“Pyetja tjetër që duhet të shtrohet nga kushdo që merr mundimin të flasë për këtë botim do të duhej të ishte: “Përse veproi kështu ‘poeti laureat’ Rudol Marku? Cilat ishin arsyet që e shtynë atë ta përjashtonte gjysmën e letërsisë shqipe, në mos më shumë, nga e ashtuquajtura “antologji” e tij? Nga i erdhi kjo ide dhe si pati guxim ta bënte publike atë?”.
Marr vesh se qenka botuar në Tiranë një antologji e “poezisë moderne shqipe”, hartuar nga “Poeti Laureat” Rudolf Marku.Dhe jo vetëm qenka botuar, por edhe qenka promovuar në Muzeun Historik Kombëtar, me mbështetje të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit
(QKLL). Dy institucione që mbajnë në emërtimin e tyre epitetin “Kombëtar/ Kombëtare” kanë promovuar një antologji që s’mund të quhet kurrsesi “kombëtare”.
Ka pasur reagime lidhur me këtë antologji, kryesisht në rrjetet sociale dhe kryesisht të vakëta. (Përjashtim bën reagimi i Ag Apollonit, i cili e quajti këtë libër, sikurse edhe promovimin e
tij, një turp! “Kjo s’është as antologji, as e poezisë shqipe dhe as moderne. Kjo është marre!”, shkroi me të drejtë Apolloni në një status të tij në fejsbuk.
Por turpin autori i saj e ka ngrënë me bukë. Paturpësia e tij arrin deri aty sa ta fusë edhe veten në antologjinë e vet, duke krijuar kështu një precedent të paparë.
Jam lodhur duke reaguar kundër veprimeve të tilla, të papërgjegjshme e përçarëse, që e ndajnë gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe që nga një gjuhë, letërsi e kulturë e vetme duan të krijojnë dy sosh a edhe më shumë, por si mund të heshtet para një veprimi si ky?
Nuk ka dy-tre muaj që u desh të reagoja për projektin e quajtur “Karrigia e letërsisë shqipe” të Roland Tashos, në të cilin nuk kishte asnjë shkrimtar jashtë kufijve politikë të Shqipërisë,
ja, tani, Antologjia e “poetit laureat”, në të cilën nuk ka asnjë poet jashtë kufijve politikë të Shqipërisë, pra jashtë asaj që quhet “Shqipëri londineze”, asnjë për farë!
Më vjen t’i kërkoj falje Roland Tashos, sepse faji i tij është i vogël në krahasim me këtë të Rudolf Markut. Tasho është fotograf, kurse Rudolfi poet, madje “poet-laureat!”. (Nuk e di kush ia ka dhënë këtë titull, një lloj Big Brother-i letrar, megjithëse edhe spektakli me këtë emër e respekton kriterin kombëtar).
“Poeti Laureat” Rudolf Marku e ka shkelur me të dy këmbët këtë kriter. Në antologjinë e tij të “poezisë moderne shqipe” nuk ka asnjë poet nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, ku po ashtu krijohet letërsi shqipe, sikurse edhe në Shqipërinë shtetërore, madje me një dozë të theksuar moderniteti në një periudhë të caktuar kohore.
Nga 59 (pesëdhjetë e nëntë) poetët e përfshirë në antologjinë “Veshunme diell, mbathun me hanë” asnjë nuk është jashtë kufijve politikë të Shqipërisë!
Si mund të quhet “antologji e poezisë shqipe” një libër si ky? Kjo është pyetja që duhet ta bëjnë në radhë të parë kolegët tanë në Tiranë e jo të merren me analiza të stërholluara të vargut “Veshun me diell, mbathun me hanë” dhe të funksionit të tij si titull i antologjisë në fjalë. (Debati që zhvillohet mbi këtë temë në “Peizazhe të fjalës” s’është veçse një snobizëm intelektual). Vargu antologjik i Bogdanit, derivat i Biblës, sigurisht, sepse prej andej vinte
Bogdani, është gjëja më e mirë që ka kjo antologji, por atë as nuk e ka “shpikur” e as nuk e ka përdorur i pari Rudolf Marku; ky varg del te shumë autorë të tjerë shumë më parë në formë intertekstuale.
Poshtë vargut të Bogdanit, që shërben si titull, vjen nëntitulli: “Antologji e poezisë moderne shqipe” dhe emrat e poetëve të përzgjedhur. Lista është e gjatë, 59 emra poetësh të radhitur kronologjikisht, nga Budi, Bogdani e De Rada deri tek Arb Elo, Irina Çoku e Gentiana Kone, por në mesin e tyre nuk ka asnjë krijues nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare, përfshirë edhe arbëreshët e Italisë (të sotmit).
Në fillim njeriu nuk u beson syve, rilexon listën, pastaj i shtron vetes pyetjen: a është e mundur? Dhe përse, vallë? Pse ndodh kështu? Kosovës mund t’i mungojë shumëçka, por poetë ama ka. Dhe, madje, poetë të mirë. Më të mirë se shumë nga ata që ka përfshirë në antologjinë e tij Rudolf Marku. Përveç kësaj, nuk mund të flitet për modernitetin në letërsinë shqipe
të pas Luftës së Dytë Botërore pa letërsinë e krijuar në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi. Studiuesit e letërsisë këtë e kanë të qartë.
Pyetja tjetër që duhet të shtrohet nga kushdo që merr mundimin të flasë për këtë botim do të duhej të ishte: “Përse veproi kështu ‘poeti laureat’ Rudol Marku? Cilat ishin arsyet që e shtynë atë ta përjashtonte gjysmën e letërsisë shqipe, në mos më shumë, nga e ashtuquajtura “antologji” e tij? Nga i erdhi kjo ide dhe si pati guxim ta bënte publike atë?”.
T’i thuash i paditur, s’është. T’i thuash i padalë, as i padalë s’është, përkundrazi. T’i thuash kozmopolit, kozmopolit edhe mund të jetë, por jo në këtë rast, sepse në sallonin e tij letrar në formë antologjie ka plot poetë lokalë, provincialë me botëkuptimin dhe poetikën e tyre. Antologjia e poetit tonë “laureat” shtrihet prej Lezhe deri në Elbasan. Nuk del këndej kufirit. E respekton strictement gurin e vënë në Morin dhe Qafëthanë. Madje, e shenjtëron atë! (Sa do të ishin zemëruar Mjeda, Fishta, Noli e Lasgushi, por edhe Dritëroi po të ishte gjallë, nga ky veprim i pasardhësit të tyre nga qyteti i lashtë, Lissus-i mjedian, ku prehen eshtrat e Heroit
Kombëtar).
Francezët i fusin në antologji dhe në fjalorët e letërsisë të gjithë shkrimtarët që shkruajnë frëngjisht, kurse ne i tjetërsojmë shkrimtarët që edhe janë shqiptarë edhe shkruajnë shqip. Sipas kësaj logjike ne do të duhej të bëjmë tani e tutje dy histori të letërsisë shqipe: një në Tiranë, një në Prishtinë, në mos edhe një të tretë, të katërt a të pestë diku gjetkë.
Ka pasur edhe më përpara tendenca të trajtimit të ndarë a fragmentar të letërsisë shqipe, por ky është pa dyshim rasti më drastik deri më sot. Dhe, nuk është fjala këtu për autorë të veçantë, siç përpiqen ta paraqesin disa miopë, por për injorimin en bloc, pra në tërësi të gjysmës së letërsisë shqipe, në mos më shumë.
Heshtin intelektualët (me ndonjë përjashtim të rrallë), heshtin institucionet, si zakonisht kur bëhet fjalë për kulturën dhe artin.
Disa analistë çajnë dërrasa për (in)kompatibilitetin e vargut bogdanian mbi “vajzën Mri” (Virgjëreshën Mari) në raport me brendinë e antologjisë, ku ka shumë poetë ateistë të realizmit socialist, por nuk e thonë asnjë fjalë për ndarjen e madhe të letërsisë kombëtare, që ulërin si kambanë. Nuk çalon gomari nga veshët, o zotërinj, por nga këmbët!
Vetëm në Gjakovë, ku pritet të mbahet së shpejti mbledhja e përbashkët e dy qeverive, të Kosovës dhe të Shqipërisë, me pjesëmarrje edhe të ministrave përkatës të Kulturës, janë tre-katër poetë, në mos më shumë, që do të duhej të ishin në antologjinë të cilën e ka mbështetur dikasteri që drejton Ministrja e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, zonja Margariti. Doni emra? Enver Gjerqeku, Din Mehmeti, Ali Podrimja, Besim Bokshi, secili më modern se tjetri, po qe se
modernitetin e kuptojmë ashtu siç e kupton e gjithë bota, si ndjeshmëri, si qëndrim ndaj botës, si stil letrar dhe si shprehje artistike.
Londra (Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha) na ndau në vitin 1913, poeti refugjat që jeton në Londër, po na ndan në vitin 2023. Ndarja e parë ishte territoriale, kurse e dyta shpirtërore. Ajo e ‘13-s, për të cilën kanë kënduar aq shumë poetët shqiptarë, ishte e
dhunshme, kurse kjo ndarje është vullnetare dhe bëhet me vetëdëshirë. Mund të duket e rëndë kjo që po them, por as “delikti” për të cilin flasim: botimi i një antologjie që përjashton pa asnjë dilemë më se gjysmën e letërsisë shqipe, nuk është i lehtë. Dhe, për paradoks, ndodh në një kohë kur kanë rënë barrierat e dikurshme, plot 33 vjet (sa jeta e Jezu Krishtit dhe e Lekës së Madh) pas rënies së murit ideologjik që na ndau aq gjatë.
Prishtinë, 14 prill 2013