Ishe dhe mbetesh qytetari model (lindur në Korçën e bukur) por tërë jetën s’rreshte së thëni me krenari, – jam nga Trebicka, nga fshati i dhjetra personaliteteve të shquara! Se madhështinë dhe qytetarinë tuaj qelibar, nuk e ngrinit mbi faktin se ku lind, por tek rrënjët, tek ata prindër të thjeshtë trebickallinj (Ligori e Meropi), që ju sollën në jetë (27 qershor 1937), rritën dhe edukuan fëmijë si ju, për t’i shërbyer kombit dhe jo kapardisjeve – jemi nga qyteti, i cili, jo domosdoshmërisht të bën qytetar.
– I papërsëritshmi Dritëro Agolli, kujtonte, …Dëshiroja të shkruaja një skenar dhe synoja të lidhesha me Viktor Gjikën, por nuk munda. Ndofta kjo vinte nga që ne fshatarëve të Devollit, qytetarët korçarë na dukeshin pak mëndjemëdhenj, aq më shumë kur vinin nga jashtë shtetit (Moska). Por kur u njoha me të ishte krejt ndryshe. Ai mbeti në thesarin e artit kinematografik si një diamant që do shkëlqejë përherë.. diamant që do t’i referohen brezat!
Atë të martë të zezë 3 marsi 2009, i mbylli sytë për jetë, ndërsa të mërkurrën u përcoll mes lotësh nga qytetarët e shumtë, artistë, kolegë, shkencëtarë e politikanë të të gjitha ngjyrave, përfshi Bamir Topi, Jozefina Topalli, Edi Rama etj, shoqëruar me lule e duartrokitje pa fund.., pa fund.., mes vlerësimesh që e përjetësuan në një monument.
– Thanas Gjika, i vëllai, një gjuhëtar i shquar, një shkencëtar, … “sot humbëm krenarinë”, …u shpreh në pikëllim, drithëruar .
– Bamir Topi, …një artist kompleks… që ka bërë histori..!
– Sali Berisha, …humbje e personalitetit më të madh të kinematografise shqiptare!
– Mevlan Shanaj, …një humbje kombëtare..! Uroj që një ditë të vijë një tjetër Viktor Gjika, por jam i bindur që, me këtë madhështi, e vështirë do jetë.
– Rikard Ljarja, …ka vdekur një udhëheqës shpirtëror..!
– Tinka Kurti, …ai më dhuroi Korçën e vet…!
– Timo Flloko, …Duartrokitja në ikje…përshëndetja finale që i bëri populli një artisti ….multidimensional si Viktor Gjika.
– Teodor Laço, ….një trazim butësie e rreptësie në krijimtari, një vrapues i palodhur i distancave të largëta të artit..!
– Piro Milkani, ….deri dje legjenda e gjallë e kinemasë shqiptare, ndërsa sot mbetet legjendë…! Kilometra të tëra filmash të xhiruara dhe të prodhuara nga mendja dhe talenti i tij..!
– Petraq Floku, … Viktor Gjika oqeani / Sa vështirë për ju të flas / Për mua dhe shumë si unë / Je babai i kinemasë..!
– Ditë përpara se të fluturonte në qiell e të ndriçonte që andej si një yll polar, e takova në shtratin e tij dhe përqafuar i them, … krenohemi me ju, mjeshtër, na jepni emër e lavdi si krahinë…të duam shumë…! – Edhe unë ju dua e s’ju ndaj nga mendja kurrë…Petrit, ..dhe përlotur u ndamë..! Po…, e përcollëm me duartrokitje.. nuk po ngjitej në skenë.., nuk po merrte një trofe… Ishte takuar me vdekjen, por nuk i trembej, ia kishte marrë të gjitha kësaj jete, kishte në krah një grua nga më të bukurat e të mençurat (Florën), e zoti i kishte falur një vajzë mrekulli, Ester! Iku me tre pengje në zemër, e para pse censura e asaj kohe i kishte prerë pjesë të çmuara të filmave më të mirë të tij, si t’i kishin prerë krahët. E tillë ishte koha, si bihej murit me kokë…Pengu tjetër, mos pa dashje me krijimtarinë e tij kish lënduar njeri; e së fundi, pse nuk arriti dot të bëjë tre dokumentarë, një për Sandër Prosin, një për origjinën e tij Vakëfet, dhe së fundi një për prindërit e shtrënjtë, për të cilët edhe sot se tret dheu. Kurrë s’i thuri hymne vetes, ndaj ishte dhe mbetet ikonë! Viktor i dashur, që tashmë s’u takoj dot më aty në hyrje të Rrugës së Durrësit, buzëqeshur, kushdo mund t’ju harrojë, edhe qyteti i lindjes, por fshati ku kishe rrënjët, ne gjaku yt, kurrë ndonjëherë!