.
Ti fluturake e pangushllueme n’errësi
Dhe pjesë e diellit të plasun
Ti yll i kallun e në shkamb i rrasun,
Që lind mbas muzgut e bredh në stuhi.
Xixëllojë,eshkë mitare e mendjes sime,
Gurrë e ndezun e livadheve të mija;
Xixëllojë,komet që të pret gjithsija-
Frymë e vringllume,xixë për premtime.
Ti je flakë e fjalës – poezi e shkrueme –
Dalë nga afshi ynë – votër e pikëllimit,
Ti je shpuzë pa plang e mall’ i prendimit.
Ti i ndriçon netët – kangët e harrueme,
E frymëzimin e mban në flatrimin tand,
Që n’qerpik’t e mij tashi digjet gand.
.
A ky është kthimi,apo hap zbrazëtie?
Dielli kështu më zgjon? Apo rigon shi?
S’do t’i kthehem barit,as asaj errësie.
Kah do vemi,ditë,kur asgjë nuk ndi?
A jam tash i zgjuar,apo m’mashtron drita?
Ndëgjoj hap’n e vjeshtës,lulja fle në mua
Çdo gjë që dash’rova – tek ajo s’arrita –
Askund ndonjë thnegël,sa për t’më shoqërua.
Kënga e menduar kishte për të treguar:
Se si njëherë moti ish feniks ndër ne.
Po. Është ajo vetë,që kurrë pa u friguar,
U la prore n’gjak,n’stuhi dhe rrufe.
Po ç’është tani kjo? Ëndërr o hap lashtësie?
Malli kështu më zgjon? Jo! Është hap’ humnera.
S’do t’i kthehem barit,as asaj errësie,
Që për sy të mi presin untë përhera.
.
Po shtegton në nji rreth e udhë t’caktueme
Askund synin tand gac’ e t’untë pa e lu’jtë.
Nuk di Shkëlzenit në maje a kishe me mujtë
Peng me ia lanë zemrën tande gur t’gurzueme
Dëshiroj thellësitë me t’i matë që n’to u përbine,
Me ta varë në sqep dhe qafë nji grimë mëshirë,
Për ato viktima që n’klithje je tue i thirrë.
O, ti me gjak dhe pupla kurrnjiherë s’u ngine.
Po shtegton nëpër re të buta tepër kryenaltë
Zemrën e diellit si me pasë kaplue me ata thoj.
Kur ta ndiej at’ klithje të mnershme, se po droj.
Se me ujën tande krenat e hetuese po na i matë.
Vetëm mos ma sqepo kët’ bardhësi të diellit,
Se s’kam me çka t’i rris këto kambë të prillit!
.
N’ty është mbyllur era si rob i përhershëm,
Shira e shumë stinëve me rrufe mbuluar,
Mbyllur është dhe dreni n’zemër i plaguar,
Që për një sorkadhe klith me zë të tmerrshëm.
N’ty është mbyllur lulja q’u këput në pranverë,
Dhe çdo ngjyrë e zërit me stuhi e zgjuar
Ja tash ëndrra ime që s’ka për t’pushuar
Çdo gjë do t’rilindë që n’ty vdiq njëherë
Nata është mbyllur përherë n’gjirin tënd
Një yll ne na duhet që të zgjohet guri
Një shkëndi na duhet që t’shkëlqejë biluri
Dora jonë pjellore q’i fal tokës shend
Ja një fjalë e lindur që nuk di t’lakojë
Ajo gurin n’gurë përherë do ta zgjojë.
.
Kujtuam përherë vatrën e shtigjeve të mërgimit
Duart me myshk na u mbushën sytë me blozë
Kur na shtërngoi muzgu net’ve të pikëllimit
Hyri n’palcën tonë Kalë i Trojës s’ngratë
Dielli midis eshtrash flakëroi si argjendi
Gjaku n’meridiane prore po na ngjizet
Kështu na ndjeku fati na përcolli dhe shendi
Kur flakë e blerimit në qerpikë na ndizet
Na për flokët tanë shkuam në çdo pyll
Përveç bishash t’egra asgjë nuk kemi gjetur
M’atë anë ditës s’shurdhër na flakëroi një yll
Në një gomë të shkyer këmbët na kanë mbetur
Dhe do fjale plastike ja tash na kërc’nohen
N’vend t’lejlekut n’kulm t’metaltë zogj lëshohen