Nuk mund të iknim nga Universiteti i Michigan-it pa parë të paktën derën që hapte ai, poeti Joseph Brodsky, kur punonte këtu, në Fakuktetin e Gjuhëve Moderne dhe Letërsive të tyre në Ann Arbor, pikërisht në Departamentin e Sllavistikës, ku miku ynë, Dr. Lisandri Kola jep lëndën e Letërsisë Shqipe në Ekzil.
Ia thamë dëshirën tonë Lisandrit. Se dhe ai ngjitet në po ato shkallë nga shkonte Brodsky, në po atë kat, në të tretin, ku ai kishte zyrën, jo, dritaren, le të themi më mirë.
– E kujtojnë këtu me dashuri, – na tregon Lisandri, – i dha shumë prestigj Katedrës, jepte letërsi ruse… Tymoste cigare pafund, kudo, – vazhdon të na tregojë me humor, – dhe në mjediset universitare, ku rreptēsisht nuk lejohet, aq sa u detyruan që në tabelat përkatëse të shkruanin: Ndalohet duhani përveç Joseph Brodsky-t dhe atyre që e shoqërojnë…
Ne jemi shoqëruesit e tij të vonë, por cigare s’mund të pijmë, ai është hije vezulluese tani këtu… dhe tronditëse… po thoshim, ja, dera, që ai hapte… si metaforë e bardhë… xhami i saj me një rrjetë të hollë teli, sa i ndryshëm nga teli me gjëmba në frengjitë e qelive, a i janë kujtuar dënimet në Rusinë Sovjetike, nga ku iku? Dhe ne e ndjejmë si bashkëvuajtësin tonë.
– Nga këtu do ketë vështruar jashtë, thellë në kohë, – i them Edës time, – e mbase më pas shkruajti dhe atë poezinë: “Një listë me disa vëzhgime”.
Dhe kam vënë re, thjesht për të biseduar po e kujtoj, se Joseph Brodsky, kur mori çmimin Nobel në 1987, ishte viti kur unë lirohesha nga burgu… në 28 janar… në këtë datë ai ndërroi jetë, në 1996.
Unë isha në Itali. Dhe ai e donte shumë Italinë. Brodsky-n e arrestuan në moshën 26 vjeçare, edhe mua 26 vjeç më arrestuan.
– Çfarë je ti? – e pyeti gjykatësi Brodsky-n.
– Poet, – u përgjigj ai.
– E kush ta ka regjistruar emrin në radhët e poetëve? – pyeti prapë gjykatësi. – Askush, – u përgjigj Brodsky. – E kush më regjistroi në radhët e racës njerëzore? – ironizoi. Dhe poezia e tij do të ishte përjetësisht ironike.
– Pseudopoet me pantallona kadife, – e shau gjykatësi.
Edhe në hetuesinë time në qeli, mbaj mend që kështu bërtiste hetuesi: “pseudopoet!”. Siç ishte shkruar në akt-ekspertizën e hartuar nga poetët e listës, që bënte Partia. Dhe ka ende sot kritizerë që duan të ruajnë po ato lista. Nejse, është çështje tjetër kjo…
Do të doja të shikoja nga dritarja, nga ku duhet të kishte vëzhguar Brodsky. Dhe mendova një listë tjetër, atë të vëzhgimeve të tij, kështu e titullon një poezi, që do ta përkthjeja, pasi të iknim:
Një listë e disa vëzhgimeve.
Një qoshe, një ngrohtësi.
Një vështrim lë gjurmë në gjithçka,
ku ndalet.
Uji është forma më publike e qelqit.
Njeriu është më i frikshëm se skeleti i tij.
Gjithkund pa verë është mbrëmja e dimrit. Një verandë
e errët i qëndron sulmeve të pezullta
të një shelgu.
Në një kthesë trupi madhohet
si mbeturinat e një akullnaje,
një lloj murane.
Një mijëvjeçar i gjithë kështu, ata sigurisht do të ekspozojnë
një fosil molusku, të mbështjellë
me këtë leckë, me stampën e buzëve
nën stampën anash.
“Natën e mirë” mërmërin
mentesha e një dritareje.
Mos foli Brodsky kështu? Njeriu është më i frikshëm se skeleti i tij? Për kë e ka fjalën, për ç’listë? Dhe m’u përshfaq imazhi i valixhes së tij të rrjepur, kur e përzunë a iku nga Bashkimi Sovjetik.
Dhe erdhi këtu, “mësues universitar” te kjo ngrehinë, “Modern Languages Building”.
– Ka ecur kësaj rruge patjetër, – po i thosha Lisandrit.
Është dhe një foto e tij bardhë-e-zi me një mace në krahë, ku të këtë qenë? I lodhur nga njerëzit, që e detyruan të ikte? Dhe kapa fort nga krahu Edën time. Dhe m’u nëpërmendën macet e shumta te Shtëpia Botuese “Onufri”. Sa të dashura që janë! I ushqen vetë Drejtoresha. Kisha venë re, se macet, kur shkoja atje, me të dëgjuar diçka nga biseda, shkonim dhe rrinin mu tek libri im i porsa botuar ose sipër emrit tim, në pirgun e gazetave ExLibris. Më kishte dërguar vetë Bujar Hudhri, themeluesi i “Onufrit” disa foto të tilla. Nga ç’thonj donin macet të ma ruanin emrin?- i shkruajta Bujarit?… Njeriu është më i frikshëm se skeleti tij, mërmërita… Ato libra më kishin sjellë këtu… Po nuk mund të iknim pa shikuar të paktën derën e poetit Joseph Brodsky, bashkëvuajtësit të madh… pa vëzhguar nga dritarja e tij…