Shkencëtarët kanë hedhur dritë mbi perandorinë misterioze Xiongnu, shoqërinë e lashtë nomade të Mongolisë, që mbretëroi nga rreth viteve 200 p.e.s., deri në vitin 100 Pas Krishtit dhe që supozohet se e shtyu Kinën perandorake të ndërtonte Murin e Madh.
Fiset e Xiongnu u konsideruan kërcënimi kryesor nga perandori Qin Shi Huang gjatë shekullit të 3-të p.e.s., “Dinastisë Qin”, kur ai vendosi të mbronte Kinën e bashkuar me konceptin e një “Muri të Madh”.
Perandori filloi punën në mur në vitin 221 p.e.s. duke lidhur një numër muresh mbrojtëse ekzistuese përgjatë kufirit verior të Kinës, në një sistem të vetëm. Muri u forcua më tej kundër Xiongnu gjatë mbretërimit të perandorit Han Wudi (141–87 pes).
Po cilët ishin Xiongnu-të? Në një studim të ri të botuar në revistën ‘Science Advances’, një ekip kërkimor ndërkombëtar zbuloi detaje në lidhje me strukturën e komunitetit të tyre, pas analizimit të ADN-së së lashtë dhe gjetjeve arkeologjike nga dy varreza të veçanta.
Studimet gjetën një nivel “jashtëzakonisht të lartë” të diversitetit gjenetik nga gjenomet e 17 mbetjeve që ata zhvarrosën, duke treguar se grupi ishte “multietnik, multikulturor dhe shumëgjuhësh”.
Sipas shkencëtarëve, praktika e varrimit la të kuptohet se gratë kishin një rol të rëndësishëm dhe me ndikim, pasi u konstatua se ato kishin varre individuale të statusit më të lartë. Ato gjendeshin në arkivole të përpunuara që shfaqnin emblemat e arta të diellit dhe hënës – simbolet e fuqisë Xiongnu. Në një varr që mbante eshtrat e një gruaje, shkencëtarët gjetën gjithashtu mbetjet e gjashtë kuajve dhe një karroce.
Profesorja e asociuar e Universitetit të Harvardit, Christina Warinner, vuri në dukje se “fëmijët morën trajtim të ndryshëm mortor në varësi të moshës dhe gjinisë”. Ata zbuluan se djemtë adoleshentë varroseshin me harqe dhe shigjeta, njësoj si burrat e rritur.
Choongwon Jeong, një profesor i asociuar i shkencave biologjike në Universitetin Kombëtar të Seulit, tha se anëtarët e shoqërisë Xiongnu përdorën martesën dhe lidhjen farefisnore për të ndërtuar perandorinë e tyre.
Ndikimi i Xiongnu shtrihet te Genghis Khan dhe Perandorinë e tij Mongole, midis perandorive të tjera nomade pasardhëse.
Bryan Miller, arkeologu i projektit dhe asistent profesor i artit dhe arkeologjisë në Universitetin e Miçiganit, theksoi në një e-mail për CNN:
“Xiongnu” ishte emri i një dinastie jo një populli, në vetvete; por ai regjim dinastik ndikoi shumë te popujt brenda mbretërive të tij dhe la një trashëgimi të fuqishme në Euroazi. Shumë grupe të mëvonshme përvetësuan emrin e fuqishëm të Xiongnu (ose Hunnu) ndërsa krijuan regjimet e tyre, duke çuar në përjetësimin e të ashtuquajturave entitete “hunike”, madje deri në atë të Attilës dhe Hunëve në skaj të Europës”./ dita