UASHINGTON – Rusia nuk u ka lejuar zyrtarëve konsullorë amerikanë që të kenë qasje tek gazetari i gazetës Wall Street Journal, Evan Gershkovich, i cili u ndalua në fund të muajit të kaluar, duke shkelur kështu ligjin ndërkombëtar, tha të hënën zëvendës zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel.
Zoti Patel u tha gazetarëve gjatë një seance informimi se Moska e ka njoftuar zyrtarisht gjatë fundjavës Uashingtonin për arrestimin, por se Shtetet e Bashkuara ende po përpiqen të kontaktojnë nëpërmjet zyrtarëve konsullorë zotin Gershkovich, i cili është arrestuar që më 29 mars, me akuza për spiunazh.
“Në këtë pikë është shkelje e detyrimeve të Rusisë sipas konventës së marrëdhënieve konsullore dhe shkelje e ligjit ndërkombëtar”, tha zoti Patel.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik ranë dakort në një traktat të nënshkruar në vitin 1964 se një zyrtar konsullor do të lejohet të vizitojë një shtetas të ndaluar apo të arrestuar të palës tjetër, brenda dy deri në katër ditë nga ndalimi, në varësi të vendndodhjes.
“Kemi theksuar nevojën që qeveria ruse ta mundësojë këtë qasje sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi zoti Patel.
Departamenti i Shtetit njoftoi gjithashtu të hënën se Sekretari Blinken mori vendimin për ta përcaktuar të padrejtë ndalimin e zotit Gershkovich, duke i bërë thirrje ndërkohë thirrje Rusisë edhe për lirimin e shtetasit tjetër amerikan Paul Whelan.
Ambasada ruse në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.
Avokatët e gazetës Wall Street Journal e kanë vizituar gazetarin, dhe gazeta ka bërë thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm.
Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje që Rusia të lirojë zotin Gershkovich dhe i kanë hedhur poshtë si qesharake pretendimet për spiunazh.