ia zbukuronin të gjitha sa rrëfente
mbi tregimet e detarëve mbi lundrimet,
këngët epshore të sirenave,
kafshimet e Silës
dhe vorbullat e Karibdës
që fundosnin anijet me vela,
si dhe per të mbyturit e gëlltitur nga Polifemi.
Në zemër të miteve të tij
pulsonin
tërë thashethemet
e babushëve dhe vejushave
si dhe lutjet e nënave
bijtë e të cilave ishin rrëmbyer nga piratët
për t’i kthyer në rremtarë.
E parafytyroj kokën e tij si
një vullkan që nuk nxjerr llavë
jo zjarr,
po histori,
një simfoni heroizmash,
shfaqjesh të befta, makthesh, trimërish, dashurish, magjish
dhe festash plot shkëlqime
perëndish e perëndeshash
me njerëz e demonë.
Askush nuk dinte nga vinte
e ku shkonte.
Mjekrën e kishte të bardhë
dhe sytë
përpara zgavrimit
kishin qënë blu.
Tunika e tij kishte
njëmijë arnime
ndërsa sandalet
i ishin holluar shume
prej vajtje-ardhjeve
te kjo botë dhe te tjetra.
Magjia e zërit,
butësia e fjalëve,
ngjyra dhe vezullimet,
që shfaqeshin ndërsa tregonte
u jepnin historive të tij
forcën përhapëse
të valëve dhe t’muzikës
si dhe atë hulli të ndritur
që s’u ndahej dëgjuesve
as në gjumë duke i bëre t’i mësonin përmendësh vargjet
e t’i përsëritnin
nga ati te biri,
nga një popull te tjetri,
shekull pas shekulli
deri te ne.
Faleminderit, ati ynë,
shpikës i Perëndimit!
Sa e varfër do të ishte historia jonë
pa historitë që na ke lënë,
sa mediokre do t’i kishim ëndrrat tona
pa ato të tuat…
(Përktheu Harallamb Fandi)
Hejza