Basri Çapriqi (1960 Ulqin, 2018 Prishtinë). Botoi librat me poezi: Ulli me dymijë unaza (1986), Frutat bizare (1996), Zbutja e gjarprit ( 2006), Përkryerja e shiut (2013), etj.
Ka fituar çmimet e Mitingut të Poezisë libri më i mirë ndërmjet dy mitingjeve nw vitin 1996 dhe në vitin 2007. Konsiderohet njeri prej poeteve të shquar i poezisë shqipe bashkëkohore dhe një poet pa të cilin nuk mund të përpilohet asnjë antologji e poezisë shqipe bashkëkohore.
E çmonte shumë Mitingun e Poezisë, ishte të ruhet, madje kur Mitingu i Poezisë u bë ndërkombëtar, ai u gëzua shumë, ardhjen e Valetes dhe Koubatis, e quante bërje të Mitingut ndërkombëtar. Mos lejoni të lexoj gjithkush në Miting porosiste, madje edhe mua, mos me lejoni të lexoj shpesh. Çapriqi u nda në moshë te re nga jeta.
Është marrë me ese dhe shkrime letrare.
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
të hyjë ajri nga rruga
flaka t’i dalë
.
Dritaren lërë hapur dritaren lërë
ta përpish frymën
të dalë erë e keqe e trupit
.
Dritaren lërë hapur dritaren lëre
të thyhet vizioni në sy ta pastrosh shpirtin
nga hapësirë e mbyllur
.
Dritaren lëre hapur lëre
ushton zë epik i poetëve nxitojnë fëmijët të ikin
nga terri nga tingujt e mprehur
.
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
zbresin bishat nga malet
shkelin mollët në gratë e vdekura
.
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
shi bie pak ujë sidomos pak ujë
në buzë të plasur vëre
.
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
çlirohu nga epshet nga faji
përfalu me të vdekurit tuja sidomos
.
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
me qentë ta besh gjumin me insektet
me shpirtrat e territ me zërat e largët
.
Dritaren lërë hapur dritaren lëre
kufomat janë bashkudhëtar tuaj të sinqertë shih
ata s’të vrasin ata s’të zënë kalimin e frymën
.
Dritaren lërë hapur dritaren lëre
para se të niseni në atë udhëtim të fundit
me nga një ombrellë të çeliktë shi i kuq pikë
.
Dritaren lërë hapur dritaren lëre
thyeje pasqyrën katrore me fytyrën tënde
në kënd të dhomës e nisu
.
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
se ti je i vdekur në ushtrinë që marshon nga qielli
mbylle derën mbylle
mos të dalin bishat dhe njerëzit
.
TË KANË PARË TEK U LEXON VARGJE ATYRE NË HAD
.
Ali Podrimjes
.
E kam ditur Ti
S’mund të vësh kokë mbi jastëk
Kur merr rrugë aq të largët
Për me gjet të bardhën
As një gur nën kokë si suliotët
Nuk vë
Unë e kam ditur
Ti do lidhje duart pas koke
Do e shtrëngoje fort
Fort derisa ushtimë e vargut
Të pëlcasë
Gjithë ata gurë të ngulur brinjave
Deri te Uji i madh Një rrjedhë uji
pranë një pylli
t’i sjell te koka për me t’ba gjamën
Vetëm yjet do mbajtur në dorë
Asgjë tjetër s’të lënë
Atje në fund të asaj rruge në fund
Të pyllit
e rrugë tjetër s’ka me mbajt dritën ndezur
Të kanë parë
Kah u lexon vargje tash atyre në Had
Ti i njëjti
I ke sharë si mund të nguleni këtu përgjithnjë
Mor të mjerë
E ke vendosur
T’i ngresh ata nga gjumi
Ku kanë rënë
Përulësisht
Te lumi Styks të kanë parë Ti
I njëjti si mbi Dri
Një dallëndyshe ke gjuajtur nga lartësitë
në atë lumë të fryrë përmbi brigje
Ai lumë i vështirë
.
Kur ra terri mirë e mirë
Dervishi i verbër mori fenerin me dorën e djathtë duel
në rrugë e u nis
i pari që e pa tha: dervish ç’e do atë fener po ti i verbër
i dyti që e pa tha: dervish ç’e do atë marifet ti i verbër
i treti që e pa tha: i verbër dervish ç’luan me atë dritë
Dervishi kah ecte tundte kokën tha: e mbaj për ju
Për ju e kam
.
Ti je ai që vjen kur bie terr i dendur
kur dridhen fëmijët dhe të hapen portat
si kurrë më parë e shoh unë tash
botën të pshurrur nga fëmijët e frikësuar
dhe ajo botë pastaj të lëpihet e të sillet
dhe ata fëmijë bëhen heronj e qyqarë
a mund ta zësh një mizë në ballin tim
pa hequr në çark pa më vrarë të lidhur
dhe ato porta të hapen si në kohëra breshërish
e s’hyn dot një zog as një rreze dielli
një qiell të terë e vizatoj unë në gjoks
dhe vishem trash të mbrohem nga terri