Ai qytetërim mesjetar i Voskopojës në shekujt XVII-të e XVIII-të, lulëzoi jo vetëm ekonominë, por dhe arsimin e kulturën, duke rrezatuar ide iluministe dhe një kulturë të re kundër skolastikës mesjetare. Por ky zhvillim nuk mundi të siguronte një të ardhme të sigurt, pasi kish nisur të brehej nga brenda nga një mikrob i pa shërueshëm, nga një sëmundje e fshehtë, që e brente në thellësi prej kohësh! Shkaqet ishin të shumta e të ndryshme, të brendshme e të jashtme, që e çuan këtë qytetërim të dënuar me vdekje që nga lindja e tij! Po renditim disa shkaqe që e çuan në këtë katastrofë:
Voskopoja provoi se, nuk mjaftonte vetëm pasuria e tregtarëve dhe arsimi e kultura me akademinë, kishat e manastiret, shtypshkronja, priftërinjtë, poetët e filozofët për të mbajtur në këmbë një qytet e një qytetërim të tërë. Qyteti dhe qytetërimi, kërkonte një përvojë drejtimi e organizimi shtetëror më të civilizuar e më demokratike të shtresave shoqërore dhe për një rend e siguri që do mbante në këmbë këto arritje. Mësimi që nuk gjetën dot voskopojarët në libra, ndodhet në raportet që qytetërimi ka me lirinë dhe me urtësinë. Qytetërim s’do të thotë, liri pa cak dhe as robëri, por liri racionale për të gjithë. Dhe ato arritje që realizoi, nuk qe në gjëndje t’i ruante e administronte me kompetencë. Pra, gjithë ajo dituri e qytetërim, nuk arriti ta shuaj atë zjarr, që e ndezën vet!
Ky zhvillim e përparim i këtij qytetërimi mesjetar, shihej me zili nga fqinjët dhe krahinat përqark, që përjetonin një prapambetje e varfëri të tejskajshme feudale. Ato e shfaqnin këtë kontrast, ku bejlerët jo vetëm shtypnin e shfrytëzonin fshatarësinë e varfër të këtyre zonave, por mbanin në këmbë dhe bandat grabitëse që qarkullonin në ato anë.
Jo më pak dhe grumbullimi i pasurive në duart e disa tregtarëve voskopojarë, të cilët i qarkullonin mallrat e tyre nëpërmjet karvaneve që lëviznin në ato rrugëtime të gjata e të vështira malore, që shpesh bëheshin lakmi e feudalëve dhe bejlerëve të rrethinave, të cilët aktivizonin këto banda grabitëse në ato zona. Me kalimin e kohës, kjo tendencë dhe lakmi grabitëse, u shtri dhe në thellësi të qytetit, ku u bënë objekt grabitjeje dyqanet, magazinat, punishtet dhe deri shtëpitë luksoze të pasanikëve, për të cilat shteti dhe vet qyteti nuk kishin asnjë lloj sigurie e mbrojtje.
Një ndikim jo të vogël në këtë krizë që thellohej për ditë, patën dhe borxhet e prapambetura të borxhlinjve vendas ndaj derebejve, të cilët organizuan dhe nxitën bandat grabitëse nëpërmjet dhunës çnjerëzore e kriminale. Elita e tregtarëve dhe esnafëve, preferuan shkatërrimin përfundimtar të qytetit, në një kohë kur shpenzonin shuma kolosale për ngritje kishash e manastiresh, akademi, biblioteka e ndërtime të tjera. Edhe ky ishte një faktor që s’e ndali dot dhunën, djegien e shkatërrimin e këtij qytetërimi në mënyrë barbare.
Shpesh vërehej dhe tendenca e qytetit për të përfituar sa më shumë pavarësi politike, duke u vënë kundër Patriarkanës së Stambollit dhe veçanërisht ftohja me pushtetin qendror të Portës së Lartë, të cilat ndikuan në thellimin e kësaj krize, megjithëse tregtarët dhe vet paria e qytetit ishin korrekt me derdhjen e taksave në zyrat e caktuara të Stambollit. Të gjitha këto u bënë shkak për këtë situatë jo fortë të paqshme, që e çoi Voskopojën në prag të kësaj katastrofe.
Vezirët, sadrazemët dhe bejlerët e dëgjuar, emisarë të një regjimi të shkatërruar e në shthurje, e lëshuan më në fund frerin derebejve dhe të gjithë kryqtarëve të tyre, të cilët duke patur me vete lejen e heshtur të pushtetit perandorak, filluan përgatitjet e ethshme për kryqëzatën e parë kundër Voskopojës dhe shkëlqimit të saj nga fundi i shekullit të XVIII-të.
Prof. Pëllumb Xhufi në librin “Shekulli i Voskopojës” botim i vitit 2010, thekson dhe një shkak tjetër të rëndësishëm të kësaj krize që përfshiu Voskopojën. Midis të tjerave ai shkruan: “Kriza e Voskopojës ndodhi dhe si rezultat i rënies së kërkesës për produktet e leshit që tregtonte Voskopoja. Kjo kërkesë ra në mënyrë drastike mbas mungesës së interesit nga Europa Qendrore. Kjo përcaktoi dhe të gjitha fenomenet e tjera. Në të njëjtën kohë, ra dhe statusi i saj si qytet i mbrojtur nga Porta e Lartë. Heqja e këtij statusi, bëri që qyteti iu dorëzua dhe iu shitë pronarëve dhe tregtarëve, që sigurisht nuk kishin fuqinë dhe aftësitë për t’a mbrojtur”.
Kohë pas kohe ndodhi dhe largimi e transferimi i elitës intelektuale, në radhë të parë i tregtarëve të dëgjuar, të cilët kishin përfaqësitë e tyre në vendet e Europës. Rënia e tregtisë së leshit, i nxiti ata në veprimtari të tjera si, bankierë, industrialistë fabrikash, ndërtues pallatesh e të infrastrukturave rrugore e tjera, në disa nga shtetet e Europës.
Kriza e tregut europian për prodhimet e leshit e produktet e tjera, ndikoi në gjendjen e brendshme të Voskopojës. Këtu nuk mund të lëmë pa përmendur eksportin e mallrave të Voskopojës, që ishin pikërisht leshi dhe stofrat e punuara trashë (shajaku) për velenxa, guna e tjera. Ky mall, ngarkohej në Durrës dhe dërgohej në Venedik. Studiuesi I. M. Qafëzezi shkruan se: “Tregtia kryesore e Voskopojës me Venedikun në vitet e shkëlqimit të saj 1700-1769, përfaqësohej nga prodhimet e leshta, kryesisht gunat dhe veshjet e leshta, që mereshin nga ushtarët venedikas, që pëlqeheshin shumë”.
Edhe autorë të ndryshëm, midis tyre A. E. Vakalopulos e ndonjë tjetër, flasin për krizën e tregtisë që përjetoi Voskopoja me Venedikun, që nisi rënien e saj që në vitet e 1720-s e më pas. Ai sjellë një të dhënë: “Më parë, nga porti i Durrësit niseshin për në Venedik çdo vit 16-18 mijë dëngje me lesh e mallra të tjera të leshta, ndërkohë që vite më pas niseshin vetëm 4-5 mijë dëngje të tillë”.
Historia e tregtisë së leshit në shekujt XVII e XVIII e qyteteve që ajo zhvillohej, nisi rënien, siç ishte rasti i Voskopojës dhe që u përsëritë dhe në treva të tjera. Pikërisht, nga mesi i shekullit të XVIII-të, kur prodhimi i tregtisë së leshit ishte venitur e po shkonte drejtë shuarjes, në fushat e Maqedonisë e të Thesalisë, filloi kultivimi masivë i pambukut. Dhe kjo kërkesë vinte nga larg, nga tregjet e Europës, ku industria e re e pambukut, kish marë një zhvillim të ri.
Në këto situata, në jetën e Voskopojës nisën tensionet e grindjet e brendshme midis esnafëve. Bashkë me këto, nisën dhe lakmitë e sulmet nga jashtë, nga bandat grabitëse të rrethinave. Jo më pak dhe sulmet e kreditorëve për kreditë e pa shlyera nga tregtarët e qytetit. Voskopojarët e regjur e dinin tanimë se nuk mund t’i shpëtonte më nga kjo e keqe, as larja e borxheve të kreditorëve, as blerja me flori e kundërshtarëve armiq. Duheshin larë mëkatet e së kaluarës jo shumë të largët me gjithçka, qoftë dhe me pasurinë e tyre, deri dhe me ekzistencën e qytetit. Dhe shtatori i vitit 1769 erdhi shpejtë, bashkë me katastrofën që u shfaq si një stuhi e ngarkuar me re të zeza. Ja si e përshkruan këtë situatë studiuesi voskopojar, Dhori Falo në librin e tij, “Tragjedia e Voskopojës”, faqe 207, botim i vitit 2010:
“Një tym i dendur përfshiu Voskopojën, nga lagja Strugu, një tjetër nga Shën Ilia, që u dukën në horizontin e afërt. Në këto çaste tragjike, si me urdhër të panjohur, si një trup i vetëm, të gjithë vërsulen për tërheqjen e madhe nga rruga drejtë Korçës. Vargu i gjatë njerëzor, kurrizin ngarkuar me boçe e fëmijë, me mushka e kuaj që mbanin mbi vete atë pak plaçkë, me qeset e parave të fshehura në ndërresat e grave, vërshonin tatëpjetë lumit të Shën e Premtes, nga rruga e vetme e shpëtimit që shkonte nga lindja.
Pleq e plaka, burra, gra e fëmijë, thërrisnin, ankoheshin, luteshin e mallkonin. Dikush kërkonte fëmijën e humbur në rrëmujë e sipër dhe të këpuste shpirtin me lotët e një prindi të dëshpëruar. Familje të ngatërruara përpiqeshin të bashkoheshin, dikush i lodhur dhe i tronditur, hidhte plaçkat e rënda nëpër dëllinja, të vegjlit qanin të kapur pas fustaneve të nënave, burrat bëheshin copë, vajzat fshihnin fytyrën e bardhë me shami të zeza, plakat fshihnin nuset e paratë, të moshuarit mbeteshin prapa të drobitur. Një arratisje tragjike e mijëra banorëve, që kërkonin të shpëtonin vetëm kokën, pa menduar për asgjë që lanë prapa.
Ndërsa në qytet zjarret përparonin, krismat shtoheshin e tymi mbulonte qiellin e kaltër të Voskopojës. Jeniçerët e tërbuar, duke thyer lehtë atë pak rezistencë të milicisë vendase, çanin nëpër rrugët e shkretuara, duke thirrur e ulëritur, shtinin për frikë e panik, hynin nëpër shtëpitë, nxirrnin e rrëmbenin plaçkat para se t’i vinin zjarrin, torturonin banorët e mbetur brenda, kërkonin paratë, kontrollonin gratë dhe plakat për flori, çanin sëndukët e mbyllura, përdhunonin vajza e nuse të reja, rrëmbenin si skllave “kaurkat” e bukura të Voskopojës e tjera”.
Vargu i të dëbuarve, para se të arrinin te dalja e fundit, kthenin dhe njëherë kokën prapa nga vatra e dashur e vatanit. Qanin me lot të nxehtë para se të merrnin rrugën e hidhur të mërgimit dhe i jepnin lamtumirën e fundit qytetit të tyre që po digjej e shkatërrohej. Dhe kjo tragjedi, që autori Dhori Falo e përshkruan me hollësi, nuk ishte pak, por ishin tri beteja radhas në intervale kohe, të djegies e shkatërrimit të Voskopojës e qytezave rreth saj, që e kthyen atë qytetërim në një fshat bujqësor e blegtoral. Kjo ishte Voskopoja e dijes, kulturës e arsimit, e kishave dhe manastireve, që kanë mbetur dhe sot e kësaj dite si vlera të veçanta të atij qytetërimi e kulture të lashtë mesjetare.
Voskopoja nuk është legjendë, por rruga nga themelimi i fshatit të parë pranë kishës së Shën e Premtes në shekullin e XIV-të, deri tek qyteti i lavdishëm Moskopolis, që lulëzoi në shekujt XVII-të e XVIII-të me emrin Voskopojë dhe deri në shkatërrimin e tij në fund të shekullit të XVIII-të, ku e gjithë kjo rrugë qytetërimi mbi një shekull, i ngjanë një legjende. Ajo pllajë me luginën e shkatërruar midis maleve, mure godinash të nxirë nga zjarri i pamëshirshëm, skeleti i qytetit të dikurshëm që duket sikur nxjerë akoma tym, dëshmon se historia e Voskopojës është e ngjashme, ndonëse në kohë të ndryshme, me atë të Trojës së lashtë antike legjendare. Ndryshimi është se Troja u sosë me luftë midis kundërshtarëve, kurse Voskopoja u sos paqësisht nga një mikrob i brendshëm që e brejti deri në themel.
Pra, Voskopoja pati një kohë të themelimit, një kulm zhvillimi e qytetërimi jo shumë të gjatë dhe një rënie e katastrofë tragjike. Ndërsa Troja homerike sot ekziston si një gërmadhë antike rrënojash dhe si një legjendë historike frymëzuese për filmat hollivudianë, kurse Voskopoja për fatin e saj të keq e të mirë, ka ardhur deri në ditët tona e djegur dhe e shkatërruar, por ende ekziston si një qendër e banuar, e pa braktisur, duke ruajtur historinë dhe disa objekte e relike, që i kanë rezistuar kohës si, kishat e manastiret, rrugët e kalldrëmta, çezmat, urat pranë rrugës “Egnatia” dhe historinë e saj të grisur e të copëtuar.
Përpara kësaj “legjende”, Voskopoja ruan ende fakte historike kokëforte, që dëshmojnë se ajo ka origjinë të lashtë vllahe, lidhjet me kullotat e bagëtive, me ujërat e dërstilave, ngulimi pranë një vendbanimi vllah, siç ishte Shipska, e deri gjuha vllahe në shumicën e banorëve, të njerëzve të shquar dhe të personaliteteve të saj, gjuhë e cila është prezente edhe sot në një pjesë të banorëve autoktonë të saj. Të gjitha këto janë fakte autentike, që e bëjnë këtë qytet e këtë qytetërim, pjesë të një popullsie vllaho-shqiptare në atë periudhë të hershme të mesjetës së vonë.
Jo më pak prezente e kokëforte janë dhe shumë dokumente të njohura arkivore e shkresore siç janë, librat e njerëzve të shquar vendas e kryesisht të huaj, kodiku i manastirit të Shën Prodhromit, kishat e hershme si ajo e Shën e Premtes, që i përket shekullit të XIV-të, manastiri i Shën Prodhromit i shekullit të XVII-të, 24 kishat e manastiret e tjerë ngritur shekuj më pas, e deri tek lagjet me banorë vendas e të ardhur nga krahina të tjera të vendit.
Lulëzimi i shpejtë i këtij zhvillimi e qytetërimi, nxori në pah dhe një mikrob që kish hyrë thellë në jetën e këtij qyteti, mikrobi i lakmisë dhe i korrupsionit, që e çuan fatin e këtij qyteti drejtë shkatërrimit, shuarjes e dënimit me vdekje! Edhe pushteti qendror i Perandorisë ka rrolin e vet në këtë histori. Ai nuk e donte zhvillimin, qytetërimin dhe pavarësinë e këtij qyteti mesjetar, që nisi të lulëzonte në trojet shqiptare. Konsulli Pukëvili shkruan: “A mund të donte “Xhindi i despotizmit”, që një qytet i tillë i lirë, të ngrihej në gjirin e Perandorisë së vetë?”
Nga shkatërrimi i parë në vitin 1769, deri në shkatërrimin e tretë në 1916, kaluan plotë 147 vjet që Voskopoja përjetoi vetëm tragjedi, djegie, grabitje e vrasje! Sa shumë pasuri, vlera materiale e njerëzore ka patur ky qytet mesjetar dhe sa histori që nuk reshtet së shkruari për atë qytetërim që nga shekulli i XVIII-të e deri sot! Dhe ky shkatërrim, jo nga ndonjë fuqi e mbinatyrshme, apo nga njerëz të jashtëm, por nga brenda, nga vet popullsia vendase dhe e rrethinave!
Nëse për dy shkatërrimet e para, për arsye kohe të hershme, nuk pati dëshmitarë okularë, por vetëm dokumente e kujtime të shpërndara aty-këtu dhe objekte e relike, që dhe ato paraqisnin një pjesë të historisë, djegia e shkatërrimi i tretë i vitit 1916 në periudhën e luftës së I-rë Botërore, ka patur veç dokumenteve dhe dëshmitarë të gjallë, që kanë treguar për shkatërrimet, grabitjet e masakrat që i janë bërë popullsisë voskopojare. Dëshmitë tregojnë:
-“U vranë 40 bijë voskopojarë sipër Manastirit të Shën Prodhromit! U përdhunuan nga xhelatët e bandave grabitëse bijat voskopojare,“kaurkat e djallit”, nga banditët e tipit të Sali Butkës, Marko Zvarishtit dhe Zenel Braçes e tjerë! Historinë e një vendi e të një populli, mund t’a shkruash keq, t’a shtrembërosh e t’a keqpërdorësh, por kurrsesi kujtesën popullore masive s’e vret dotë. Herët a vonë, ky kapitull tragjik i jetës së Voskopojës, do shkruhet e po vazhdon të shkruhet nën dritën e së vërtetës”. (Vangjel Simaku, revista fetare “Tempulli” Nr. 15, Korçë 2015).
Në fundin e shekullit të XVIII-të, nga kjo lëvizje e shpërngulje e dhunshme e voskopojarëve nga vatrat e tyre atërore, u shkaktua një rrymë e përgjithëshme emigracioni, që përfshiu pothuaj të gjitha vendbanimet fqinje vllahe që kishin fatin e Voskopojës. Numri i atyre që u larguan dhe u vendosën në vende të ndryshme brenda e jashtë vendit për një jetë më të mirë, e për të qenë më të sigurt me kapitalet e tyre, duhet të jetë shumë më i madh thekson, Dr. Kostandina Karakosta, vllahe, një nga studiueset bashkëkohore, mbase nga më të mirat në emigracionin e voskopojarëve, e vendosur në territoret e Austro-Hungarisë. Ajo thekson se: “Emri “voskopojar” mori një kuptim më të përgjithshëm, duke quajtur kështu ata që merreshin me tregti, zejtari dhe bartës të progresit e të zhvillimit”.
Voskopoja ishte ato kohë kryeqendra e vllehve të Pindit të sipërm, ndërsa Mecova ishte kryeqendra e vllehve të Pindit të poshtëm. Të dy këto kryeqendra vllahe, nuk patën të njëjtin fat e rëndësi. Mecova ekziston edhe sot brenda territorit grek, ndërsa Voskopoja u dogj e u shkatërrua! Ja çfarë shkruan historiani francez Zhan-Klod Faverial për Voskopojën: “Po çfarë nuk do kish shkruar Konsulli francez Pukëvili mbi Voskopojën, në se do kish arritur t’a vizitonte këtë qytet kur ishte me rreth 35-45 mijë banorë, i pari i atyre kohëve në gjithë Shqipërinë, jo më pak dhe në Ballkan, para se të digjej e të plaçkitej për t’u katandisur në një fshat me 250 shtëpi .
Për historinë e Voskopojës dhe qytetërimin e saj, si dhe për personalitetet e arsimit, kulturës e shkencës, që bënë emër në mjedisin e saj e më gjerë, është folur dhe është shkruar pak, veçanërisht brezi i ri i viteve më pas, nuk i njohin këto vlera plotësisht, ose interpretohen shpesh si vlera të etnisë vllahe, pa menduar se ato i përkasin në tërësi kulturës shqiptare. Interpretimi i mentalitetit ishullor të Voskopojës, e ka ngushtuar njohjen dhe vlerat e saj, duke e trajtuar shpesh si një legjendë: “Na ishte njëherë një qytet dhe një qytetrim jo shumë i lashtë, në formë ishulli, i periudhës së mesjetës së vonë, që quhej Voskopojë”!
Historiografia greke e ka ngritur një skemë të tillë, që, “Voskopoja ishte produkt i frymës Helene, ose ishull mes barbarisë shqiptare, që u shkatërrua nga bandat myslimane të krahinës e nga politika e Portës së Lartë”. Voskopoja nuk ka qenë aspak ishull. Ajo ishte pjesë integrale e një sistemi të tërë për rreth, që lindi, shkëlqeu dhe pati rënien e saj, bashkë me simotrat, Grabovën, Llëngën, Niçën, Shipskën e tjera. Në librin e Prof. Pëllumb Xhufit “Shekulli i Voskopojës” viti 2010 shkruhet: “Voskopoja trajtohet në një kuadër më të gjerë në lidhje me mjedisin e afërt dhe të largët gjeografik e shoqërorë, duke marë në konsideratë dhe dimensionin krahinorë shqiptarë, atë ballkanik e europian të këtij qyteti. Dokumentet e kohës, mbështetur dhe në Kodikët e Manastirit të Shën Prodhromit, tregojnë se historia e Voskopojës nuk mund të shkruhet duke ndjekur tezat e helenizmit”.
Edhe studiuesi A. Goxhaj, në një shkrim për Voskopojën midis të tjerave shkruan: “Në shkollat tona Voskopoja anashkalohet, kapërcehet thjeshtë si kuriozitet historik, si një ishull i mbyllur. Kavalioti i madh dhe Grigor Voskopojari, as nuk njihen nga shqiptarët e sotëm! Grekët dhe rumunët, i shtojnë një gërmë “s” në fund, apo një “esku” si prapashtesë, duke i kthyer në “mit” të tyre këto figura të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare. Ndërsa ne i mbajmë të fshehur në shekuj! Sepse Voskopoja është histori që harrohet shpejtë, përballë kreshnikëve dhe trimave të pushkës. Ne e kemi më kollaj të kujtojmë heronjtë, se sa princët themelues të Principatës së Epirit arbënor, siç ishin Komnenët. Ne e kemi më kollaj të kujtojmë Ali Pashë Tepelenën, se sa Kavaliotin apo Grigor Voskopojarin e gjuhës shqipe. Sepse ne i këndojmë më shumë trimave të pushkës, se sa atyre të penës. Ky është miti i munguar i Voskopojës, që për ne nuk ka ekzistuar kurrë, sepse tek kokat tona ka munguar Qyteti, Polisi dhe vet Vosko-Polisi”. (Gazeta Sot, 18 maj 2008).
Pra, vëmendja për Voskopojën dhe historinë e atij qytetrimi, kërkohet të jetë gjithmon në kuadrin e gjithë historisë së qytetrimit shqiptar. Shumë qytete të Shqipërisë si: Durrësi, Berati, Gjirokastra, Shkodra, Elbasani e tjera, të ndërtuara e të administruara ndër shekuj, ekzistojnë duke krijuar edhe historinë e tyre, ndërsa Voskopoja, jo vetëm pati një jetë të shkurtër, por ajo u sosë fizikisht, nuk mbeti asgjë në fizionominë e saj, veç disa kisha e manastire, që i mbajti gjallë besimi i komunitetit ortodoks dhe historia e saj, që sot tregohet e shkruhet brenda perimetrit të saj, që megjithse punoi e luftoi për të ndërtuar qytetin e qytetrimin e atij komuniteti me shumë sukses, por ashtu siç u ndërtua edhe u shua nga vet dora e ndërtuesve dhe e lakmiqarëve që e rrethonin!
Pra, Voskopoja dhe simotrat rreth saj, me një popullsi kozmopolite shqiptaro-vllahe, mbetet jo vetëm një fenomen shqiptar, por dhe një vendbanim shqiptar, jashtë çdo teorie ishullore të helenizmit, apo rumanizmit.
Lagje e Voskopojës në shekujt XVII e XVIII-të